Konsorciumi “Shah Deniz 2” ka përzgjedhur projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) kundrejt Nabukos për të transportuar gazin për në Europën Perëndimore. Janë agjensitë e huaja të lajmeve që e konfirmojnë një fakt të tillë, por që vendimi zyrtar pritet të merret nesër Ndërkohë, burime të rezervuara bëjnë të ditur se bashkë me projektin TAP, është miratuar si paketë edhe projekti tjetër, ai i degëzimit të gazjellësit nga Fieri drejt Kroacisë, i njohur si projekti Jonian Adriatik apo IAP. Kjo do të thotë që paralelisht me nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik, në vijën bregdetare shqiptare mund të nisin punimet për gazsjellësin që kalon në ultësirën perëndimore shqiptare drejt Kroacisë. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi në Dubrovnik u zhvillua ministeriali në të cilin kryediplomatët e Malit të Zi, Bosnjë- Hercegovinës dhe të Kroacisë iu bashkuan Shqipërisë, Italisë e Greqisë, duke firmosur publikisht memorandumin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve TAP dhe IAP.
Nënshkrimi i memorandumit u bë vetëm pak ditë para vendimmarrjes përfundimtare mbi projektin TAP, çka duket se ka ndikuar edhe më tej për përfshirjen në vendim të projektit të dytë që ishte parashikuar të ndërtohej nga qeveritë respektive të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë. Përzgjedhja e TAP si projekt fitues për transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës dhe miratimi i projektit IAP, e kthen Shqipërinë në një kryqëzim të rëndësishëm për energjinë në rajon dhe Europë. Nga ky projekt, Shqipëria ka përfitime direkte dhe indirekte. Investimi, vetëm në fazën e parë arrin në 1 miliard euro, ndërsa numri i të punësuarve arrin në 20 mijë. Përveç përfitimeve të mëdha në fazën e ndërtimit, projekti pritet të ndikojë rrënjësisht në zhvillimin ekonomik të vendit pasi garanton jo vetëm të ardhura të kosiderueshme në buxhetin e shtetit, por edhe siguron një alternativë energjetike, më ekonomike për qytetarët.
Ku kalon TAP?
TAP-i do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit greko-turk në Kipi, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik duke dalë përsëri në tokë në jug të Italisë. Duke qenë i projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 mmk në vit, TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të përforcojë sigurinë e energjisë së Evropës duke siguruar një burim të ri gazi.
Gazsjellësi pritet të mundësojë furnizimin me gaz natyror nga Azerbajxhani të një sërë tregjesh evropiane:
– Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin e disa vendeve të Evropës jug-lindore përfshirë Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe të tjerë.
– Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë i gazit në Evropë, siguron mundësi transporti të mëtejshëm të gazit kaspik për në disa nga tregjet më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.
