Tallavaja e 7 marsit të mësuesit

redaktor

Ka vite që festën e mësuesit e festoj me një grup shokësh, ndonëse jemi në moshë pune, po të papunë. Edhe ky vit nuk ndryshoi. Si çdo mëngjes, pasi piva kafen, në kthim vërejta se shkollat po e festonin më datën 6 ngaqë 7 ishte ditë pushimi dhe aty për aty vendosa ta shijoj edhe unë këtë festim, sigurisht në distancë. Kudo dukej atmosfera e festës. Mësuesit më të qeshur dhe më të dashur, jo nëpër klasa ku presin nxënësit çdo ditë, po në oborr sa më afër portës hyrëse. Urimet s’kishin të sosur. Lulet, pakot, zarfet, lironin duart e fëmijëve dhe ngarkonin të mësuesve. Orët kalonin si pa kuptuar. Ra qetësia për një kohë të shkurtër kur nxënësit u futën nëpër klasa. Aty nga ora 10 u dëgjua nga altoparlanti, fillimi i festës. Në oborr u ndez gjallëria por tashmë nga nxënësit, ngaqë mësuesit qëndruan pothuajse brenda. Festa dhe argëtimi i fëmijëve zgjati pothuajse dy orë. U shpërndanë të gjithë dhe në oborrin e boshatisur por të mbushur gjithë mbetje shikohen punëtorët e shërbimit që luftonin për ta kthyer në gjendje të rregullt.

Edhe unë u largova dhe po mundohesha të bëja një gjykim për sa shikova dhe dëgjova në dy orë program për 7 Marsin. Me habi nuk dëgjova asnjë të fliste për festën, asnjë këngë apo recitim për shkollën, mësuesin. Jo, jo asgjë nga këto. Në dy orët e koncertit dëgjova vetëm-qaj moj minushe, qan syzeza, luaje shtatin, kërcen goca, kërcen plaka, ke veshur këpucë me taka, gocën e ka xënë dashnia, lal ma boni mendja etj etj. dhe vallen e Pinguinit. Kurrë nuk dëgjova një fjalë apo material për festën që festohej. Aq shumë u ngatërrova me sa dëgjova e pashë, sa që po dyshoja nëse isha pranë shkollës në festën më të bukur të arsimit, shkollës, edukimit e dijes, apo isha në ndonjë tallava… Ky është në përfundim gjykimi im, nuk e di si mendoni ju duke uruar që në shkollat e tjera të mos ketë ndodhur si në shkollën ku qëndrova unë. Dhe gëzuar nga mot festën e madhe 7 Marsin! Nga një mësues në pritje të punësimit.

 

Letër e nënshkruar,

Enver Dorda

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *