Tamburët e shiut

redaktor

Tek romani “Kështjella” Kadareja rrëfen për betejat e turqve rreth mureve të Krujës dhe kthimin e rraskapitur në çadra. Po herë-herë, tamburxhiu i binte tamburit në kohë të kthjellët apo shi dhe prapë turqit derdheshin mureve me shpata e qysqi të vendosur të zhvillonin betejën e radhës e duke shpresuar që kjo të ishte e fundit.

Po e filloj me një provokim të vogël, duke marrë shkas nga intervista e fundit e Nexhmije Xhunglini-Hoxha, që shkaktoi debat dhe harxhoi edhe më energji të reja “sqarimesh” nga kampet ideologjikë; e natyrshme që kështu do ndodhte. Për një pjesë si unë, qe kuriozitet fakti se Nexhmija qenka. M’u kujtuan fundvitet ’80, kur rastësisht në radio dëgjova lajmin se vdiq Lasgush Poradeci, të cilin sepse kisha idenë që pat vdekur qëkur, së bashku me erën poetike të viteve ’30. E kush s’e ka lexuar Perëndimin e Vagëlluar apo Vdekjen e Nositit, por ja që për vetë Lasgushin s’e dinim që paskësh qenë gjallë. Këtë ndjesi më dha edhe lajmi i intervistës së Nexhmije Xhunglini-Hoxha, më i rëndësishëm se vetë intervista. Komentuesit e sportit mediatik u ngutën të shkruajnë të tyren mbi këtë ngjarje, të shumtët duke kritikuar znj. Xhunga për herezinë e pakujdesshme; mjaft të tjerë rihapën debatin mbi krimet, dënimet, harbutërinë e diktaturës, etj., duke theksuar konceptin unik mbi liderin gjakësor e përbindësh e nevojën e tij gjenetike për kanibalizëm dhe gjah permanent. Tanimë, jo për faj të komentatorëve të zanatit porse kështu komandojnë kohët, gazetat janë shndërruar në një Facebook të madh, ku pazari i personit (dhe çmimi i tij) bëhen objekti më i debatueshëm. OK, gjithë fajet e regjimit t’i mbajë Nexhmija me Enverin, këta dy sadistët, shushunjat, kanibalët, përbindësha që morën më qafë këtë vendin tonë me histori pavarësie mbi 2000 vjeçare. A m’a lejoni provokimin e vogël tani? Po, atëherë le të supozojmë se meqë në këto 25 vjet reformat, planet, premtimet dhe anëtarësimet apo integrimet në Nato, BE e kudo,fut edhe emigrimet, nuk kanë sjellë rezultatet minimale, a nuk po e provojmë përsëri një socializëm të ri? Liderët aktualë i kemi ku e ku më të shkolluar e më liberalë se Enver përbindësh-kanibali. I kemi më demokratë dhe bota i do shumë, biles më shumë i do bota sesa ne. Sistemi aktual i zgjedhjeve është superdemokratik; nuk ka më fitore me 99%. Shefi i opozitës është çun i urtë, nuk i ndihet as zëri e jo të hajë njerëz si Enveri, kurse shefi i pozitës ka një foto duke ngrënë makarona, ky do jetë vegjetarian… Hë pra, zonja dhe zotërinj, pse mos të provojmë të rimbledhim tokat me kuç e me maç, tek e fundit s’po i punon më njeri! Mua në fshat më kanë dhënë dy dynymë që s’e di ku i kam, s’po më vjen keq fare t’ia dhuroj një kauze më të mirë. Kufijtë janë të hapur, 1 Majin s’e feston më kush; me këto kushte dhe me këta drejtues më demokratikë e më të shkolluar, shto lirinë bashkëkohore dhe triumfin e fjalës së lirë, me siguri do i nisemi me shumë avantazhe një forme më moderne të socializmit. Tek e fundit, a nuk janë reformat sociale të premtuara nga të tëra partitë së bashku një lloj socializmi i ri? Vetëm emrin sepse kemi frikë t’ia shqiptojmë… Shto edhe mimikën e vagët të ambasadorëve; jo, jo, nuk ia mban askujt… Gjëja e fundit që u shkon në mend aktivistëve politikë të qepur mirë do ishte përkrahja popullore. Përkrahja popullore ka dalë nga moda.

***

Me një shok takohemi “për kafe” 1 herë në javë. Më parë unë shitesha socialist pa teserë dhe ai demokrat me teserë; tani unë shitem i majtë dhe ai i djathtë; interesante metamorfoza! Veçse shoku im ka një ves patriotik, ndjek rregullisht emisionin Opinion. Atje u thënkan të tëra gjërat serioze që mundet të thuhen në Shqipëri, biçim agjencie certifikimi, si Standard&Poor’s dhe simotrat e saj. Edhe burri me kasketë në 21 Janar që fshihte diçka të dyshimtë atje u zbulua dhe u certifikua si atentator i mundshëm. Teorinë e Bing Bang në Shqipëri do e marrin seriozisht veç kur ta përfshijë në debat moderatori i Opinion dhe pronari i të dy subjekteve bashkë. Që ta marrin seriozisht, edhe kryeministri e ka zakon të shkojë atje. Pra, herën e fundit shoku im thotë se qenkësh diskutuar për shërbimin mjekësor. E kotë të harxhoj fjalë; do isha dakord që të mos quhet më shërbimi mjekësor, por tatimi mjekësor. Më pas qenkësh diskutuar për bombolat e gazit, qenkan të rrezikshme?! U dashkan pajisur pallatet me shkallë të jashtme siç bëjnë jashtë, unë zgjas kokën nga kafeneja dhe i tregoj Julianit që pallatet përballë nesh këtu “jashtë shtetit” nuk paskan shkallë të jashtme… Por edhe bindem që drejtoria e MKZ duhet të përfshihet në miratimin e projekteve për ndërtesat e reja. Në apartamentin që bleva në Tiranë projekti përfshinte një dritare kuzhine, ndërtuesi e ka mbyllur se për gallatë shtoi edhe një kat në shkallën fqinje, kështu që mua po më shpërtheu bombola më jepet shans i vetëm që të hidhem nga ballkoni… Më mbetet t’i ankohem vetëm drejtorit të MKZ, se certifikata e pronësisë, e premtuar që në 2006-ën kushedi kur do mbërrijë. Mbase e merr në shqyrtim moderatori i Opinion këtë punë e bën vaki që zgjidhet. Unë dhe shoku im përkëtej detit kujtojmë se jemi patriotë duke debatuar gjithnjë për gjëra që nuk ka (ose nuk ekziston) perëndi që t’i zgjidhë. Më tregonte njëherë një i afërm në Amerikë kur qenë mbledhur në 28 nëntor në darkë patriotike dhe e kishin ftuar të kthenin një gotë me fund dolli për atdheun. Kunati kishte refuzuar e thënë shkoqur se e tërë gjindja atje ishin një m..t atdhetarë e patriotë, duke qenë se ia kishin mbathur me familje e prokopi në fund të botës. “Hë mo, se do kthehemi” – i them unë që ta mbaj me gajret. Kush do kthehet? Sidomos ku? E mbi të gjitha, përse? Për kronikë, vitin e shkuar pjesëmarrja për person kushtonte 60$, jo kushedi se çfarë për një patriot të vërtetë! Po a kanë mbledhur fonde ndonjëherë për të lyer me bojë, fjala vjen, shtëpinë e jetimëve në Tiranë? Jo ore, çne, merren patriotët me kësilloj imtësirash?!… Në fakt, ka pasur një rregull mes shoferësh të vjetër, që makina zbret me po atë marsh që është ngjitur. Pak a shumë si në vargun e bukur të Breht: “Mundimet e maleve i lamë pas, përballë nesh mundimet e fushave”. Përshtypja e përgjithshme është se demokracia e fillimviteve ’90 do ishte e lehtë. Emigrimi do zbuste klimën e reformave dhe deri vonë e ndihmoi vendin tonë në aspektin ekonomik, por e dobësoi në shëndet dhe kjo do shihet më qartë në harkun e njëzet vjetëve që vijnë. Prandaj e gjej të tepërt të flas për shërbimin mjekësor, sepse njeriun më shumë e mundon gjendja psikologjike. Këtu futen të gjitha mëkatet e djeshme dhe të sotmet, fajet e diktaturës së vjetër dhe asaj të re, sepse këto faje detyruan emigrimin masiv dhe po këto faje po e shndërrojnë emigrimin si zgjidhje e përhershme. Slavoj Zizek e përmbledh fundin e regjimeve të Lindjes në një barsoletë polake të asaj kohe. Shkon klienti në një dyqan dhe i drejtohet shitësit: “Me siguri ju ka mbaruar gjalpi, apo jo?” Shitësi ia kthen: “Dyqani që ka mbaruar gjalpi është ai përballë, këtu është dyqani që ka mbaruar letra higjienike”. Në librin e Zizek “Trouble in Paradise” (Probleme në Parajsë) problemi themelor i shoqërisë së sotme mbetet papunësia dhe e pamundur të zgjidhet si problem, pasi vetë papunësia sipas Zizek është një formë shfrytëzimi e përdorur si shantazh ndaj të punësuarve. Sot, e thënë më troç, pronari i kujton të punësuarit që nëse s’i pëlqejnë kushtet dhe paga të ikë, se po presin tek dera një mijë të tjerë. E quajtur edhe “ushtria industriale e rezervës”, forca e papunë doemos bie pre e depresionit dhe e pasigurisë për të sotmen dhe të nesërmen; ja pra, të sëmurët artificialë që i shtohen gjendjes prej të sëmuri kronik të atij që ne e quajmë me krenari Atdhe, por më shpesh e lëngojmë duke i kërkuar, pa i dhënë asgjë në këmbim. Ashtu siç thotë Brehti në vargun e tij, mundimi ynë i madh nuk qenkan malet që lamë pas, por fushat që kemi përpara. Jemi shumë të përçarë për t’i kapërcyer.

 

Share This Article
5 Comments
  • Tamburet e shiut…E bukur….
    A te kujtohet anekdota qe perfundon:
    Ra shi s’ra shi ..Njerin nga dhendurret do ta qajme moj grua !
    Ti o Besnik si mendon?
    Do te qajme ate qe ha makarona si ne kohen e Italise
    apo ate qe ha ngjala….?

  • Po mo Besnik ke te drejte, qe ata pallatet qe shikon ti perballe kafes nuk kane shkalle kundra zjarrit,por e di edhe qe nuk te lejojne te ndertosh me shume se 4-5 kate.Meqe ti ke blere shtepi ne Tirane e ke parasysh qe edhe ne ato te vetme shkalle qe ka pallati i semuri e i vdekuri duhet te zbresin vertikalisht. Sa per shendetesine nuk e kalove shpejt biseden, se edhe per kete pervec Saliut , na del me faj edhe emisioni Opinion. Po mire mo Besnik ,pse nuk i tregon se si me percolli shpejt mjeku i urgjences se spitalit duke thene : “s’ke problem me rendesi ,ver nje peshqir ne stomak e te kalon” e pas 1 ore ne nje spital privat kisha hemoragji te brendshme? Po ja pra pse ne bisedat tona une ia ve fajin popullit,sepse ne nuk merremi me problemin por kush e tha dhe kush e beri. Po nejse ,shiko kot merremi ketu me biseda boshe ,po mendo per ndonje koncesion qe ka mbetur bosh e shko e beje ne Shqiperi. Nuk po shkruaj me shume se pastaj Partia do te te beje verejtje pse rri me demokrate. Pershendetje

    • Ky djali mezi po pret qe te dale libri i demo demushit qe ta lexoje. Po demoja nuk e boton dhe as e shkruan, as nuk e ka akoma ne mendje Biblen e dyte qe do shpetoje boten nga kataklizma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *