Krijohet Task-Forca e energjisë për qarkun e Tiranës. Në tryezën e përbashkët të organizuar nga prefekti i Tiranës morën pjesë ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, si dhe krerë përfaqësuesit e njësive vendore të qarkut.
Në fjalën e tij, prefekti Sadi Vorpsi, tha se Prefektura e Qarkut Tiranë ndërmerr iniciativën, që për çdo punonjës të administratës së saj, të kërkojë vërtetimin e pagesave të rregullta të faturave të energjisë elektrike.
“Brenda harkut kohor të 10 ditëve çdo punonjës i Prefekturës duhet të paraqesë pranë shërbimeve mbështetëse një vërtetim që nuk figuron debitor ndaj CEZ Shpërndarje. Për mospagimin e detyrimeve ligjore të energjisë do të merren masa të rrepta administrative deri në pushimin e tyre nga puna”, u shpreh ai.
Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë, u shpreh se Task-Forca është e vendosur për të ndërhyrë në lidhjet e paligjshme dhe mosfaturimet.
“Duhet të sensibilizojmë të gjithë qytetarët, pasi mospagesa është problem për tregun. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Nuk do të ketë amnisti për faturat e papaguara” , theksoi Gjiknuri.
