Letër e nënshkruar,
Përparim Shullazi
Kryeministri shqiptar Edi Rama e zbukuroi kuq e zi, në ngjyrën kombëtare të flamurit shqiptar, edhe Preshevën. Na qoftë e mbarë! Ka jetuar gjatë në zemrat e shqiptarëve të asaj treve historike dhe heroike ndrydhur, por e paharruar dhe e pavdekshme aspirata, dëshira, po edhe dashuria për atë simbol të mbartur e trashëguar brez pas brezi qysh nga koha e lavdishme e Skënderbeut. Vlerësimet për këtë eveniment normalisht që priten e mund të jenë të ndryshme e pse jo edhe të polarizuara. Por kujdes! Të mos harrojmë, pas rreth 7 dekadash një lider shqiptar, kryeministër socialist shkon në Beograd, dhe flet sy ndër sy jo për Shqipërinë e madhe, po për rrugën europiane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Një rrugë e përbashkët me Serbinë e Maqedoninë dhe vendet e tjera të gadishullit tonë. E gjej mjaft kuptimplotë devizën e profesor R.Qosja se “Edi Rama është një lider ballkanik që u prin shqiptarëve në kahje të Europës”. Po, e thanë qartë, madje me sportivitet rivalizues të dy kryeministrat se si Shqipëria edhe Serbia duan dhe do të shkojnë bashkë në familjen e madhe që quhet “Europë e bashkuar”. Natyrshëm që kjo kërkon guxim, kurajo dhe koshiencë humane për të lënë pas mospajtimet e ngarkesat e së kaluarës. Nga ana e saj Shqipëria e dha provën fort suksesshëm dhe tani është radha e Serbisë të manifestojë të njëjtin vullnet, mirëkuptim dhe emancipim. Le të shpresojmë se Rama dhe Vuçiç do të jenë atletët e parë evropianizues të Shqipërisë dhe të Serbisë!
