Përshëndetje DITA! Problemi që dua të ngre ka të bëjë me fakte konkrete që janë në faturën e çdo shqiptari që u servir çdo muaj Telekomi, të cilave në këndvështrimin tim nuk mund t’u vë emër tjetër përvese “rrjepje”. Çdo shtetas, që ka një numër telefoni fiks, ka lidhur një kontratë, një pjesë e mirë e kontraktuesve kanë vënë firmën pa e lexuar (ky nuk është faj i Telekomit). Kur kemi lidhur kontratën me Telekomin, kemi paguar tarifën e lidhjes, ose më saktë instalimit. Pse vallë e merr tani çdo muaj taksën e pajtimit?! Nëse bëhet fjalë se Telekomi mirëmban linjën, kjo nuk shkon, pasi edhe elektriku mirëmban linja, bile me shpenzime më kolosale se këputja e një teli telefoni, por nuk merr taksë pajtimi. Elektriku riparon defektet, transformatorët, linjat e këputura e nuk na shënon shtesë pagese në faturë. Nëse telekomi mirëmban linjën, e bën për vete, për fitimet e biznesit privat e ne kemi detyrë që të paguajmë impulset. Aq më tepër tani, Telekomi dhe instalimet e reja po i bën falas.
Sikur të mos mjaftonte taksa e pajtimit familjar kësaj takse i shtohet dhe tvsh-ja. Pra taksë mbi taksë. Pasi shkruhet në faturë në fillim taksa e pajtimit, pas saj komunikimet lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare, mblidhen të gjitha bashkë dhe kësaj shume i shtohet dhe tvsh–ja 20%.
A ka ekonomist të na mbushë mendjen se pajtimi familjar nuk është taksë dhe nga ana tjetër se dhe për taksën duhet mbajtur t.v.sh.? T.v.sh. – ja vetëm për këtë taksë, sikur të mos harxhosh asnjë impuls është 703.2 lekë në vit për familje, dhe për 5000 familje shkon në 3 milionë e 516 mijë lekë, natyrisht të reja. Po në shkallë kombëtare?! Ndaj me këto argumenta të përmbledhura, pa folur për të tjera, si fjala vjen futja e pagesës dhe kur kërkon një numër te 124-a, do të thosha se telekomi po na “rrjep” për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër.
Email nga adresa: [email protected]