Taksa e sheshtë dhe fabula me samarxhiun

J L

Një aktori i kërkuan njëherë ta bënte gjysmën e sallës të qeshte dhe gjysmën tjetër te qante. E gjeti, vuri skenën në mes të publikut dhe ndërsa tregonte një histori të dhimbshme, spektatorët mbrapa qeshnin me pantallonat e grisura…

Shyqyri Meka

 

Si një rrobë e kthyer, është rishfaqur debati mbi tatimin e sheshtë. Po djemtë e vajzat simpatike të KOOP, a do të rikthehen? Ah! Sikur lumi të rridhte dy herë në të njëjtat brigje!

Sjell ndonjë efekt rivendosja e taksës së sheshtë? Për fitimet e “oligarkëve” po, por asgjë për pagat deri 30 mijë lekë, të përjashtuara nga ky tatim. Interes negativ për pagat 50 mijë lekë, që aktualisht tatohen 5.2 për qind. Madje, edhe për ato të nivelit 90 mijë lekë, që tatohen 8.66 për qind. Vetëm pagat e larta mbi 150 mijë lekë mund të përfitojnë nga tatimi i sheshtë 9 për qind, premtim i PD.

Tatim 0,5 për qind të xhiros mbi biznesin e vogël? Bëni një llogari të thjeshtë të kuptoni që s’është veçse shaka në kohë vere!

Nxjerrja jashtë loje e mekanizmit të tatimit mbi fitimin në rishpërndarjen e të ardhurave nënkupton edhe epilogun e “dyluftimit titanik” me oligarkët e liderit të “Republikës së re”.

***

Rishfaqja e debatit mbi tatimin e sheshtë më kujtoi një episod nga 2007, kur propaganda e taksës së sheshtë 10 për qind i bënte demokratët me flatra. Për mua si ekonomist (mbuloja sektorin ekonomik në ERT) ishte e qartë se realiteti nuk i përngjante entuziazmit të tribunave. Përkundrazi, për kolegët e mi inxhinierë e juristë, që mezi prisnin të zbatohej taksa dhe t’u rriteshin pagat. Por nënshkruan borderonë e parë dhe gjithçka u shfry. Kur panë se pagat neto ishin ulur fërkuan sytë, më të zellshmit edhe mërmëritën mos unë, “komunisti”, kisha sabotuar reformat popullore të PD!

Si ishte e mundur që ndërsa tarifa e tatimit mbi fitimin bëhej e “sheshtë” dhe ulej ndërsa pagat tatoheshin më tepër?!

Sepse ekziston një aspekt teknik që publikut i mbahet në hije: nocioni i tatimit mbi të ardhurat degëzohet në tatim mbi fitimin dhe tatim mbi pagat. Për qëllime të pastra politike (në fakt, të pandershme) apo në mungesë të njohurive ekonomike të publicistëve, injorohet pikërisht segmenti i tatimit mbi pagat, i cili jo vetëm i sjell buxhetit më tepër të ardhura se tatimi mbi fitimin, por krijon edhe efekte sociale të forta.

Para tatimit të sheshtë zbatohej një sistem me shkallë progresive, si dhe një prag social për pagat nën 14 mijë lekë, të cilat nuk tatoheshin. Në përputhje me këtë praktikë, paga 30 mijë lekë (në masë për atë periudhë) taksohej 2,6 për qind, paga 40 mije lekë 3.25 për qind. Punonjësit me pagë 50 mijë lekë tatoheshin 4.6 për qind kurse ato mbi nivelin 90 mijë lekë, 7 për qind. Nga sa vihet re, të gjitha këto nivele që përbënin edhe bazën e portofolit të pagave publike apo të biznesit, taksoheshin dukshëm nën 10 për qind. Vetëm për pagat në nivelin 150 mijë lekë shuma e tatimit barazohej me taksën e sheshtë 10 për qind.

“Taksa Bode” kishte “rrafshuar” interesat e “miletit” që brohoriste. Dhe, si për të plotësuar këtë farsë demokratike, në krye të drejtorisë së tatimeve u gjend dikush pa lidhje me financat, ish punonjës i SHIK, i akuzuar për rrëmbim personi dhe vrasje!

Në terma absolutë, një punonjës me pagë prej 40 mijë lekë, (që në atë kohë mund të konsiderohej paga mesatare e administratës publike), duhej të paguante 4 mijë lekë tatim të sheshtë, në krahasim me shumën e tatimit 1 mijë e 300 lekë me sistemin progresiv. Pra, detyrohej t’i paguante buxhetit mbi tre herë më shumë. Tabloja në sektorin e biznesit privat paraqitej me më shumë ngjyra, që do t’i kishte zili edhe një ekonomi socialiste. Për të kompensuar uljen e tatimit mbi fitimin, pagat e biznesit ishin mbërthyer në “shtratin e prokrustit” pasi nuk mund të raportoheshin nën një nivel zyrtar. Në emër të luftës kundër evazionit fiskal, ishte shpikur një pagë bazë e detyrueshme sipas sektorëve dhe degëve kryesore të ekonomisë. Sikur kjo të mos mjaftonte, qeveria ishte kujdesur të përcaktonte edhe një numër punonjësish, të detyrueshëm për çdo subjekt të biznesit privat. Nga ulje të kostos së punës, kjo çoi në rritje të saj dhe të sigurimeve shoqërore.

Pavarësisht uljes së tarifës, shumica e bizneseve vijuan të paguajnë tatim fitimi paradhënie mbi bazën e të dhënave të tre viteve të kaluar pavarësisht ndryshimit të tarifës.

Iu rikthyem kësaj situate sepse është e rëndësishme të kuptojmë nga vijmë për të ditur se ku shkojmë dhe sa serioze janë premtimet që bëhen. Çfarë të reja do të sjellë rikthimi i taksës së sheshtë? Është kryer ndonjë analizë e përparësive të saj në dobi të punëmarrësve, të të ardhurave të buxhetit, të konkurrencës në treg? Apo, thjesht për populizëm dhe në mungesë të ideve, janë shfletuar defterët e pluhurosur.

Politikat tatimore përbëjnë “piramida” në kufirin e brishtë që ndan sot politikat e majta nga ato të djathta. Partitë e majta priren drejt skemave të tatimit progresiv për një politikë më sociale, për një rishpërndarje të të ardhurave sipas parimit kush ka më shumë të kontribuojë më shumë. Të djathtët, përkundrazi, preferojnë tatimin e sheshtë që stimulon çdo shtesë të kapitalit, pa u shqetësuar shumë për dallimet në nivelin pasuror. Konflikti, apo më mirë pandershmëria lind atëherë kur qëllimet e vërteta kamuflohen dhe tjetërsohen nën fraza populiste për të marrë votën. Nën dukjen e rreme të barazisë thelbi i taksës së sheshtë, sidomos në vendet e varfra, zhndërrohet në një mekanizëm të padrejtësisë sociale.

Një fabul për samarxhiun …

… Erdhi një samarxhi i ri në fshat dhe u befasua nga samarët gjithë gunga. Pa e zgjatur, iu fut punës të bëjë samarë me dizajn të sheshtë… Por, nuk shkoi kohë dhe entuziazmi iu fashit. Hajvanët e barrës e paskëshin kurrizin gjithë gunga nga puna dhe samarët e sheshtë u shkaktonin plagë.

Po t’i lemë fabulat dhe të këqyrim raportet reale.

Në sistemin tatimor progresiv aktual mbi të ardhurat personale, ekziston një mbrojtje sociale për pagat deri në 30 mijë lekë, të cilat nuk tatohen. Për këtë arsye, shkalla tatimore që aplikohet nuk është 13 për qind, siç abuzohet rëndom në media e podiume politike, por reduktohet. Pagat deri 30 mijë lekë nuk tatohen; paga 50 mijë lekë (që përbën pagën mesatare), tatohet 5.2 për qind; ajo 90 mije lekë tatohet 8.66 për qind dhe paga 150 mijë lekë 10.4 për qind. Pra, siç shihet, vetëm pagat e larta mbi 150 mijë lekë mund të përfitojnë nga tatimi i sheshtë prej 9 për qind.

Përfitojnë edhe punonjësit me pagë mbi 200 mijë lekë, për të cilat aplikohet një përshkallëzim i tarifës së tatimit, me arsyetimin si masë kundër evazionit fiskal. Ka pasur raste që kompani të ndryshme aplikonin paga të larta abuzive për të transferuar shuma fondesh jashtë vendit, apo për të shmangur tatimin mbi dividentin në masën 15 për qindë. (Bie fjala, nëna sanitare e një aksioneri, paguhej si këshilltare 30 mijë euro). Në rrethana të tjera, kur tatimi mbi dividentin është ulur nuk ka kuptim që pagat e punonjësve (jo administratorëve-aksionerë) të tatohen me tarifa që kapërcejnë edhe ato të tatimit mbi fitimin prej 15 për qind.

Tatimi mbi fitimin është i vetmi kontribut real i biznesit në buxhetin e shtetit. Të gjitha pagesat e tjera që kryhen prej tij e për të cilat ankohet pafund (përfshirë akcizat, taksat doganore, taksat kombëtare e lokale, kuotat e sigurimeve shoqërore, tarifat e ndryshme) përfshihen në kosto dhe barten ne çmimin e mallit. Si të tilla ato “rimbursohen”, duke iu rikthyer biznesit nëpërmjet  arkëtimeve nga shitja.

Me gjithë këto favore, nga tatimi mbi fitimin përftohen jo më shumë se 7 për qind të të ardhurave të buxhetit, shifër që është më e vogël edhe se kontributi i tatimit mbi te ardhurat personale 9 për qind. Pavarësisht se reklamohet si progresive, tarifa e ketij tatimi është e sheshtë, 15 për qind, pa asnjë “arkitekturë” të politikës financiare. Nuk ekziston kurfarë funksioni rishpërndarës, asnjë incentivë për të stimuluar degë prioritare të ekonomisë (siç mund të jetë bujqësia në kushtet e vendit tonë). Nuk ekzistojnë tarifa progresive për të tërhequr më shumë nga degët me rentabilitet të lartë (që përfitojnë edhe më shumë nga investimet publike), apo që përbejnë monopole natyrale. Edhe në propozimin e PD, risia qëndron thjesht te ulja e tarifës nga 15 në 9 për qind.

Çdo të thotë të barazosh tatimin mbi fitimet me tatimin mbi të ardhurat personale?

Ne pikpamje sociale, që thika të prese aq sa mbi të ardhurat e atij qe merr ushqimet me “listë pritjeje”, aq edhe mbi të ardhurat e atij që lahet në “vaskë floriri”. Si në komunizëm, pra, të gjithë të barabarte. Nxjerrja jashtë loje e mekanizmit të tatimit mbi fitimin në rishpërndarjen e të ardhurave nënkupton edhe epilogun e “dyluftimit titanik” me oligarkët e liderit të “Republikës së re”. S’na mbetet veçse të themi… na ishte njëherë një parti e spektrit të djathtë që zotohej t’ua merrte pasurinë të pasurve për t’ua dhënë të varfërve!

Se pari, njehsohet baza mbi të cilën llogaritet tatimi mbi fitimin me atë mbi pagat kur asnjë shenjë barazimi nuk mund të vihet mbi to. Ndërsa nocioni fitim, është diference midis të ardhurave dhe shpenzimeve, paga përfaqëson të ardhura bruto. Në raporte sasiore, nëse tatimi mbi fitimin prek jo me tepër se 10 për qind të të ardhurave të biznesit, në rastin e pagës godet pa mëshire 100 për qind të saj. Çështë ky moral politik të njehsosh tarifat e tatimit mbi dy baza te pabashkëmatshme e të vijosh te flasësh serbes për barazi ekonomike dhe sociale!?

Së dyti, të ardhurat nga paga shfaqen plotësisht të ekspozuara ndaj tatimit – fitimet e bilancit janë të mbrojtura e jo rrallë i dredhojnë tatimit nëpër “shtigjet” e evazionit.

Së treti, edhe pse kontribuon më pak në buxhet, biznesi përfiton shumë më tepër mundësi nëpërmjet investimeve publike të buxhetit, koncesioneve, ndërkohë që masat për mbrojtjen sociale që përfitojnë punonjësit jepen me pikatore.

Favore për biznesin e vogël?! Bullshit!

E dëgjoj Z. Basha tek i buzëqeshur kumton në takime se nën qeverisjen e tij bizneset e vogla do të paguajne jo 5 për qind tatim, siç “vuajnë” sot, por 0.5 për qind mbi xhiron!

Aktualisht, një biznes i vogël që xhiron 8 milionë leke (kufiri i sipërm i këtij biznesi) krijon jo më tepër por rreth 10 për qind fitim, në shifra 800 mijë lekë. Në se raporton këtë rezultat në bilanc (zakonisht, raporton më pak) detyrohet një shume tatim fitimi prej 800.000 x 5%=40.000 lekë.

Sipas propozimit pompoz, tatim fitimi është i barabartë me: 8.000.000 x 0.5%=40.000 lekë.

Këtë lojë luftash, do ta kishte zili edhe një ekonomist i “plepave”. Një pyetje reteorike me këtë rast: mashtron, apo e mashtrojnë Z. Basha?! Nëse është e para nuk përbën ndonjë risi, nuk është sefte ky premtim në hava. Nëse e mashtrojnë të vetët, përbën vërtet problem serioz që kryeministri alternativ të telendiset nga bashkëpunëtorët e tij.

Në mungese të një reagimi të komunitetit të biznesit të vogël rreth këtyre premtimeve shterpë, një koleg më tha: mos prit reagim, të  gjithë e kuptojnë që janë dëngla, askush nuk e merr seriozisht kryetarin. Bullshit!

TVSH – “gjiri” që ushqen qeverinë

TVSH është tatimi më “popullor” që e shoqëron qytetarin nga lindja deri sa ndahet nga kjo jetë. Pikërisht pse është kaq i shtrirë tarifa e TVSH nuk është as e lehtë as e sheshtë por varion nga 20, 10 apo 6 për qind mbi çmimin e mallit. Rreth 32 për qind e të ardhurave të buxhetit vijnë nga kjo taksë. TVSH bashkë me të ardhurat nga “simotrat” e saj, akcizat, sjellin rreth 42 për qind  të të ardhurave (raportet i referohen buxhetit 2020).

Depozitat e kursimeve nuk i nënshtrohen TVSH-së. Më e rëndësishme është të dihet që nuk i nënshtrohen as të ardhurat apo fitimet e biznesit. Ato janë bartës por jo tatimpagues të saj; asnjë qindarkë nuk del nga portofoli i tyre (me përjashtim të rasteve kur abuzojnë dhe paguajnë gjobat). Ato vetëm zbatojnë procedurat: blerësit paguajnë TVSH-në e shtuar në faturë mbi çmimin e mallit (prandaj quhet tatim i tërthortë mbi konsumin), bizneset kanë përgjegjësine ta derdhin në buxhet. Në se janë të gatshëm ta derdhin!

Nga buron atëherë, interesi i bizneseve për përjashtimin, apo uljen e tarifave të TVSH?

TVSH është, padyshim, një barrë që tkurr kërkesën, sikurse shmangia e tij nga subjekte të caktuar dëmton të ardhurat e buxhetit, deformon konkurrencën dhe tregun. Në moçalin e madh të korrupsionit, evazioni i TVSH përbën pjesën e luanit. Me marifetet për t’ju shmangur këtij detyrimi mund të shkruhen telenovela pafund. Qytetari duhet të ndërgjegjësohet se edhe nga një kafe që nuk kalon përmes kasës, i bën dhuratë shitësit një fitim (plus) 20 për qind.

Lidhur me zotimin paraelektoral te PD per të ulur tarifen e TVSH në 15 për qind, duhen sqaruar dy momente:

Sa e sa përvoja ndër vite kanë treguar se nga ulja e taksave vetëm disa thërrime kur të mbërrijnë te konsumatori në treg apo si të ardhura për buxhetin.. Është aksiomë, çmimet asnjëherë nuk kthehen në nivelin që kane qenë para aplikimit të tatimit përkatës. Gjeni një pushues të vetëm të dëshmojë se ulja në 6 për qind e TVSH në turizëm shkoi në favor të tij! Çmimet përbëjnë një kështjellë që nuk dorëzohet lehtë. E kundërta, po, tkurren të ardhurat në buxhet dhe fryhen fitimet e kompanive. Vetëm një konkurrencë e fortë, ose një regjim i tregut të rregulluar mund të ulë çmimet.

Një nisme serioze duhet me patjetër t’i jape përgjigje edhe nje pyetjeje tjetër. Të tregojë si do të kompensohet gropa e të ardhurave që krijohet në buxhet. Pasi premtohet një shumatore reduktimesh: mbi tatim fitimin nga 15 në 9 për qind mbi të ardhurat personale, nga 13 në 9 për qind mbi biznesin e vogël. Kaq deri tani, se fushata elektorale ende nuk ka nisur. Pastaj, në krahun e shpenzimeve, do të rriten subvencionet në bujqësi, pensionet, do te bëhen rrugë, shkolla… Ku do të gjenden burimet? Ah! po, do t’ua marrim oligarkëve, … mbase do të hedhim në treg edhe “çekun e bardhë”! Një aktori i kërkuan njëherë ta bënte gjysmën e sallës të qeshte dhe gjysmën tjetër te qante. E gjeti, vuri skenën në mes të publikut dhe ndërsa tregonte një histori të dhimbshme, spektatorët mbrapa qeshnin me pantallonat e grisura.

Harmonizimi i raporteve të TVSH është vërtet trimëri e madhe që mund të arrihet për një periudhë afatgjatë por vetëm me konsensus të gjerë dhe administrim të fortë. Çdo përjashtim nga rregulli i TVSH për produkte apo sektorë, vepron mbi “digën” tatimore siç veprojnë ujërat nëntokësorë. Aq më tepër, uljet e pragjeve dhe tavaneve (sa here janë ulur e ngritur) apo përjashtimet që premtohen sipas humorit politik të nevojave të ditës dhe fushatave elektorale vetëm sa e majisin situatën.

*Ekonomist

Share This Article
4 Comments
    • Nuk diskutohet qe Taksa e Sheshte ndihmon vetem milioneret dhe bizneset e medha ,me pake fjale.

      Problemi ketu eshte tek Rama, qe megjithse ka takse progresive ,
      ai te ardhurat nga Taksat sic i merr ,nuk i perdor per ritje pagash e pensioonesh,
      ne menyre qe te ritet kerkesa per konsum ne treg, por u kthen ato perseri Oligrakeve te tij,
      nepermjet investimeve ne Infrastrukture me PPP-te,
      dhe aty pervec qe i con paprate e taksave tek Oligraket , ai ben edhe vjedhjen,
      sepse i cmon ato investime me 10 fishin e cmimit.

      Por dihet ama se ate cmim e paguajne taksapaguesit shqiptare, dhe nuk marin azgje ne kembim

      Plus qe Rama ben edhe dicka tjeter , qe Taksen te cilen e paguajne qytetaret,
      ai e jep ta mbledhin Oligarket , nuk e lejon te mblidhet ne shtet,
      Sic ben psh., tek Ruga e Kombit, dhe nqs fiton zgjedhjet ai keshtu do i bej te gjitha ruget .

      Pra te ardhurat nga perdorimi i rugeve kombetare, nuk do shkojne ne shtet, e te perdoren per ritje rogash, pensionesh etj,
      por ne xhepat e Oligrakeve , per gjasme “Mirembajtjen e rugeve ” te cilat jane akull te reja.

      Kur ne fakt ate mirembajtje mund ta bente Bashkia e cdo qyteti, duke angazhuar nje grup punetoresh, me 1 inxhinjer , 1 teknik, me disa paisje dhe kaq —
      Dmth me keto shpenzime te vogla te Bashkise do vileshin te ardhurat e majme, qe sjell taksa e Ruges se Kombit apo edhe e rugeve te tjera.

      Dmth problemi eshte ketu mor vella: Taksat duhet te jene progresive,
      te pakten me 3 shkalle, sipas bizneseve,

      Por ama jo te mblidhet taksa nga bizneset private, dhe shteti te mari vetem Taksen e te ardhurave nga Taksa, sic ben Rama me lojerat e tij prej hajduti

      Plus p[astaj , qe taksat vertet duhet te jene progresive, por jo kaq te larta,
      sepse ato mbysin biznesin,dhe pervec kesaj duke qene se ky hajduti Kryeminsiter ,
      te ardhurat nga Taksat sic i merr ua jep prape milionereve nepermjet PPP-ve, ky varferon ne ekstrem njeriun shqiptar,
      dhe kjo ben qe ulet kerkesa per produkte te ndryshme ushqimore dhe sherbime te tjera,

      Gje qe con ne rijte te cmimeve te cdo lloj sherbimi, dhe produkte ushqimore, dhe rrit direkt varferine

      Pra ne kemi ne krye nje dinak, hajdut qe vertet ai perdor Taksen progresive,
      por ai nuk ka azgje te perbashket me programet e Partive socialsite,
      sepse ai sic e merr ate takse nuk e perdor per te zbutur varferine,
      pasi ne jemi vendi me i varfer ne Europe, dhe qeveria ketu duhet ti fokusoje te ardhurat nga taksat ne radhe te pare, pastaj te merret me investimet.

      Ne me tatim taksat progresive duhet se pari te luftojme varferine,
      dhe pastaj te shikojme per investime gjigande , ku 100km rruge fushore bejne 1.2 miliard dollare,
      sipas llogarive te Turqi -hesapit Kryeminsiter..

      Ndaj ky Kryeminsiter duhet te largohet nje ore e me pare,
      se ky e ka vendosur ekonomine Shqipere ne Sherbim te Milionereve , qe jane miqte e tij, dhe te xhepave te tij

      GJithe taksat qe paguajne Shqiptaret, Rama ua jep Milionereve te tij nepermjet PPP-ve

      Dhe natyrisht do vije Basha me kete program te takses se Sheshte ,
      e cila kuptohet qe ndihmon biznesin e madh–Por aty pastaj do shikojme ,
      qe nqs ky e regullon taksene tij qe ti pershtatet nevojave te popullit do kete sukses
      Nqs jo, do ngihet populli ta rrezojne edhe kete

      Se kjo eshte Demokracia, : Te jepet shanci , nqs nuk e ben iken .

      Por ama ky qe eshte tani, nuk duhet te qendroje me, se ky eshte hajdut i papare e i padegjuar –Ky ja merr edhe Fatos Nanos, qe vidhte kur shiste AMC tek CKokalis,
      Ndaj Rama duhet Patjeter te iki, se ky vjedh taksat e Shqiptareve,
      dhe nga keto vjedhje qe ky ben , kjo con ne ngritje cmimesh ne cdo gje,
      dhe e mbyt totalisht ekonomine tone ,
      dhe njeriut te varfer i merr shpirtin …

  • Nje shkrim problemor financiar me argumente te plota. Taksa e sheshte 9% eshte per oligarket. Kjo takse ka per qellim, favorizimin e tyre dhe te “analisteve” qe marrin paga me shume 000000 !

  • Pershendetje Shyqyri Meka!Lexova me shume vemendje kete shkrimin tend qe me pelqeu shume!Ajo gjysma e salles (shumica)vazhdon e ndoshta do te vazhdoje te qaje edhe nga qe ai “samari”me gunga nuk do ti hiqet nga kurrizi edhe per nji kohe te gjate
    Te pergezoi per shkrimin!
    Fatmir Xhamallati!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *