Leja Zhvillimore Komplekse – Faza 1 për TAP (Gazsjellësin Trans Adriatik) aprovohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama. Leja Zhvillimore Komplekse – Faza 1 (LZHK – Faza 1) mund të konsiderohet si një prej lejeve, aprovimeve ose miratimeve më të rëndësishme që i janë dhënë TAP AG prej autoriteteve shqiptare dhe përfaqëson lejen e cila do të autorizojë TAP AG të fillojë aktivitetet e tij të ndërtimit. LZHK Faza 1 është aprovuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), autoriteti më i lartë në vend për planifikimin e territorit dhe është në përputhje me Ligjin mbi Planifikimin e Territorit, dhe vendimin e KKT për aprovimin e Planit Sektorial Kombëtar për Projektin TAP i datës 4 korrik 2013. Ky aprovim do të ndiqet nga një fazë e dytë gjatë së cilës pritet të bëhet lëshimi i Lejes Komplekse Zhvillimore nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në pjesë sipas të gjitha seksioneve dhe fazave të zhvillimit të sistemit të gazsjellësit TAP”. Aktivitetet e ndërtimit do të nisin me rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve dytësore dhe urave në Shqipëri duke nisur nga viti 2015 dhe kjo fazë do të ndiqet nga shtrimi i tubacionit të gazsjellësit dhe ndërtimi i faciliteteve të tjera lidhur me infrastrukturën e transportit të gazit. Shkëlqim Bozgo, menaxheri për vendin u shpreh dje se“ne jemi të nderuar që sot marrim aprovimin e autoritetit më të lartë shqiptar në fushën e planifikimit të territorit, Këshilli Kombëtar i Territorit”. Sipas tij kjo leje hap rrugën për fillimin e punës ndërtimore në Shqipëri. “Takimi i sotëm përfaqëson një hap tjetër madhor në bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Projektit TAP dhe ne shpresojmë që të bashkëpunojmë ngushtësisht në të ardhmen për ta bërë TAP një histori suksesi”, u shpreh Bozgo. TAP do të jetë një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri me një kosto ndërtimi rreth 1 miliard Euro. Gjatë ndërtimit të gazsjellësit, TAP do të krijojë mundësi punësimi për vendin – në fushat e ndërtimit, transportit dhe komunikimit, prodhimit dhe shërbimeve, tregtisë, financës dhe shërbimeve të biznesit si edhe do të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturës kyçe të vendit, siç janë rrugët. TAP gjithashtu do të krijojë mundësinë që Shqipëria të zhvillojë një treg vendor gazi dhe lidhje me rrjetet rajonale të gazit.
