Carlo Tavecchio, presidenti i federatës italiane të futbollit ka dhënë dorëheqjen, pas dështimit të kombëtares italiane për të arritur finalet e Kupës së Botës që do të zhvillohen vitin tjetër në Rusi.
Fillimisht ishte Gian Piero Ventura, i cili u tërhoq nga drejtimi i kombëtares italiane dy ditë pas dështimit historik të italianëve.
Presioni i madh i gazetarëve dhe ambientit sportiv që e rrethonte detyroi edhe Tavecchion që të deklaronte largimin tij nga posti i presidentit të federatës këtë hënë.
“Më vjen keq. Po largohem sepse dështova. I kërkoj falje të gjithë italianëve. Është koha që në futbollin italian të nisë një erë e re”, u tha Tavecchio gazetarëve.
Por jo vetëm kaq, Tavecchio kërkoi dorëheqjen edhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Federal, kërkesë kjo që është pranuar. Largimin e Tavecchios dhe anëtarëve të këtij këshilli e kërkuan të gjithë, duke nisur nga sindikata e futbollistëve, drejtuesit e Lega Pro, politikanët dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), Giovanni Malago.
Dorëheqja e Carlo Tavecchios erdhi një javë pas dështimit të përfaqësueses italiane të futbollit në kualifikueset e Botërorit 2018.
Të kaltrit u eliminuan në fazën e “play-off”-it nga Suedia, me rezultatin e përgjithshëm 1-0 të vendosur që në ndeshjen e parë, pasi sfida e kthimit u mbyll 0-0.
“Ambiciet politike na penguan që të diskutonim arsyet e këtij eliminimi dhe për këtë arsye unë dhashë dorëheqjen nga posti im”, tha më tej Tavecchio për “Sky Sport”.
Tavecchio në një deklaratë disa ditë më parë hodhi përgjegjësitë e dështimit mbi trajnerin Ventura, për shkak se ishte ky i fundit që i bënte zgjedhjet teknike.
Mirëpo, ai e pranoi se edhe vetë kishte një pjesë të fajit për shkak se ishte ky që e kishte zgjedhur trajnerin e kombëtares.
Ndërkohë mësohet se, brenda 90 ditëve, Federata Italiane e Futbollit do të organizojë zgjedhjet e reja për postin e presidentit të këtij institucioni
