Qeveria shqiptare miratoi në parim tekstin e marrëveshjes mes tre vendeve: Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për gazsjellësin TransAdriatik (TAP).
Ndërsa e ka vlerësuar si historike marrëveshjen bilaterale mes tre vendeve si historike, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon.
“Gazësjellësi TAP do të transportojë gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, në Europën Perëndimore dhe që kalon në territorin shqiptar në rreth 200 km dhe përfundon në Itali. Gazësjellësi TAP është projekti më i leverdisshëm nga të gjitha projektet e tjera. Leverdia e Shqipërisë për këtë projekt është jashtëzakonisht i madh por edhe angazhimi i saj ka qënë i madh gjatë këtyre viteve. Shqipëria merr një pozicion nervagjik në fushën e energjisë në rajon pasi vetë pozicioni gjeografik është shumë i rëndësishëm dhe është jo vetëm një vendkalim i gazsjellësit drejt Italsië po ekziston një potencial që gazi krahas trajktores së tanishme gazi të shkojë deri në Ballkanin e Veriut” tha kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se ndërtimi i gazësjellësit TAP është një shans shumë i madh për Shqipërinë, pasi do ketë mundësi të ndërmarrë gjatë mandatit që vjen gazifikimin e vendit, që nënkupton përdorimin e gazit për ngrohje dhe gatim.
“Do ketë shpenzime më të ulëta për çdo familje për ngrohje e gatim, pra rritje të mirëqenies për shqiptarët”- tha Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha, marrëveshja e cila miratohet sot së bashku me projektin e Kaskadës së Devollit do e shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar.
“Kush do mund të imagjinonte ndonjëherë se në 2 projektet më të mëdha në historinë e vendit do kishte peshë kryesore një prej vendeve më veriore të Evropës, Norvegjia”, shtoi më tej Berisha.
Projekti TAP, që mbështet nga qeveria shqiptare kalon në Turqi, Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali. Një vendim përkatës pritet të merret në muajin qershor nga konsorciumi i Shah Denizit, që do të zgjedhë se cili midis dy projekteve në garë: TransAdriatik apo Nabucco West i cili e lë Shqipërinë jashtë rrjetit ndërkombëtar të gazit do të transportojnë gazin e Kaspikut drejt Europës.
Qeveria miraton listën e barnat e rimbursueshme
Qeveria gjithashtu miratoi sot listën e re të barnave të rimbursueshme, e cila është vlerësuar nga kryeministri Berisha si më e plota e hartuar ndonjëherë.
Sipas tij lista e re që miratohet sot ka 420 barna të para dhe 1020 alternative. Në listën e re, shtesa është 160 barna të para dhe 400 të tjerë shtesë në atë me barnat alternative.
“Lista është përgatitur me shumë përkushtim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISSH. Kënaqësi e madhe për mua të informoj shqiptarët se kjo listë që miratojmë sot është një nga më të plotat që ekziston. Kjo përmban si principe aktive 420 principe aktive, kurse si barna alternative lista ka dhe 1020 barna të tjera. Absolutisht një ndër më të plotat që ekziston, do të bëjmë gjithçka për zemrën e dhimbsur. Sot ka qytetarë që për shkak të burokracisë dhe papërgjegjshmërisë përballen me mangësira në shërbimin shëndetësor, por kjo s’ka asnjë lidhje me politikën tonë për të ofruar shërbimin cilësor më të mirë dhe ne e faktojmë këtë në përpjekjet tona të mëdha”- tha Berisha.
Sipas tij, në vitin 2005 për ketë listë paguhej 3.2 miliardë lekë, ndërkohë që sot është 8.4 miliardë lekë. “Buxheti i ISSH ka qenë 50 milionë dollarë, sot është 24 miliardë lekë. Ky është qëndrimi ynë ndaj shëndetit të njerëzve”- tha ai, duke akuzuar opozitën se gjatë qeverisjes së saj falimentoi ISSH.