Taksat e reja që do paguajmë në 2014

anazapta

Kuvendi miratoi në fund të vitit që lamë pas projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014”, i cili tashmë është botuar dhe në fletoren zyrtare si dhe paktën e ligjeve financiare të lidhura me të. Deputetët diskutuan nen për nen për të gjitha projektligjet e paketës fiskale dhe amendamentet përkatëse të paraqitura nga grupet dhe komisionet parlamentare. Vetëm Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte depozituar 39 amendamente për secilin nga projektligjet e paketës fiskale, si dhe për projektbuxhetin për vitin 2014. Pjesa më e ndjeshme e debateve që ka shoqëruar për gjatë gjithë kësaj periudhe jetën politike, por jo vetëm, ishin ndryshimet e reja të taksave parashikuar në paketën fiskale të vitit 2014. Shqiptarët në fillim të vitit 2014 do të paguajë taksa të reja me disa ndryshime thelbësore. Po sjellim në vëmendje këto taksa dhe mënyra e pagesës së tyre, ku më të diskutuarat janë taksa progresive për pagat, tatim fitimi për biznesin dhe taksa e qarkullimit për karburantet.

 

Tatimfitimi për biznesin e madh, 15% nga 1 janari

“Tatimi mbi fitimin për biznesin e madh është 15%, nga data 1 janar 2014”.

Sipas Ministrisë së Financave, masa të tjera administrative do të ndërmerren paralelisht me këtë rritje norme, që të sigurohet mirëmenaxhimi i subjekteve të tatimit mbi fitimin, me qëllim minimizimin e evazionit fiskal për këtë taksë.

Kështu, së shpejti, menaxhimi i tatimpaguesve të mëdhenj do të bëhet nga kompani të veçanta auditimi, të cilat do të përllogarisin detyrimet tatimore në emër të tyre. Kjo masë synon, ndër të tjera, të heqë praktikën disavjeçare në Shqipëri të bizneseve shqiptare, të cilat mbajnë dy bilance, një për shtetin për të paguar taksa dhe një për vete me fitimin e tyre real tregtar.

Efekti financiar në të ardhurat e shtetit për vitin 2014 vlerësohet të jetë 3.5 miliardë lekë.

 

Taksa për biznesin e vogël

 

Aktualisht për bizneset e vogla aplikohet shkalla tatimore 10% e tatimit mbi të ardhurat personale dhe i kreditohet taksa e biznesit të vogël që është paguar në bashki dhe komuna. Në ligjin e ri për taksat vendore shkalla tatimore ulet nga 10% në 7.5%.

Për këtë arsye, tatimi mbi të ardhurat personale i biznesit të vogël në normën prej 7.5% e fitimit të tatueshëm (diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve të njohura fiskalisht) do të konsolidojë këtë taksë, duke e pastruar nga kreditimi i taksës së biznesit të vogël, si dhe i ofron lehtësi tatimore kësaj kategorie.

Përpos kësaj ka ndryshime thelbësore në mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së kësaj takse. Gjithashtu, kjo taksë do të jetë taksë vendore dhe do të mblidhet nga administrata tatimore qendrore për llogari të administratës lokale.

Njëkohësisht vendoset taksë fiksë 25,000 lekë për subjektet, me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit.

 

Tatimi mbi të ardhurat personale nga paga

Zëvendësohet taksa e sheshtë prej 10% me tatim progresiv, mban në konsideratë programin e qeverisë që 5% e të punësuarve në vend do të tatohen më shumë.

Taksimi progresiv konsiston në:

Të punësuarve me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj, nuk u ndryshon sistemi i taksimit; ata mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Paga 30 mijë lekë/muaji shërben si prag i parë i tatimit progresiv;

Pragu i dytë i prezantuar në formulë është paga mujore prej 100 mijë lekësh. Të punësuarit në Shqipëri, të cilët deklarojnë pagë mbi 100 mijë lekë/muaj përbëjnë 4.65% të totalit të të punësuarve.

Në këtë pagë, pra të punësuarit me pagë nga 30 001 lekë/muaj deri në 100 mijë lekë muaji, tatimi do të jetë 15% e diferencës së pagës me pragun e parë 30 mijë lekë, ndërsa të punësuarit me pagë mbi 100 mijë lekë do të kenë tatimin 10,500 lekë plus 20% të diferencës së pagës me pragun 100 mijë lekë.

Nga zbatimi i kësaj mase do të sigurohet mbështeja e shtresave në nevojë dhe e shtresave të mesme të popullsisë si dhe zbatimi i parimit ‘kush fiton më shumë paguan më shumë’. Të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë do të marrin subvencion në masën 10 % të TVSH-së, së paguar për produktet bazë të shportës së mallrave në shumën 1.1 miliarë lekë.

Efektet financiare në buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh të dhënat e vitit 2013, parashikohen rreth minus 0.8 miliardë lekë.

Maksimumi i normës efektive të tatimit nuk e kalon normën e tatimfitimit (15%).

Sipas këtij skenari, norma efektive e kalon masën 10% për pagat mbi 100 000 lekë. Kjo do të thotë se pagat nën 100 000 lekë do të taksohen më pak se me skemën aktuale dhe ato më të larta se 100 000 më shumë. Intervali i pagave 90 000-100 000 do të ketë normë efektive taksimi të njëjtë me taksimin aktual, prej 10%. Norma efektive llogaritet si përqindje mesatare e taksimit për intervalin më të ulët (loëer bound).

 

Norma efektive e takës progresive:

0-30 000: 0 për qind

30 001-90 000: <10 për qind

90 001-100 000 = 10 për qind

Mbi 100 001: >10 për qind

Mbi 190 001 = 15 për qind

 

Taksa e qarkullimit

Taksa qarkullimit për naftën dhe benzinën, nga bëhet 17 lekë/litri. Ishte 7 lekë/litri.

Rritja e taksës së qarkullimit pritet të sjellë rritje të çmimit prej 6.6% dhe 6% përkatësisht për benzinën dhe naftën. Efekti vlerësohet 5.6 miliardë lekë shtesë për vitin 2014 për zërin “Taksa kombëtare”.

Pas rritjes së taksës së qarkullimit për vitin 2014, problemi duket se do të lidhet me besimin nëse do të forcohet kontrolli për të mos lejuar rritje artificiale të cmimit të karburantit, nisur nga fakti që tregu i karburanteve ndër vite paraqitet abuziv në kurriz të konsumatorit, sipas ATSH. Kjo rritje çmimi mund të kthehet në risk me rritje të kostos së jetesës së konsumatorit që përdor makinë, në kushtet kur transporti publik është i pazhvilluar siç duhet por dhe kosto për bizneset.

Për këtë qëllim, ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nisur punën me kontrolle rogoroze në treg lidhur sa me cilësinë, edhe sasinë që tregtohet në pikat e shitjes, si dhe tek firmat e mëdha grosiste, për të cilat Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për praninë e kartelit që ka vendosur cmime të larta në treg.

Ky hetim vjen pas monitorimit në tregun e karburanteve për situatën në dëm të konsumatorit. Monitorimi në këtë treg ka evidentuar ndryshime në strukturën e tregut të karburanteve diezel 10 ppm dhe benzinë dhe një ecuri çmimesh fikse nga tre kompanitë e mëdha grosiste.

Nga të dhënat, tregu i importit të naftës dhe benzinës paraqitet me ndryshime të dukshme strukturore ku firmat grosiste kanë ndryshuar ndjeshëm pjesët e tregut në vitet 2010-gusht 2013, ku mjaft firma që dolën nga tregu i shumicës, janë cvendosur në shitjet me pakicë.

Çmimi i importit të dieselit dhe benzinës pati çmimin më të ulët gjatë muajit Maj, ndërsa vijoi me trend rritës pas tij. Më e rëndë mbetet fakti që ato nuk u reflektuan në çmimet e tregut të pakicës. Nga analiza për vitin 2012, pati disa ulje dhe ngritje të cmimit, por trendi i ndryshimit mbeti i njëjtë për të firmat grosiste, ç’ka ka ngritur dyshimin për marrëveshje të përbashkët. Këto luhatje të fshehta janë objekt i hetimit të Autoritetit të Konkurrencës në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve për periudhën janar 2010- gusht 2013.

 

Taksa e banesave

Hiqet tavani 10% i masës së taksave dhe tarifave të përkohshme që vendos këshilli bashkiak apo komunal. Taksa për ndërtesat e banimit para vitit 1993 do të qëndrojë e pandryshuar.

-Do të jetë 15 lekë/m2 për shtëpitë e para vitit 1993

– 30 lekë/m2 për shtëpitë e ndërtuara pas këtij viti

-Dyfishohet taksa e ndërtesës që përdoret për qëllime biznesi dhe qëllime të tjera

Ishte 200 lekë/ m2

Bëhet 400 lekë m2

-Për ndërtesat në pronësi apo në përdorim në territore të miratuara si fshatra turistike

Ishte 200 lekë/ m2

Bëhet 400 lekë/ m2

 

Akciza e cigares

Akciza shtohet me 10 lekë për paketë në tre vitet pasuese, 2015-2016-2017

Ishte 3500 lekë/ 1000 copë cigare

Ose 70 lekë për paketë

Bëhet 4500 lekë/ 1000 copë cigare

Ose 90 lekë për paketë

5000 lekë/1000 copë në 1 janar 2015

5500 lekë/1000 copë në 1 janar 2016

6000 lekë/1000 copë në 1 janar 2017

 

Akciza e pijeve alkolike

Nga 1 janari Pije të tjera alkoolike (NK S200)është 50 000 lekë/HL alkool anhidër bëhët 65 000 lekë/HL alkool anhidër.

Llogaritjet sipas përqindjes së alkoolit për Birrat

Nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200,000 HL në vit, 310 lekë/HL/gradë alkool.

Nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200 000 HL në vit, 710 lekë/HL/gradë alkool.

 

Akcizë edhe për pijet energjike

Nga 1 janari 2014 pijet energjike nuk do të jenë më pjesë e kategorisë “Pije Freskuese”, por do të konsiderohen si produkte luksi duke u taksuar me akcizë. Akciza do të jetë 50 lekë për liter.

 

Hiqet TVSH prej 10% e barnave

Në 1 prill 2014, TVSH-ja për barnat do të hiqet. Arsyeja kryesore e këtij propozimi është ofrimi i shërbimit shëndetësor dhe barnave me një çmim më të ulët te pacienti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *