Për qeverinë socialiste, mbrojtja e trashëgimisë dhe nxitja e turizmit kulturor do të jenë objektivat që synohen të realizohen përmes rivitalizimit të monumenteve kulturore. Deputeti i PS-së, Auron Tare, shprehet në një intervistë për Shqiptarja.com se duhet një mënyrë e re menaxhimi që ka në bazë largimin nga projektet klienteliste.”Rivitalizim për ne nuk do të thotë kthim i monumenteve në restorante apo motele. Përkundrazi ne do të sjellim një shembull shumë të qartë mbi mënyrën se si këto Monumente do të bëhen më të vizitueshme pa prishur atë që është më thelbësore shpirtin e tyre. Rivitalizim për ne nënkupton një manaxhim me standarde europiane ku monumenti është parësori dhe jo qebaptorja e radhës ndërtuar në mënyrë klienteliste. Njerëzit e sistemit të Trashëgimisë që kanë firmosur për qebaptore në Monumentet e Kulturës sigurisht nuk mund të jenë pjesë e një Modeli të Ri që ne do të sjellim për publikun. Kemi një sërë projektesh shumë interesante të cilat mendojmë se do ta rrisin shumë cilësinë e turizmit kulturor”, shprehet ai.
Tare theksoi se qeverisja e re do të mbajë premtimet përsa u përket projekteve kulturore, duke u distancuar nga modeli i deritanishëm i premtimeve boshe në këtë sektor. “Publiku do të jetë dëshmitar i një ndryshimi rrënjësor në fushën e manaxhimit të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ky ndryshim do të bëjë që edhe turizmi kulturor të jetë i ngritur në standarde profesionale dhe jo në fjalët boshe të zyrtarëve të Ministrisë së sotme të Kulturës”.
Sipas tij, trashëgimia kombëtare do të menaxhohet nga një institucion i posaçëm, i cili do të përbëhet nga specialistë të fushës dhe jo militantë që shpërblehen me një vend pune.
“Do të ketë një institucion të vetëm, i cili merret me manaxhimin e trashëgimisë kombëtare, ku pjesa më e madhe nuk do të jetë administratë e kotë, por specialistë të fushës që përditë merren me mbarëvajtjen e monumenteve. Një veçanti e programit tonë të Trashëgimisë do të jetë përfshirja sa më e madhe e komuniteteve pranë zonave historike dhe kulturore, pasi mosangazhimi i komunitetit ka bërë që këto komunitete të jenë indiferentë për fatin e tyre. Sezonin që vjen, publiku do të jetë dëshmitar i ndryshimeve rrënjësore si në fushën e Turizmit Kulturor si në Manaxhimin e Trashëgimisë Kombëtare”, thotë ai.

Ne qofte se menagjohen trashegimite kulturore te Shqiperise, ne formen e menagjimit ku,PS kishte bashkite e qyteteve te Shqiperise si:Korçen,Gjirokastren,Vloren etj.ne te cilat vazhdimisht u shkatrruan ato,me natyre shqiptare,Qeveria e E.Rames duhet qysh tash te shpallet ANTISHQIPTARE.