Të ardhurat dytësore do të tatohen 15 për qind

redaktor

Buxheti dhe paketa fiskale 2015 ka marrë votat e parlamentarëve dhe tashmë pritet që të jetë prezent me taksimin e ri duke filluar nga 1 janari i vitit tjetër. Në të vërtetë me ndryshimet e reja ligjore të paketës fiskale, taksat pësojnë kryesisht rritje të tyrë.

Referuar kësaj pakete tatimi mbi të ardhurat personale do të ndryshojë normën e taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga.

Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.

Më konkretisht komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.

Me ndryshimin e qeverisjes, një vit më parë u ndryshua dhe mënyra e përllogaritjes së kësaj takse. Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, kaloi nga tatimi i sheshtë 10 për qind, në tatim progresiv.

Si aplikohet tatimi progresiv?

Tatimi progresiv i aplikuar në këtë fillim viti u bë në përputhje me logjikën e qeverisjes aktuale, që ata, të cilët marrin të ardhura më të larta nga puna e tyre, të paguajnë më tepër. Aktualisht formula e tatimit progresiv mbi pagën konsiston tani në tri shkallë:

1- Të ardhurat nga pagat nga 0 deri në 30 mijë lekë në muaj, tatohen me zero përqind, pra mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale.

2- Të ardhurat pagat nga 30 mijë lekë/muaji deri në 130 mijë lekë/muaji, tatohen me 13% të diferencës midis pagës me pragun 30 mijë lekë/muaji.

3- Të ardhurat nga paga mbi 130 mijë lekë/muaji tatohen me 13,000 lekë plus 23% e diferencës së pagës me 130 mijë lekë. Deri një vit më parë tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë një nga taksat me të goditura nga evazioni fiskal në Shqipëri. Reforma fiskale e vitit 2007 ndryshoi në thelb strukturën e kësaj takse, duke zëvendësuar shkallët progresive të taksimit me një shkallë unike për të gjitha llojet e të ardhurave personale.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *