Pranvera Kola
Dalin tarifat e studimit për të gjitha programet e nivelit të parë “Bachelor”, si dhe ato të nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor” për vitin akademik 2019-2020 në fakultetet e Universitetit Politeknik të Tiranës. Tarifat ndryshojnë në varësi të degës, si dhe ciklit të studimit që studenti ndjek përgjatë këtij viti akademik. Referuar tarifave të përcaktuara, kostoja që studentët duhet të shlyejnë për ndjekjen e këtij viti akademik në ciklin e parë, varion nga 25 mijë lekë, deri në 40 mijë lekë që është edhe tarifa më e lartë për degët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.
Ndërkohë që programet e nivelit të dytë kanë tarifa më të larta. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar koston e plotë vjetore që duhet të shlyejnë studentët e të gjitha viteve për të dyja ciklet e studimit. Për programet e nivelit “Bachelor” tarifa jepet e detajuar për 60 kreditet që përbëjnë të gjithë vitin akademik, ndërsa për programet “Master” tarifa jepet e detajuar për 1 kredit.
Programet e ciklit të parë
Programet e ciklit të parë të studimit, referuar nivelit 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, organizohen me jo më pak se 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e ciklit të dytë
Ndërsa cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar.
Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe nw programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës.
Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar.
Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Njohja e gjuhës së huaj dhe transferimi i krediteve
Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë ku ata aplikojnë. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht.
Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
Niveli i njohjes së gjuhës së huaj përcaktohet me akt nënligjor të ministrisë përgjegjëse të arsimit të lartë. Institucionet e arsimit të lartë mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional”, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”.
Tarifa e shkollimit në programet e ciklit të parë “Bachelor” për vitin akademik 2019-2020

Tarifat e shkollimit në programet “Master Profesional ” për vitin akademik 2019-2020

Tarifat e shkollimit në programet “Master Shkencor”për vitin akademik 2019-2020

