Komenti i profesorit amerikan mbi taksën e sheshtë dhe llomotitjen mburravece dhe pa sens të Berishës për ngjashmëri me Reganin dhe konceptet e tij – ishte interesant dhe meriton zbërthim dhe analizë. Një nga konceptet e prekura aty është kthimi tek deficitet qeveritare “merr hua -dhe- shpenzo”.
Ata që kuptojnë nga historia e ekonomisë e dinë që defiçitet u frynë në mënyrë eksponenciale nën administratat Reagan dhe Bush, të cilat ulën taksat për të pasurit, duke premtuar reduktimin e shpenzimeve të qeverisë (por ky reduktim nuk ndodhi). Atëherë kostot e defiçiteve në këto kushte paguhen nga klasa e mesme në tre mënyra të rëndësishme: inflacion më i lartë (ndërkohë që pagat e tyre bëhen përherë e më me pak vlerë), pagesa e kostos së rritur të qeverisë (për përballimin e interesit mbi borxhin publik) dhe kostot e larta të huamarrjes private, (kur borxhi publik i merr paratë nga qarkullimi, para të cilat mund të ishin vënë në dispozicion për tregjet e kreditimit privat dhe që rrisin kostot e kredive për shtëpi, makina, pajisje dhe mallra të tjera të konsumit).
Në SHBA nga ky aplikim erdhi shtrydhja e klasës së mesme. Është logjike: Nëse të pasurit paguajnë më pak dhe të varfërit paguajnë më pak dhe ne nuk i shkurtojmë shpenzimet qeveritare ose rrisim defiçitin, atëherë diferenca duhet paguar, ju e imagjinoni, mbi kurrizin e punonjësve të klasës së mesme, të cilët punojnë shumë tashmë dhe janë ata që me të vërtetë kanë nevojë për lehtësim tatimor. Nëse ne që jetojmë në SHBA do të kemi reforma, nga ato duhet të përfitojë klasa e mesme, dhe jo ata që tashmë paguajnë më pak. Vlen e njëjta gjë në Shqipëri? Le ta shpjegojnë ekonomistët dhe të mos bëjnë kot më kot partizanët e Saliut për ndonjë fond OJF-je apo ndonjë rrogë pedagogu, por të flasin siç është për të folur.
Elis Xhanaj, Student Ekonomie