Tatimi mbi të ardhurat, taksohen dhe të ardhurat minimale?

Dita

Në kohën kur flasim për mos realizim të ardhurash nga tatimet dhe doganat, për shkurtim buxheti në realizim dhe shpenzime, Ministria e Financave hedh për diskutim një projekt tjetër për taksimin. Tatimi mbi të ardhurat dhe mundësia për t’u taksuar dhe të ardhurat minimale, është hedhur në diskutim në konsultimet me ekspertët dhe grupet e interesit. Sipas këtij propozimi pagat vjetore nga 0-180 mijë lekë (mujore deri në 15 mijë lekë) do të tatohen 5 për qind.

Sipas projektligjit aktual pagat vjetore mbi 180,000 dhe nën 1,560,000 (mujore 15,000-130,000 lekë) tatohen 13% dhe pagat vjetore mbi 1,560,000 (mujore mbi 130 mijë lekë) tatohen 23%. Pra, të gjithë ata që kanë një të ardhur mujore nga 15 deri në 130 mijë lekë do të taksohen për këtë fashë me 13 për qind. Të ardhurat mbi 1 milion e 560 mijë, pra ndryshe rrogat mbi 130 mijë lekë në muaj, do të taksohen me 23 për qind, ashtu siç është edhe tani. Për të lehtësuar disi tatimpaguesit, drafti lejon që individët të mund të zbresin deri në 180 mijë lekë në muaj nga baza e taksueshme. Revista ekonomike Monitor ka zbardhur të gjithë draftin dhe neni 25 i këtij projekti, e ndryshon fort nivelin e taksimit, duke shkuar kështu larg filozofisë së një force politike të majtë në pushtet, që duhet të mbështesë shtresat në nevojë.

Ky draft ka ardhur në bashkëpunim me ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Drejtuesit e institucionit financiar vetëm para pak ditësh u shprehën se nuk është nënshkruar marrëveshja me qeverinë shqiptare, duke e lënë atë për ta riparë në vjeshtë. Këtë e lidhën me faktin se të ardhurat tatimore nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm, duke lënë të hapur mundësinë për rishikimin e sistemit të taksimit, gjithmonë në rritje.
Buxheti i shtetit ka qenë në vështirësi gjatë këtij viti për shkak të mosrealizimit të të ardhurave nga administrata doganore dhe ajo tatimore, pasi rritjet e taksave të ndërmarra përgjatë dy viteve të fundit nuk sollën efektin e pritshëm, por sipas vetë tatimeve në një raport të fundit të tyre kofidencial, është rritur më tej evazioni fiskal. Qeveria është nën presionin e FMN-së për të ulur shpenzimet ose për të rritur taksat me synimin e ruajtjes së deficitit buxhetor. Madje akti normativ i firmosur në fund të korrikut nga kryeministri Rama ka ulur të gjithë treguesit buxhetor, por ka ruajtur të njëjtin nivel deficiti. Kjo taksë e re që “hidhet” si projekt, pritet të jetë pjesë e diskutimit në Kuvend, do të hapë debate të reja, duke vënë nën presion qeverinë, ku përkundrejt kësaj teze për rritje të mëtejshme taksash, është kërkuar ulja e tyre, ose evazioni do të rritet më tej.

Propozimi për 2016

Baza tatimore vjetore (lek) Norma tatimore
Pagat 0 – 180,000                                             5%
Pagat mbi 180,000 dhe nën 1,560,000        13%
Pagat mbi 1,560,000                                        23%

Varianti aktual
Baza tatimore mujore Norma tatimore
0- 30 000                              0%
30 001 – 130 000              +13% të shumës mbi 30 000 lekë
Mbi 130 001 lekë                + 23% e shumës mbi 130 000 lekë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *