Taksa e tabelës për bizneset, në projektin e vitit të kaluar të paketës fiskale, ngriti debate për mënyrën e aplikimit dhe tarifën që duhej paguar. Këtë vit në draftin e paketës fiskale 2018 është përcaktuar një mënyrë e re e përllogaritjes së saj.
Taksa e tabelës funksionon në çdo bashki të vendit dhe paguhet nga biznesi si pjesë e taksave vendore. Në ndryshimet e bëra nga Qeveria mënyra sesi llogaritet kjo taksë në projektligjin e saj “Për taksat vendore” është huazuar nga modeli i Malit të Zi, ku në relacionin shoqërues shpjegohet se kjo mënyrë do të ndikojë në uljen e barrës fiskale të bizneseve që paguajnë këtë taksë.
Në themel të logjikës së re të taksës së tabelës janë marrë parasysh tre faktorë: lloji i tabelës së vendosur, sipërfaqja që zë tabela, ruajtja dhe kategorizimi i ndarjes aktuale që kanë bashkitë.

“Kështu, tabelat deri në një sipërfaqe të caktuar, taksohen në nivelin 100% të taksës. Mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje nga një sipërfaqe në tjetrën, niveli i taksës ulet në masat 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%. Gjithashtu, duke qenë se përgjithësisht tabelat ndahen në të thjeshta, me ndriçim dhe elektronike, niveli i taksës ndryshon me rritje sipas këtyre ndarjeve. Niveli më i lartë është për taksën e tabelës elektronike 100%, duke u ulur në nivelet 77% për tabelat me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta” thuhet në relacionin e qeverisë. e.sh/Dita
