Tarifa e regjistrimit 1600 lekë, dokumentet pranohen deri më 20 shtator

Dita

Kandidatët që janë pjesë e listës përfundimtare të fituesve të raundit të parë, kanë afat deri në datën 20 shtator për të kryer procedurat e regjistrimit në degën, ku duan të vijojnë studimet e larta për vitin e ri akademik 2016-2017.

Drejtuesit e universiteteve kanë shpallur gjatë ditës së djeshme dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzohen në këto afate pranë sekretarive përkatëse. Kandidatët që janë shpallur fitues në më shumë se një degë, duhet të zgjedhin se në cilën prej tyre duan të vijojnë studimet e ciklit të parë “Bachelor”. Çka do të thotë se çdo kandidat që është shpallur fitues në më shume se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në njërin prej tyre, duke bërë konfirmimin zyrtar online, ose pranë sekretarisë së fakultetit të përzgjedhur.

Ndërkohë që kjo degë nuk mund të ndërrohet më vonë. Pjesë e dokumenteve të dosjes së regjistrimit duhet të jetë edhe mandat pagesa e tarifës së regjistrimit për të fituar statusin e studentit, e cila për pranimet e këtij viti është përcaktuar të jetë 1600 lekë.

“Brenda datave 13-20 shtator kandidatët fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe pranë sekretarive mësimore ku të dorëzojnë personalisht, ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar nga ana e tyre dokumentacionin e përcaktuar”, bëjnë me dije autoritetet e arsimit. Me mbylljen e procesit të regjistrimeve, do të verifikohet edhe kuotat e lira, të cilat do të rihidhen në garë, për aplikimet e raundit të dytë. Edhe në këtë fazë, kandidatët që nuk kanë fituar ende një të drejtë studimi do të përzgjedhin 10 preferenca se ku duan të shpallen fitues.

Dosja e dokumenteve për regjistrim përfshin:
• Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe një fotokopje e këtij dokumenti.
• Fotokopje e noterizuar e Diplomës së Maturës Shtetërore, ose Dëftesës së Pjekurisë, e shoqëruar me certifikatën e notave , ose një Dëftesë/Diplomë tjetër të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar nga MAS.
• Mandat pagesën e tarifës së regjistrimit në programin e studimeve të ciklit të parë.
• Deklaratën shkarkojeni këtu të plotësuar në prani të sekretarisë mësimore nga kandidati fitues, si dhe dy fotografi personale. Krahas vërtetësisë së të dhënave, çdo kandidat duhet që nëpërmjet deklaratës me shkrim të konfirmojë se nuk ka aplikuar për t’u regjistruar në asnjë institucion tjetër të arsimit të lartë gjatë këtij viti.

Ndërkohë që duhet të deklarojë se nuk është duke ndjekur asnjë program tjetër studimi, pavarësisht faktit nëse është në strukturat publike apo private të arsimit të lartë. Sipas kushteve të vendosura në udhëzimin e regjistrimit, deri në përfundim të studimeve në degën ku është shpallur fitues, kandidati nuk duhet të aplikojë për studime në programe të tjera universitare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *