Ekipet që punojnë për TAP në Shqipëri, duke përfshirë edhe kontraktorët dhe nënkontraktorët, po dhurojnë vullnetarisht gjak në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut (14 qershorit). Gjaku i dhuruar do të përdoret për rastet e emergjencave në Spitalin Rajonal të Korçës dhe spitalet e tjera pranë gjurmës së gazsjellësit.
Punonjës të TAP, Spiecapag, Renco-Terna, AVIS dhe shumë kontraktorëve dhe nënkontraktorëve të tjerë i janë përgjigjur kësaj nisme. Dhurimi i gjakut nisi në kampin e Floqit, në Korçë dhe po zhvillohet në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar duke u ndjekur nga mjekët.
Majlinda Mishaxhiu, Eksperte për Shëndetin dhe Sigurinë Teknike në TAP, u shpreh se: “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut është një thirrje për të drejtuar vëmendjen tek ata që kanë më shumë nevojë për gjak. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë solidaritet me personat që kanë nevoje të vazhdueshme për gjak dhe të tjerë që i duhet në një rast emergjence.”
Dhurimi i gjakut është i rëndësishëm për qendrat shëndetësore, sidomos gjatë verës, pasi numri i aksidenteve është më i lartë ndërsa talasemikët vazhdimisht janë në nevojë. Stafi i TAP dhe punonjësit e kontraktorëve vijojnë të dhurojnë gjak edhe në javët e muajt në vazhdim dhënë kontributin e tyre konkret për të ndihmuar qendrat shëndetësore përgjatë gjurmës së gazsjellësit.
Nevojat e Shqipërisë për gjak janë afërsisht 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
