Austria e vendosur të mbështesë Shqipërinë në proceset integruese, e konkretisht në marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Një garannci e tillë iu dha sot Kryeministrit Edi Rama nga Ministri e Jashtëm dhe ai i Drejtësisë të Austrisë, Sebastian Kurz dhe Wolfgang Brandstetter, me të cilët zhvilloi një takim.
Kryeministri Rama i falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë. Kryeministri falenderoi Ministrin Kurz për nismën për t’ju drejtuar me një letër homologëve të tij në BE, për të mbështetur statusin kandidat për Shqipërinë.
Në takim u ndanë mendime rreth qasjes europiane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Rama rikonfirmoi pikëpamjen se është pikërisht aspirata europiane e të gjitha vendeve të rajonit që bëri që ky të jetë viti i parë në paqe. Rajoni si i tërë e kuptoi se Europa është më e rëndësishme se konfliktet. Por që kjo arritje të jetë e qëndrueshme, në bindjen e Kryeministrit Rama, kërkon shtyrjen përpara të bashkëpunimit rajonal dhe gjetjen e hapësirave të reja për të mbështetur edhe financiarisht, bashkëpunimin me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Austria si mbështetëse e rajonit mund të luajë një rol të rëndësishëm.
Në takim u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Kryeministri, nënvizoi se Qeveria është e vendosur në këtë sfidë jetike për shoqërinë shqiptare.
Ministri i Drejtësisë Brandstetter ofroi mbështetjen e Austrisë, në të gjitha përpjekjet e Qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Leave a Comment
