Tatimet realizojnë të ardhurat e parashikuara

Saimir Lleshi

Të ardhurat nga tatimet në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishin 16.6 miliardë lekë, rreth 430 milionë lekë më shumë se plani i këtij muaji dhe me rritje prej 8.2% (1.3 miliardë lekë më shumë) se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas të dhënave të detajuara paraprake, ka qenë rritja e ndjeshme e të ardhurave nga tatim fitimi që ka ndikuar në shtimin e të ardhurave dhe realizimin e planit, ndërkohë që TVSH, të ardhurat Personale; taksa nacionale, taksa e qarkullimit dhe lojërat e fatit janë të gjitha me mosrealizim plani dhe disa prej tyre edhe në nivele më të ulëta se dhjetori i 2014-s.

Të ardhurat nga tatim fitimi ishin 2.9 miliardë lekë në dhjetor 2015, duke qenë 70% mbi planin prej 1.7 miliardë lekësh.

Të ardhurat nga TVSH ishin 15% më poshtë se plani dhe 3.7% më shumë se dhjetori 2014.

Të hyrat nga të ardhurat personale ishin 2.6 miliardë lekë, 19% më poshtë se plani, ndërkohë që kanë shënuar një rënie të ndjeshme prej 36% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në rënie me vitin e kaluar janë dhe taksat nacionale e të tjera dhe sidomos të ardhurat nga lojërat e fatit, që kanë realizuar vetëm 67% të planit dhe kanë rënë 11.3% në raport me faktin e dhjetorin 2014.

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit, që u rrit me 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 (apo rreth 37% nga 17 në 27 lekë për litër) janë rritur vetëm me 1.7% në raport me dhjetorin 2014.

Të ardhurat nga kontributet ishin 5.5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin dhe duke qenë 9.1% më të larta se dhjetori 2014. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *