Të ardhurat për sëmundje, kushtet për të përfituar 2 llojet e pagesave

Leda Hysa

 

Dy janë llojet e të ardhurave që mbulohen nga dega e sigurimeve shoqërore për sëmundjet. Sipas kritereve të përcaktuara, në degën e sigurimit të sëmundjeve paguhen të ardhurat për sëmundje, si dhe të ardhurat për kompensim sëmundjeje, për rastet në të cilat konstatohet ndryshimi i vendit të punës për përfituesin. Përfitimi i të ardhurave për sëmundje në përgjithësi mund të vijojë deri në gjashtë muaj, që nga data e nisje së pagesës. Ndërkohë që ka edhe raste të caktuara kur mund trë shtyhet edhe më shumë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara kushtet dhe masën e përfitimit për të dyja këto lloje të ardhurash.
bilgiler
Kur përfitohen të ardhurat për sëmundje?

Referuar përcaktimeve të bëra në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore bëhet e ditur se çdo individ i siguruar ka të drejtë që nëpërmjet skemës së sigurimeve të sigurojë të ardhura për sëmundje kur vërtetohet me raport mjekësor se ai është përkohësisht i paaftë për të punuar. Kjo paaftësi nuk duhet të jetë si pasojë  e një aksidenti në punë, apo një sëmundjeje të caktuar profesional.  Sa i takon afateve të përfitimit saktësohet se: “Personi i siguruar ka të drejtën e përfitimit të të ardhurave për sëmundje edhe brenda 30 ditëve kalendarike, pas mbarimit të sigurimit të tij të detyrueshëm”. Përjashtim nga ky përcaktim përbëjnë vetëm rastet kur konstatohet se i punësuari është pushuar nga puna për akt kriminal, sipas vendimit të Gjykatës.

Koha e përfitimit

Lidhur me periudhën e përfitimit të këtyre lloj të ardhurave ekspertët e sigurimeve shoqërore saktësojnë se koha e përfitimit për paaftësi të përkohshme fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe do të zgjasë jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Periudha e përfitimit mund të zgjatet përjashtimisht deri në 3 muaj të tjerë, në rast se komisioni i mjekëve ekspertë (KMCAP) provon që personi i siguruar do të shërohet në këtë periudhë dhe nuk do të deklarohet invalid. Periudha e përfitimit të paaftësisë së përkohshme nga sëmundja, për ata që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, është deri në 3 muaj nga data e fillimit të pagesës. Ndërsa  periudha e përfitimit për punonjësit sezonalë dhe të përkohshëm, të cilët kanë qenë të punësuar të paktën 3 muaj në 12 muajt e fundit, është deri në 75 ditë.

Pagesat që mbulojnë sëmundjet

Të ardhurat për sëmundje janë 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim dhe 80 për qind kur i siguruari ka mbi 10 vjet sigurim. Ndërsa për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto, të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës.

Kompensimi i sëmundjes kur ndryshoni vendin e punës

Personi i siguruar që për arsye shëndetësore, me vendim të komisionit mjekësor kompetent, ndryshon vendin e punës, ka të drejtë të përfitojë nga sigurimet shoqërore kompensimin e të ardhurave. Në këtë rast, shuma e së ardhurës që do të përfitohet për kompensim, është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës së mëparshme dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës. Periudha e përfitimit nuk duhet të kalojë 3 muaj gjatë një viti nga dita e fillimit të sëmundjes, për të cilën është ndryshuar vendi i punës. Sipas kushteve të përcaktuara, të ardhurat në rastin e sëmundjes për periudhën deri në 14 ditët e para ose të kujdesjes së fëmijës në ngarkim paguhen nga punëdhënësi, sipas përcaktimit në Kodin e Punës dhe në kontratën e punësimit, ose sipas marrëveshjes që do të ketë me përfaqësuesit e punëtorëve, por jo më pak se pagesat e përcaktuara në këtë Ligj.

Përllogaritjet

Përfitimet afatshkurtra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar, do të llogariten nga qendrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore. Ndërsa  përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit. Dokumentacioni, kriteret dhe procedurat e caktimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Po sipas ligjit të sigurimeve, pensionet do caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension

Kushtet e përfitimit të të ardhurave

Personi i siguruar që e ka plotësuar periudhën e kërkuar të sigurimit, si dhe gjithë personat në ngarkim të atij që vdes, të cilët nuk kanë plotësuar moshën ose nuk plotësojnë kushtet e tjera për pension, kanë të drejtë të marrin pension, si dhe të ardhura të tjera  kur të plotësojnë moshën ose kushte të tjera; 2. Personat që i kanë përmbushur të gjitha kushtet, por jo atë të paaftësisë, marrin pension pasi të provohet se janë të paaftë për punë. Bashkëshorti pasjetues që bëhet i paaftë për punë pas 10 vjetëve nga vdekja e bashkëshortit, nuk ka të drejtë për pension familjar.

Tërheqja e kësteve të përfitimit

Përfitimet duhet të zëvendësojnë pakësimin e të ardhurave nga punësimi ose nga një veprimtari tjetër ekonomike. Përfituesi nuk ka të drejtë për këste përfitimi për çfarëdo periudhe, kur merr pagë ose të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar. Pagesat e të ardhurave ndalohen për çdo kohë që përfituesi është punësuar ose ka qenë ekonomikisht aktiv. Pagesa nuk ndalohet vetëm kur Ligji parashikon qartë punësim dhe veprimtari ekonomike (për shembull, pension invaliditeti të pjesshëm.

Ankimimi

Ankimi kundër vendimeve të përfitimeve bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në këto raste, ankimimi depozitohet pranë sporteleve të shërbimit, në përputhje me legjislacionin që rregullon mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel. Ankimi kundër vendimeve të Komisionit të Ankimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa ankimet e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në Gjykatë, vendimi i të cilës është përfundimtar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *