Moikom Zeqo
Në Janar të vitit 1997 „National Geographic“ e Washington D.C. njoftoi se më 10 prill 1997 do të vinte në Amerikë shkencëtari dhe udhëtari i famshëm norvegjez Tor Hajerdall për një bisedë me rastin e 50-vjetorit të lundrimit me anijen prej papirusi të njohur me emrin „Kon Tiki“ në oqeanet midis kontinenteve, për të vërtetuar tezën se shumë më përpara se Kristofor Kolombi e Magelani, dhe me mjete primitive lundrimi, ka pasur lidhje midis kontinentit Amerikan, Afrikës, Azisë e bile Australisë.
Në prill 1947, kur Tor Hajerdalli qe 33 vjeç, nisi udhëtimin e tij me një guxim të pabesueshëm e triumfues. Ai e vërtetoi tezën e tij.
Ai botoi libra të jashtëzakonshëm që janë edhe të një shkencëtari të madh, po edhe të një shkrimtari të madh. Librat e tij janë përkthyer në 66 gjuhë të botës.
Një skulpturë gjigande nga ishulli i Pashkëve Hajerdalli e ka sjellur edhe në Washington D.C.
Lavdia e tij është në zenit.
Pavarësisht nga mosha prej patriarku prej 83 vitesh, Hajerdalli është i gjallë, veprues, kërkimtar i paepur. Norvegjia e ka shpallur hero, shumë akademi shkencore e universitete nga tërë bota e kanë bërë anëtar të tyre „Honoris causa“.
Para një viti Tor Hajerdalli me një kuriozitet të habitshëm erdhi të vizitonte Shqipërinë.
Në një mbrëmje në Durrës ime shoqe Lida, mbasi e kishte shoqëruar në Muzeun arkeologjik , dhe vajza ime Arnisa u takuan e ndenjën me Tor Hajerdallin e dolën në fotografi.
Arnisa i dhuroi librin e saj të parë poetik të porsabotuar. Arnisa është me fat: tani ka korrespondencë me Hajerdallin.
Vetëkuptohet që takimin me Hajerdallin në Washington D.C e prisnim me emocion të madh.
Interesi për ardhjen e Hajerdallit qe i jashtëzakonshëm – që prej dy muajsh qenë shitur biletat për të marrë pjesë në veprimtarinë e tij.
Në takim kishte shkencëtarë, personalitete të kulturës, studentë.
Tor Hajerdalli foli mbas shfaqjes së filmit kushtuar lundrimit legjendar me “Kon Tikin” ku ai cilësohej si një Odise modern i shekullit XX.
Ligjërata e Hajerdallit qe intelektualisht mbresëlënëse, plot ide të mëdha, humor njerëzor dhe modesti të vetëkuptueshme.
Ai paraqiti zbulimet e tij me anë të diapozitivave. Vuri në dukje se koncepti i piramidave si në Egjipt, në Babiloni etj. është i njëjtë me ato të zbuluara në Peru, në Guatemalë e tani së fundi edhe në Spanjë, e bile në Sardenja, çka tregon një komunikim ndërkontinental të këtij koncepti ndërtimor kultik.
Nuk është e rastësishme lindja e shkrimit në kontinentin amerikan që në shekullin e 12 para erës sonë, dhe në Evropë e Azi në shekullin e 16 para erës sonë, ose sistemi astronomik i njëjtë, ose skulpturat megalitike të përafërta.
“Planeti ynë është i vogël” – tha Hajerdalli.
Ai ka shkruar një libër të ri ku tregon se Amerika është zbuluar shumë shekuj më parë se nga Kolombi, nga fenikasit, vikingët – dihet që në Amerikë janë zbuluar gurë me shkrimin fenikas.
“Ky planet është shtëpia e vetme e popujve që janë vëllezër” – tha Hajerdalli. “Është një kulturë unike antropologjike me dallime të pjesshme, që nuk mohojnë të tërën”.
Mbas bisedës u takuam me Tor Hajerdallin.
Ai u kujtua në çast për takimin në Durrës me Lidën e Arnisën.
Unë e takoja për herë të parë.
– Jam një shkrimtar dhe arkeolog nga Shqipëria e vogël me tragjedi të mëdha, -i thashë.
Librat e tu të përkthyer në vendin tim kanë qenë tepër frymëzues për mua, për të bërë kërkime arkeologjike nën det e për t’i pasqyruar ato në pesë filma shkencorë – dokumentarë televizivë.
Ju lutem, ejani përsëri në Shqipëri – në Jug të Karaburunit, në Jon është Gjiri i Gramatës, me mijra mbishkrime e vizatime figurash njerëzore, stemash anijesh, amforash të skalitura në shkëmbej.
– “E di, e di, ma ktheu duke qeshur ngrohtësisht Hajerdalli.
Unë e di shumë mirë se Shqipëria ka një interes të madh për shkencën.
Ju shqiptarët keni një pasuri arkeologjike të shkëlqyer, keni traditë kulturore.
Mos e humbni shpresën.
Unë besoj te e ardhmja e Shqipërisë!“
I miri dhe i mrekullueshmi Hajerdall!
Padyshim që ai ishte në dijeni nga lajmet e mediave elektronike dhe shtypi botëror për situatën e llahtarshme të Shqipërisë.
Ndërsa shumë të tjerë janë nxituar t’i quajnë shqiptarët si njerëz “barbarë”, “primitivë”, “të pa kulturë”, Hajerdalli shprehet me dashuri e siguri të patundur, madje më jepte zemër edhe mua.
Mbasi na dha disa dedikasa në librat që mbanim në duar e dolëm në fotografi, u ndamë të mallëngjyer nga Hajerdalli, nga ky patriark madhështor, një nga më legjendarët e planetit që me dëshirën e tij e kish parë edhe Shqipërinë.
Në çastin e fundit të ndarjes unë e pyeta, se a do të vinte përsëri në Shqipëri.
Tor Hajerdalli më dëgjoi serioz, pastaj i ndritën sytë e duke tundur dorën e djathtë më tha me zërin e tij kaq intim për ne:
– Shpresoj të vij përsëri në Shqipëri! Mirupafshim!
– Mirëardhsh!
****
Botuar nga DITA. Botimi i parë, 12 prill 1997, Washington D.C.
Ne vitet ’70 edhe ne Shqiperi u botua libri i tij “Kon Tiki”. E kam pasur ne biblioteken time.Dukej si nje liber me aventura, por ishin ngjarje reale te pershkruara aq bukur.
Qe te kete ardhur ne Shqiperi ne vitin 1996 ose ne ndonje vit tjeter TOR HAJERDAL kjo eshte hera e pare qe e ndigjoj.
Si ka mundesi as nje media e shkruar dhe shikuar nuk e ka paraqitur.
Fatmiresisht librat e tij jane botuar edhe ne Shqiperi shume shpejt pas udhetimeve si: “Udhetim me Kon Tiki, Aku Aku ishulli i gjigandeve dhe Udhetimi me anijen Ra”.
Pamvaresisht se ky shkrim i perket vitit 1997, ne Washington D.C., meqenese ky shkrim eshte rishkruar tek gazeta “Dita” sot, 08.02.2018 nga autori, si i sakte qe eshte ne shkrimet tij me karakter historik dhe shkencor duhet te kishte theksuar, tashme, TOR HAJERDAHL ka vdekur ne moshen 87 vjeçare ne Itali me date 18.04.2002. Pra, s’ka si te duket neper Shqiperi dhe kudo tjeter.
Ka ardhur ne Butrint inconjito.E ka takuar vetem Auron Tare,kur ishte kujdestar Parku.