Tarifat që duhet të shlyejnë studentët e Histori-Filologjisë

Ornela

Edhe për këtë vit akademik një pjesë e mirë e studentëve të fakulteteve publike do të vijojnë të përfitojnë nga përjashtimi, apo reduktimi i tarifës së studimeve. Ky rimbursim i tarifës vjetore të shkollimit varet nga kategoria në të cilën përfshihet studenti, si dhe cikli i studimeve që është duke ndjekur.

Fakultetet kanë zbardhur tashmë udhëzimet si duhet të veprojnë studentët për shlyerjen e këtyre tarifave. Ndryshe nga vitet e mëparëshme, si dhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, edhe për këtë vit akademik, studentëve u janë lënë disa muaj afat për shlyerjen e tarifës. Sipas vendimeve të marra nga vetë institucionet e arsimit të lartë publik, studentët kanë afat deri në nisje të sezonit të dytë të provimeve që do të zhvillohet përgjatë verës për shlyerjen e tarifës vjetore të shkollimit.

“Afati përfundimtar i kryerjes se pagesës së tarifës së shkollimit, do të jetë deri në sezonin e provimeve të verës dhe në këtë sezon nuk do të paraqiten në procesverbalet e provimeve studentët që nuk kanë shlyer detyrimet e pagesës per vitin akademik 2020-2021. Të gjithë studentët duhet të pajisen paraprakisht me faturën e arkëtimit, sipas Urdhrit Nr. 95, datë 11.11.2009 të Ministrisë së Financave, e cila pasi nënshkruhet nga institucioni një kopje i dorëzohet studentit nga sekretarja e degës për të kryer veprimet në Alpha Bank. Paraqitja e faturës tatimore është kusht i domosdoshëm për veprimet në bankat e nivelit të dytë. Pagesa mund të kryhet, sipas deshires se studenteve, edhe prane zyrave te Postes Shqiptare”, bëjnë me dije autoritetet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Tarifat në ciklin e parë të studimeve “Bachelor”

Sipas kushteve të përcaktuara në vendimet e miratuara nga qeveria, edhe për vitin akademik 2020-2021, studentët që ndjekin një program të ciklit të parë të studimeve dhe që kanë mesataren mbi notën 6 dhe kanë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës, bëhet e ditur se do të paguajnë 50 për qind të tarifës vjetore të studimit, pra 15,000 lekë. Për studentët e vitit të parë do të merret parasysh lista e dërguar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Ndërsa studentët e po këtij cikli, por që e kanë mesataren nën notën 6 nuk do të ketë reduktim të tarifës së studimeve. Kjo kategori studentësh do të duhet të përballojë të plotë tarifën vjetore të shkollimit, e cila është 30,000 lekë.

Po ashtu, studentët e ciklit të parë (Bachelor) të cilët i përkasin kategorive në nevojë dhe që janë me nivel të ulët të ardhurash, si dhe ata që janë me mesatare 9-10, bëhet e ditur se nuk do të kryejnë asnjë pagesë për tarifën e shkollimit të vitit akademik 2020-2021.

Tarifat në ciklin e dytë “Master”

Studentët e ciklit të dytë të studimeve që i përkasin kategorive sociale në nevojë dhe që janë me mesatare 9-10, të cilët përfitojnë 50 për qind ulje të tarifës së shkollimit do të paguajnë 30,000 lekë për studentët e “Masterit profesional” dhe 37,500 lekë për studentët e “Masterit Shkencor”.

Ndërsa studentët e tjerë të ciklit të dytë që nuk përfitojnë ulje të tarifës do të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit për vitin akademik, tarifë e cila është 60,000 lekë për studentët e “Masterit profesional” dhe 75,000 lekë për studentët e “Masterit shkencor”.

Vendimi për provimet

Aktualisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qofshin publike apo private, procesi mësimor po zhvillohet online për shkak të gjendjes së krijuar në vend nga pandemia e Covid-19. Pavarësisht pakënaqësive të ngritura nga studentët, të cilët kanë nënshkruar edhe peticionin për rikthimin e tyre në auditore, procesi mësimor do të vijojë të zhvillohet online, teksa po rishihet mundësia që disa prej provimeve të sezonit të dimrit të cilat për shkak të specifikës së lëndës nuk mund të zhvillohen online, të mund të bëhen në audtore.

Universitetet kanë zbardhur tashmë rregulloren e posaçme së bashku me udhëzimet se si do të veprohet për zhvillimin e provimeve online. Ndërkohë që brenda kësaj jave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka deklaruar se do të ndërmarrë një vendim nëse për disa provime të caktuara studentët duhet të rikthehen për t’i zhvilluar nëpër auditore.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *