Në vijim të vizitës së tij në Tiranë Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në këtë takim, sipas njoftimit për me shtyp të PD-së, bashkëbiseduesit shkëmbyne pikëpamjet mbi punën e bërë deri më tani dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë pas marrjes së statusit të vendit kandidat.
Basha i shprehu Barroso mirënjohjen për kontributin që ai dhe Komisioni Europian kanë dhënë që Shqipëria të arrijë në këtë stacion të rëndësishëm të integrimit europian.
Presidenti Barroso vlerësoi kontributin e Partisë Demokratike në qeverisje të vendit dhe reformat e ndërmarra që mundësuan ecjen përpara të procesit të integrimit europian, dhe shprehu mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për rolin e rëndësishëm të Partisë Demokratike në vazhdimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Basha siguroi Barroson se pavarësisht sfidave, Partia Demokratike mbetet e angazhuar vendosmërisht për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të ruajtur dhe konsoliduar standartet dhe normat europiane të demokracisë, lirisë dhe shtetit ligjor.
Leave a Comment
