Ministria e Financave ka shpjeguar ecurinë e mbledhjes së të ardhurave nga tatim fitimi nën planin e parashikuar në raport me fillim vitin, që e detyroi atë të ulte pritshmëritë për gjithë vitin në buxhetin e rishikuar. Sipas financave, kjo lidhet kryesisht me ecurinë e dobët të kompanive shtetërore.
Sipas financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 8 mujorin 2014 arritën në rreth 13.9 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë lekë të mbledhura një vit më parë, me një rritje prej 35 për qind. Tatimi mbi fitimi është një taksë e cila ka pasur politikë të re fiskale gjatë vitit 2014, me rritje të normës nga 10% në 15% duke filluar nga 1 Janar 2014.
Në bazë të të dhënave të 8 mujorit 2014, kjo taksë ka ecur sipas planifikimit dhe vlerësimeve fillestare të impaktit të reformës. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë ecur mire me këtë zë, me përjashtim të sektorit shtetëror. Planifikimi fillestar për një rritje prej 7 miliardë lekë nga rritja e normës së tatimit mbi fitimin ka ecur sipas planifikimit.
Mosrealizimi i periudhës prej rreth 1 miliardë lekë ka ardhur nga dy kompanitë e mëdha KESH dhe CEZ, të cilat vitin e kaluar kanë paguar tatimi fitimin po në masën 1 miliardë lekë. Financat theksojnë se nën këtë zë, për periudhën 8 mujore 2014, është rritur numri i tatimpaguesve me rreth 900 tatimpagues të rinj, në sajë të përmirësimeve administrative të administratës tatimore.
