Në mbledhjen e radhës këshilli Bashkiak i Tiranës do të kalojë për miratim projektvendimin me tarifat e reja që do të aplikohen për shërbimet taksi, çmimet e të cilave ndryshojnë për ditët e javës, ditët e festave apo udhëtimet gjatë natës. Për 1.5 km e para tarifimi do jetë fiks, dhe jo i kushtëzuar nga minutat
Pranvera Kola
Zbardhen çmimet e reja për shërbimet taksi. Në mbledhjen e datës 28 shkurt, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të marrë në shqyrtim tarifat e reja të propozuara për shërbimet taksi. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara çmimet që do të aplikohen për shërbimet taksi. Çmimet e këtij shërbimi do të jenë të ndryshme për ditët e javës, festat zyrtare, si dhe udhëtimet gjatë natës. Në projektvendimin e ri që do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak është reduktuar distanca që do të tarifohet me 250 lekë nga 2 km në 1.5 km.
Për 1.5 km e para të udhëtimit shërbimet taksi do të aplikojnë këtë tarifë standarde, dhe jo tarifimet për minutë. Ky ndryshim vjen pasi “në distancën fillestare prej 2 km ishte përcaktuar tarifa 250 lekë (pa tarifën 50 lekë të lajmërimit), e llogaritur si lek/km, dhe jo lek/min me argumentin se për shkak të orëve të pikut kemi ulje të shpejtësisë dhe rritjen e kohës së udhëtimit dhe futja në funksionimin automatik lek/min do e rëndonte tarifën e shërbimit duke rënduar xhepat e konsumatorit”, detajohet nga ekspertët hartues të këtij projektvendimi.
Më tej edhe vetë sindikata e taksistëve organizoi një sondazh, në pyetësorin e të cilës pikat ku u përqendruan ishin: “A duhen ndryshuar tarifat e taksimetrit? Dhe me cilin variant të nisjes ishin dakord? Në përfundim të saj nga 634 të anketuar, të gjithë ishin për ndryshimin e tarifave dhe rreth 574 ishin pro ndryshimit të distancës fillestare, që nënkuptonte vënien në funksion të taksimetrit, sepse mbi 60% e lëvizjeve në ngarkesë të taksistëve bëhet në distanca më të vogla se 2km dhe të ardhurat e tyre varen nga kjo distancë lëvizjeje si rrjedhojë kemi një tendencë të rritjes së informalitetit, kjo kundra qëllimit tonë për mbrojtjen e konsumatorëve nga drejtues të ndryshëm abuziv dhe krijimin e kushteve për një konkurrencë të ndershme (përdorimi i taksimetrit)”, detajohet më tej në projektvendim.
Aktualisht kosto për njësi shërbimi e llogaritur sipas një formule të pranuar nga të dyja palët ka pësuar një rritje prej 10%. Kjo reflektohet në rritjen e kostos për njësi lek/km dhe lek/min dhe si rrjedhojë në tarifat sipas zonave A (brenda qytetit të Tiranës); B (jashtë vijave kufizuese të qytetit të Tiranës); C (shpejtësia e lëvizjes është më e madhe dhe ndalesat janë më të pakta).
Në mbrojtje të interesave të konsumatorit të pranohen ndryshime vetëm në përcaktimin e zonës fillestare. Kjo dhe për arsye të riskut të subjekteve taksi në ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe krijimin e radhëve të gjata të mjeteve në pritje të klientave.
Për mjetet e shërbimit taksi (4+1 vende)
ZONA E TARIFËS | DISTANCA PËR ZONAT E TARIFAVE
(Km) |
TARIFA
Lek/km |
TARIFA
lek/min |
Tarifa fillestare | 1.5 km e para | 250 lek/1.5 km | Nuk aplikohet |
Zona A | 5 km e tjera pas 1.5 km të para | 100 lek/km | 25 lek/min |
Zona B | 10 km e tjera pas 1.5 km të para +5 km | 85 lek/km | 21.25 lek/min |
Zona C | Mbi 16.5 km | 80 lek/km | 20 lek/min |
Tarifa për ditët e pushimit, festave zyrtare
ZONA E TARIFËS | DISTANCA PËR ZONAT E TARIFAVE
(Km) |
TARIFA
Lek/km |
TARIFA
lek/min |
Tarifa fillestare | 1.5 km e para | 300 lek/1.5 km | Nuk aplikohet |
Zona A | 5 km e tjera pas 1.5 km të para | 120 lek/km | 25 lek/min |
Zona B | 10 km e tjera pas 1.5 km të para +5 km | 95 lek/km | 21.25 lek/min |
Zona C | Mbi 16.5 km | 80 lek/km | 20 lek/min |
Tarifa për udhëtimin natën
ZONA E TARIFËS | DISTANCA PËR ZONAT E TARIFAVE
(Km) |
TARIFA
Lek/km |
TARIFA
lek/min |
Tarifa fillestare | 1.5 km e para | 300 lek/1.5 km | Nuk aplikohet |
Zona A | 5 km e tjera pas 1.5 km të para | 120 lek/km | 25 lek/min |
Zona B | 10 km e tjera pas 1.5 km të para +5 km | 95 lek/km | 21.25 lek/min |
Zona C | Mbi 16.5 km | 80 lek/km | lek/min |