Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë si i ftuar nderi në natën finale të ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13-të Filmit shqiptar, aktori i mirënjohur italian Remo Xhirone (Remo Girone).
Publiku shqiptar e njeh atë më së tepërmi për rolin e tij të famshëm në serialin “La Piovra”, ku Girone ka portretizuar më së miri mafiozin Tano Karidi. “Ishte hera e parë që u trajtua aq hapur në një film historia e mafias për të cilën më pas u fillua të flitej edhe në shtyp”, është shprehur aktori duke shpjeguar popullaritetin e serialit.
Ndërsa për personazhin e tij ka pohuar se e ka bërë të suksesshëm sidomos me gratë sepse atyre ju pëlqejnë burrat e fuqishëm dhe se me gjithë negativitetin e tij, ai ka qenë interesant sepse kishte karakteristika humane.
“Kinemaja italiane mban një qëndrim mjaft kritik ndaj politikës në Itali. Megjithatë kinemaja dhe filmi kanë ndryshuar. Ajo industri kinematografike e mëparshme nuk ekziston më sepse televizioni ka përfshirë të gjitha gjërat që bëheshin më parë nga kinemaja. Kam mbaruar Akademinë e Teatrit në Romë dhe për shumë vjet bëja vetëm teater sepse karriera e atjeshme më jepte më shumë siguri. Tani nuk është e njëjta gjë, por sidoqoftë mendoj të kthehem sërish tek teatri ku kam luajtur shumë role, por mbase pas pak kohësh”, theksoi aktori italian.
Megjithëse ka pohuar se kjo është vizita e tij e parë, ai është shprehur se nuk do të përjashtonte faktin që të bënte një film edhe në Shqipëri nëse i bëhet një ofertë e tillë e cila përmban edhe skenarin e duhur. (TCH)