Tashmë Londra destinacion me dy fluturime

redaktor

Emil Delibashev, drejtor i British Airways për Evropën Juglindore

Keni më pak se 10 vite që operoni në tregun shqiptar, si ka ecur ky shërbim, çfarë keni mësuar gjatë këtyre viteve në marrëdhënie me vendin tonë dhe çfarë keni ndërmend të shtoni në vijim?

Ka qenë e mahnitshme të rritemi së bashku me Shqipërinë këto 9 vitet e fundit dhe ne mezi po presim ta shohim të rritet edhe më tej në të ardhmen. Në të ardhmen e afërt, që nga 14 korriku i këtij viti ne do të shtojmë 2 fluturime mëngjesi nga Tirana drejt Londrës. Fluturimet e reja do të bëjnë të mundur lidhjen në të gjithë rrjetin British Airways, që do të thotë ndryshe 178 destinacione. Ne do të lidhim brenda të njëjtës ditë disa destinacione shumë tërheqëse dhe popullore për pasagjerët shqiptarë si Tampa, Orlando, Nju Jork, Çikago, Barbados, Kingston etj. Në rrugën e Tiranës jemi duke kaluar gradualisht në flotën tonë të re të avioneve Airbus 319/320, të cilët janë pajisur me kabinat e reja për fluturimet e shkurtra, dizajnin e ri të brendshëm, sediljet e lëkurës dhe ndriçimi krejtësisht i ri dhe i përmirësuar, janë vetëm disa nga karakteristikat kryesore në kabinat tona të reja.

Një problem që dëgjohet shpesh tek ata që janë të detyruar të udhëtojnë shpesh, por edhe tek të tjerët, është çmimi i lartë i biletave. Kur do të kenë edhe pasagjerët shqiptar një çmim më të lirë biletash dhe sipas jush, si arrihet kjo? A është e realizueshme?

Përllogaritja e çmimit të biletës është një proces shumë kompleks pas të cilit kemi një ekip të dedikuar dhe sisteme elektronike të sofistikuara. Ka shumë faktorë që duhet të merren në konsideratë gjatë përllogaritjes dhe disa nga ata janë krejtësisht jashtë kontrollit tonë të tilla si kostot e palëve të treta, kostot e furnitorëve, kostot aeroportuale, ndryshimet në çmimin e karburantit etj.. Aktualisht në Shqipëri ne ofrojmë një gamë të gjerë çmimesh në të dy kabinat tona si në atë ekonomike dhe atë të biznesit, duke filluar nga 228 euro biletë kthyese për në Londër pa përfshirë taksat e aeroportuale. Për të shtuar transparencën edhe më shumë ne kemi bashkuar tashmë taksën e karburantit me tarifat tona të fluturimeve të shkurtra. Ne jemi gjithmonë në përpjekje për të qenë konkurruese në kontekstin e produktit kryesor të aviacionit që ofrojmë.

Na tregoni pak për linjën tuaj, sa herë në muaj udhëton, cilat janë kushtet, çmimet dhe për të gjithë ata që duan të vijnë me British Airëays në Londër, cila është periudha më e mirë?

Si Londra dhe Tirana janë destinacione të mrekullueshme për t’u vizituar. Gjithsesi  kemi 2 sezone të larta shumë të dallueshme që janë në dimër nga dhjetori në janar dhe në verë nga korriku deri në mes të shtatorit. Do të ishte më e mira që veçanërisht për këto periudha, pasagjerët tanë të fillojnë të planifikojnë paraprakisht udhëtimin e tyre. Ndërkohë për pasagjerët që udhëtojnë kryesisht për arsye biznesi dhe mund të kenë ndryshim planesh në minute të fundit ne kemi bileta me fleksibilitet të lartë të cilat bëjnë të mundur ndryshime të biletës falas si dhe mundësinë për ta rimbursuar biletën plotësisht.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *