Dy ditë pas vendimit të qeverisë për të përgjysmuar taksën e makinave të vjetra, kryeministri Berisha justifikohet në Facebook. “Unë e di se mjedisorët nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. Por ne me ndalimin që i kemi bërë përdorimit të naftës D2, kemi shënuar një hap shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Gjatë muajve që vijnë, nga ndërtimi i unazës dhe Lanës, trafiku i qytetit do ketë përmirësime të reja shumë të mëdha. Një mjedis i pastër është objektivi ynë!”, shkruan Berisha në FB.
Jo shumë kohë më parë, taksat e makinave të vjetra u rritën po nga qeveria “Berisha”, ndërsa kryeministri e argumentoi këtë rritje me faktin se “është një kërkesë e Bashkimit Europian”. Por me afrimin e zgjedhjeve, ulja e kësaj takse është ndër lëvizjet e menduara nga qeveria për të marrë vota. Vendim i marrë të enjten në mbledhjen e qeverisë nuk është pritur mirë nga ambientalistët, të cilët thonë se kjo gjë do të ketë si pasojë rritjen e ndotjes në zonat urbane, rrjedhimisht pasoja në shëndetin e qytetarëve.
