Gurjan Doçi
Siç po duket, opozita më në fund po ndërton një bosht, që po identifikohet me të majtën si koncept dhe ideologji. Nuk është opozita e djeshme, e cila nuk kishte as program, as frymë e nuk krijoi e në fakt nuk ofroi asgjë ndryshe nga e djathta. Nga e djathta e djeshme dhe ajo e sotmja. Por pas zgjedhjeve të 2009-s, opozita po duket se nuk po noton më në ujëra të trubullta.Tanimë ka platformë, ka program, ka ideologji. E në frymën e kësaj, një nga propozimet që ka bërë PS-ja kohët e fundit është taksa progresive.
Propozim konkret, i mirëstudiuar, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Në kushtet e Shqipërisë, për ekonomine e saj të brishtë dhe të zhytur në borxhe duket se një fije shprese për të mos përfunduar në llomotitje si Greqia është ndryshimi i taksimit. Duhet bërë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj padrejtësi në mënyrë që të mos preket fundi i shkatërrimit të Shqipërisë. Kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë. Nuk është ligjësi shkencore e as urdhëresë fetare, por ama mbi këtë taksë janë ndërtuar shtetet që sot i quajmë shumë sociale. Taksa e sheshtë nuk është për Shqipërinë. Nuk është se ka sistem taksimi të keq apo të mire, por ka implementim të mirë dhe implementim të keq.
Taksa e sheshtë nuk mund të implementohet në një vend ku gati 80 për qind e popullsisë jeton nën mesataren e të ardhurave që ka BE-ja për frymë. Sepse kjo quhet shtypje. Nëse për një person me të ardhura të larta, taksa e sheshtë do ishte thjesht e vetëm një kontribut i vogël për shtetin, për një person me të ardhura minimale kjo taksë do i hiqte kafshaten e bukës nga goja. Kështu gjasat janë që një pjese të mirë të popullsisë i është hequr kafshata e bukës nga goja.
S’mundet asesi që një milardier që jetën e tij e bën si nëpër përralla të paguajë po aq sa një i varfër që rreket e përpiqet dita-ditës për të mbijetuar nga kjo gjendje mjerane ku është hedhur Shqipëria. Kjo taksë është vetëm shfrytëzim me kuptimin e parë të fjalës. Ministri i Financave e mbron këtë taksë me fanatizëm, sepse kështu ai suvencionon miqtë e tij të ngushtë milardiera, me të cilët jo rrallëherë pozon në lokalet më luksoze të Tiranës.
Edhe kryeministri është kundër e na e quan taksë marksiste. Patjetër që është kundër, se nuk do dojë kurrsesi që fëmijët dhe oborrtarët e tij milardierë të paguajnë me shumë. Taksa e sheshtë e mban ekonomine të qëndrueshme nëse fuqia blerëse është e qëndrueshme si dhe nëse pagat janë po aq sa paga mesatare e BE-së. Po a kemi ne fuqi blerëse të qëndrueshme, po pagat a janë mesatarisht sa ato të BE-së? Patjetër që jo. S’është as njëra, e as tjetra. Fuqia blerëse ka rënë në nivele kritike duke e vënë në një situatë të vështirë ekonominë tonë.
Pagat janë disa herë më të vogla se të BE-së, sepse buxheti ynë në krahasim me këto vende është asgjë presje diçka. Kështu që taksa e sheshtë nuk i rri Shqipërisë. Taksa progresive do sillte edhe fuqi më të madhe blerëse sepse atë kusur lekësh që do të kursenin nga taksa e sheshtë, do kthehej në shpenzim për të rritur mirëqenien. Ky propozim i PS-së duket se e ka frikësuar maxhorancën. Kjo vjen edhe për vetë faktin se taksa progresive po gjen mbështetje të gjerë tek të gjitha shtresat. Duhet medoemos që t’i jepet një frymëmarrje ekonomisë sonë dhe taksa progresive është injeksioni i duhur.