Stina e verës është sezoni për shërbimet e vullnetarëve që shkojnë në Izrael dhe kërmbimet rinore gjermano-izraelite. Interesi i të rinjve gjermanë vazhdon të jetë i madh, por këndvështrimi mbi historinë ka ndryshuar.
“Mësova se çdo të thotë që unë bëj pjesë në brezin e fundit që mund të flasë me të mbijetuar të Holokaustit, me njerëz që e kanë përjetuar atë vërtet. Ishte një përjetim krejt i veçantë i historisë.” Ella Enzmann shkoi në shtator 2008 për 12 muaj vullnetare në Izrael. Atje Gjermania ka punuar në një kopësht fëmijësh dhe një azil për të moshuar. Ndër të tjera 24-vjeçarja u kujdes për të moshuarën Gretel Merom, lindur në Gjermani, e cila në shkurt 2013 festoi 100-vjetorin.
Angazhim në projekte sociale
“Aksioni Shërbime Paqeje- Shenjë Pajtimi” (ASF) është një nga organizatat e shumta gjermane, që dërgojnë rregullisht të rinj nga 18 deri 30 vjeç, për shërbime vullnetare në Izrael. Gjithsej janë çdo vit 900 vullnetarë gjermanë. Në gusht 2013 Simon Weißbecks përfundon misionin në vendin në lindje të Mesdheut. Për Deutsche Welle-n 20-vjeçari i shpjegon kështu arsyet përse ka shkuar: “Për mua ishte e rëndësishme të shfrytëzoja mundësinë për t’u përballur intensivisht me të kaluarën gjermane dhe Shoah-në.”
Historia gjermano-izraelite është ende sot e ndikuar nga vrasja e miliona hebrenjve në Gjermani dhe Evropë nga nazistës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur para 65 vjetësh në 14 maj 1948 u themelua shteti i Izraelit, kjo ndodhi edhe për të gjetur një atdhe të ri për të mbijetuarit e Shoah-së.
Weißbeck gjithashtu ka punuar në një azil të moshuarish në Jeruzalem. Rreth 25 vullnetarët gjermanë të organizatës ASF, që shkojnë çdo vit në Izrael, vendosen në struktura sociale për fëmijë, të moshuar apo njerëz me aftësi të kufizuara, por edhe në vende përkujtimore. Çdo vullnetar gjerman një pjesë të kohës së tij ia dedikon gjithnjë të mbijetuarve të Holokaustit.
Stina e verës, sezoni kryesor
Shërbimet vullnetare, si ato nga ASF, këmbimet rinore gjermano-izraelite apo misionet e vullnetarëve gjermanë në kibbutz-e (bashkësi agrare në Izrael), ekzistojnë që prej më shumë se 50 vjetësh. Muajt e verës korrik dhe gusht janë sezoni kryesor, pasi në Gjermani janë pushimet e verës për shkollat dhe universitetet. Shumë vullnetarë që shkojnë për një vit në Izrael, gjatë këtyre muajve përgatiten për qendrimin e tyre që fillon në shtator.
“Interesi i të rinjve gjermanë për t’u përballur me kohën e nacionalsocializmit nuk është pakësuar përgjatë viteve, përkundrazi. Kemi gjithnjë më shumë kandidatë se sa vende, thotë Berhard Krane nga ASF. “Megjithatë lidhja biografike me brezin e luftës tek vullnetarët e tanishëm në Izrael është ndryshe nga më parë”, thotë ai. Një shërbim i tillë në Izrael shihej më parë edhe si distancim nga prindërit, të cilët në Gjermaninë e pasluftës preferonin të mos kujtoheshin për pasojat e terrorit nazist, thotë Krane, i cili nga viti 1987 punon si shef sektori për misionet në Izrael pranë ASF. Organizata dërgon vullnetarë gjermanë edhe në vende të tjera me të mbijetuar të Holokaustit. “Sot kureshtja për historinë e të moshuarve është shpesh motivi që i shtyn të rinjtë në këto misione. Edhe të moshuarit në Izrael ia tregojnë më me dëshirë brezit të nipërve historitë e jetës së tyre.”
Origjina ndryshon këndvështrimin për historinë
“Të rinjtë kanë sot qasje shumë më të larmishme ndaj historisë gjermano-izraelite, se sa 20 apo 30 vjet më parë”, thotë Christine Mähler, drejtore e ConAct, qendrës së koordinimit për këmbimet rinore gjermano-izraelite. Si strukturë e Ministrisë gjermane të Rinisë ConAct mbështet këmbimet e grupeve të të rinjve nga Izraeli dhe Gjermania. Çdo vit ofrohen 250 deri 300 programe për rreth 7.000 pjesëmarrës.
“Më parë në këto këmbime të rinjsh takoheshin me njëri-tjetrin pasardhësit e xhelatëve nazistë dhe të viktimave të tyre. Sot pjesëmarrësit kanë origjina të ndryshme, me rrënjë nga Italia apo Rusia.” Në programe nuk marrin tashmë pjesë vetëm të rinj hebrenj nga njëra anë dhe të krishterë nga ana tjetër. “Të dy shtetet janë zhvilluar në shoqëri multikulturore”, thotë Mähler.
Mision i preferuar në Kibutz
Që prej luftës së gjashtë ditëve në 1967, në të cilën Izraeli u sulmua nga fqinjët e tij arabë, Gjermania është një nga vendet nga vijnë pjesa më e madhe e vullnetarëve për punën në kibbutz-e, thotë Aya Sagi, drejtore e “Qendrës së Programeve për Vullnetarët në Kibbutz-e”. Vullnetarët vijnë nga gjithsej 50 vende, në 2012 numri i tyre ishte 1200. “Sidoqoftë vullnetarët gjermanë janë shumë më të ndërgjegjëshm për historinë se të tjerë dhe kanë më shumë njohuri. Ata sjellin edhe ndjeshmërinë e nevojshme për këtë.”
Takime që lënë gjurmë
Ella Enzmann, e cila prej përfundimit të shërbimit vullnetar në 2009, shkon një deri dy herë në vit në Izrael, tregon: “Në të vërtetë unë prisja që shumë njerëz të refuzonin të flisnin me mua, pasi vij nga Gjermania dhe do të ishte e vështirë”. Por banorët e azilit të të moshuarve në të cilin ajo ka punuar ishin treguar përkundrazi të entuziasmuar dhe kishin ngulur këmbë të flisnin gjermanisht me të. Kështu edhe Gretel Meron, prindërit e së cilës në 1942 u deportuan nga Frankfurt-mbi-Main nga nazistët në kampin e përqendrimit Lodz dhe u vranë.
Si do të vazhdohet pa të mbijetuarit e Shoah-së?
Se si do të vazhdojë puna e shërbimeve vullnetare gjermane në Izrael pasi të mbijetuarit e Holokaustit të ndahen një pas një nga jeta, për Berhard Krane nga ASF është një pyetje e hapur. “Atëherë në Izrael nuk do të ketë më asnjë me gjermanishten si gjuhë nëne”, thotë Krane. Ndërsa Christine Mähler nga ConAct është më optimiste: “Unë nuk shqetësohem. Këmbimet me Izraelin zgjojnë një interes aq specifik sa do të ketë gjithnjë mjaft të interesuar.”