Taksa 15%, shumë e kripur

redaktor

E nderuara Dita! Ju uroj me zemër! Problemi që do ju shtroj është sa paradoksal, po aq edhe i vërtetë. Kam punuar e jetuar prej 20 vitesh emigrant në Greqi. Me kursimet tona, vendosëm të kthehemi në Shqipëri. Më parë blemë shtëpi në qytetin e Fierit. Por në Shqipëri ndodh e kundërta, jo të gjitha ato që ëndërron realizohen. Me keqardhje e them se kjo Shqipëri është ndërtuar mbrapsht. Konkretisht, vendosëm të kthehemi prapë në Greqi. Para se të iknim, vendosëm të shesim shtëpinë. Na erdhi një kliente me të cilën ramë dakord për të nënshkruar akt-marrëveshjen para noteres për shitjen e shtëpisë. Por çudia qëndron se shteti ishte ortak me shtëpinë time. Më shkoqur, nga përllogaritja e bërë nga noterja, unë i detyrohesha shtetit rreth 6 milion lekë (të vjetra) taksë për shitjen e shtëpisë. U habita! Unë kurseva duke shtrënguar rripin në emigracion. Mirë shtëpinë e parë e humba me piramidat e Sali Berishës, po këtu? Nuk jam kundër taksës, por jo kaq të kripur siç është 15%. Me keqardhje i kërkova klientit një mijë herë falje. I thashë se nuk mund t’i shes shtëpinë, se kam ortak shtetin. Tani ju jap të drejtë djemve të mi kur më thoshin se “do vijë dita, do ndërrosh mendje, se në Shqipëri është hajdutëri, se Shqipëria nuk bëhet”. U thashë të mos nxitoheshin në shprehje, se një ditë do të rregullohet. Por me vete thosha, kanë të drejtë. Se Shqipëria e shqiptarët kanë rënë pre e keqqeverisjes nga klasa politike e korruptuar nga të dy krahët. Me respekt.

 

Letër e nënshkruar

Vladimir Selamaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *