Përcaktohen tarifat e reja të studimit për të gjithë kandidatët që do të pranohen në programet e ciklit të parë “Bachelor” dhe ato të ciklit të dytë “Master” në Universitetin e Mjekësisë për vitin 2022. Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë ka miratuar tashmë tarifat vjetore për çdo program studimi, të cilat i gjeni të detajuara në tabelën në vijim të shkrimit.
Tarifat e ciklit të parë “Bachelor”
Sipas vendimit të marrë, ndjekja e studimeve të ciklit të parë në degën Mjekësi e përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji do të kushtojë 45,000 lekë. Ndërsa tarifa vjetore që duhet të shlyejnë studentët që do të pranohen në degët e tjera, si: Shëndet publik, Teknikë dentare, Higjienist dentar dhe Infermieri e përgjithshme do të jetë 40,000 lekë. Më lirë viti studimor do të jetë për kandidatët që do të pranohen në programet Mami, Fizioterapi, Teknikë laboratori, Teknikë imazherie dhe Logopedi, degë për të cilat tarifa vjetore e shkollimit është miratuar në vlerën e 35,000 lekëve. Kur studimet në këto degë do të ndiqen si program i dytë (fakultet i dytë), tarifa do të jetë disa herë më e lartë, përkatësisht 233,916 lekë. Tarifa për ndjekjen e programeve të dyta duhet të mbulohet e plotë nga vetë studenti.
“Studenti do t’i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët e ciklit të parë dhe të integruar të ciklit të dytë, të cilësuar në bazë të rregullores së Universitetit të Mjekësisë si: “përsëritës” do i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin po vazhdojnë studimet. Përsëritës do të konsiderohet çdo student që nuk ka plotësuar numrin e nevojshëm të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës”, saktësohet në vendimin e miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë.
Tarifat në ciklin e dytë “Master”
Ndërsa për kandidatët që do të pranohen për herë të parë gjatë këtij viti në programet e ciklit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master Shkencor” tarifat e studimit për program të parë variojnë nga 72,000 lekë deri në 105,000 lekë. Ndarjen e plotë të tarifave të miratuara për secilën degë të këtij cikli e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Autoritetet e Universitetit të Mjekësisë sqarojnë se në secilin rast është përcaktuar edhe tarifa që duhet të shlyhet për çdo kredit të lëndës për programet e ciklit të dytë.
Për studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program brenda kohëzgjatjes normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës, bëhet e ditur se për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik tarifën për kredit të lëndës përkatëse. Ndërsa studentët që kanë transferuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit në programin përkatës ku dhe janë transferuar. Shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet tek Mjekësia në një program të parë, apo të dytë studimi do i nënshtrohen të njëjtës tarifë studimi si dhe shtetasit shqiptarë, kjo me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit”, detajohet në vendimin e miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë.
Ndjekja e programeve të dyta të studimit
Personat që kanë përfunduar një program të plotë studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Kuotat e pranimit dhe tarifa e shkollimit për programet e dyta të studimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve.
Kushtet për transferimet e studimeve
Universiteti i Mjekësisë gjithashtu lejon edhe mundësinë për transferimin e studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të njëjta të të njëjtit cikël nga institucione të ndryshëm të arsimit të lartë. Si rregull, transferimet bëhen në vite të ndërmjetme dhe pranohen kandidatët me rezultatet më të larta. Kreditet minimale të domosdoshme për transferimin e studimeve janë 30. Vendimi për transferim bëhet në fund të vitit akademik për t’u realizuar në fillim të vitit akademik pasardhës. Procedurat transferuese përfundojnë në fillim të vitit akademik.
Konkurrimi për kuotat e 2022 në ciklin “Bachelor”
Ndryshe nga sa ndodh me institucionet e tjera të arsimit të lartë, për të hyrë në garë për vijimin studimet e larta të ciklit të parë në degët e Universitetit të Mjekësisë kërkohet një mesatare më e lartë studimi. Konkretisht në Fakultetin e Mjekësisë në degët Mjekësi, Farmaci në garë do të lejohet të hyjnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme së bashku me provimet e maturës duke nisur nga nota 8.5 dhe më lart, teksa në degën Shëndet publik kërkohet mesatare nga nota 8 dhe më shumë. Në Fakultetin e Mjekësisë Dentare në degën Stomatologji do të mund të konkurrojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të studimeve të shkollës së mesme duke nisur nga nota 8.5, ndërsa në degët Teknikë dentare dhe Higjienist Dentar në konkurrim do të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare nga nota 7. Më tej, për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike gara do të zhvillohet në gjashtë programe të ndryshme studimi që janë: Fizioterapi, Infermieri e Përgjithshme, Logopedi, Mami, Teknike Imazherie dhe Teknike Laboratori. Në të gjitha këto programe studimi do të mund të konkurrojnë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.5 dhe më lart.
Mesatarja e shkollës së mesme do të përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore. Për vite me radhë programet e studimit të Universitetit të Mjekësisë janë edhe ndër degët më të preferuarat në radhët e maturantëve, kuotat e të cilave plotësohen që në regjistrimet e raundit të parë të fituesve.
Krahas kriterit të mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurrim, më herët Senati Akademik ka miratuar edhe kriteret se si do të bëhet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të pranohen sipas kuotave të miratuara në çdo degë. Në këto kushte, përzgjedhja e fituesve do të përcaktohet nga tre kritere. Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore që vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj të këtij viti, ndërsa kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë. që vlerësohen me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar gjithashtu edhe koeficientin me të cilin vlerësohet çdo profil i shkollës së mesme në vend. Koeficientet sipas llojit të shkollës së mesme që kanë përfunduar kandidatët, janë për profilin gjimnaz i përgjithshëm 1.4, gjimnazet seksion dygjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht, si dhe shqip-gjermanisht po ashtu vlerësohen me koeficientin 1.4. Ndërsa të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme vlerësohen me koeficientin 1.
