Gjyqtari hungarez Tamas Bognar është përcaktuar nga UEFA për të vendosur drejtësi në fushë, në duelin e Grupit H të Europa League, ndërmjet Skënderbeut dhe Besiktas.
Bëhet fjalë për një arbitër të niveleve të larta, që mban stemën e FIFA-s prej vitit 2009. Tamas Bognar e ka nisur karrierën mes “xhaketave të zeza” prej vitit 1995, duke gjykuar ndeshje të kategorive të ulëta.
Prej 2002-shit ai u emërua në kategorinë e dytë të futbollit hungarez, ku spikati me autoritetin në fushë dhe vendimmarrjen e saktë. Kjo bëri që në harkun e 4 vjetëve, arbitri të drejtonte ndeshje në elitë e futbollit. Prej vitit 2013 Bognar është përfshirë në listën e 12 gjyqtarëve profesionistë të Federatës Hungareze.
Ashtu si për Skënderbeun që debuton në fazën finale të kupave të Europës, edhe për gjyqtarin 36-vjeçar sfida e së Enjtes në Elbasan Arena është e para në fazën e grupeve të një evenimenti të rëndësishëm.
Tamas Bognar ka drejtuar ndeshje të të gjitha niveleve në arenën ndërkombëtare, ku më e fundit ishte sfida kualifikuese ku Izraeli mposhti 4-0 Andorrën.
Por, në Kupat e Europës, bilbili hungarez ishte emëruar vetëm për ndeshje kualifikuese në Champions dhe në Europa League. Në një prej këtyre rasteve, në Korrik të 2014-ës, Bognar gjykoi takimin e Laçit me Rudar Velenjen në turin e parë.
Pas barazimit 1-1 kurbinasit u kualifikuan 3-2 me penallti, duke regjistruar kalimin e parë në histori, të një turi në kupat e Europës.

E di ky albitri se Huniadi kishte mardhenie te shkelqyera me Skenderbeun!? Eh sikur t’a kishte emrin Huniad!