Te Barcelona, të pakënaqur me Nejmarin

anazapta

Barcelona ka vuajtur, imazhi është dëmtuar, por janë nxjerrë leksionet e nevojshme pas trazirave që shkaktoi transferimi me shumë pikëpyetje i Nejmar. Kështu mendon presidenti Bartomeu, ndërkohë që blerja e brazilianit nga Santosi vazhdon të hetohet pas padisë nga anëtari i klubit, Zhordi Kases. Në transaksionin e bujshëm, Barcelona iu shmang deklarimit të shifrës reale, ngjarje që pasoi me dorëheqjen e Sandro Rosell, i cili vazhdon të jetë në proces gjyqësor për dëmet që i ka shkaktuar klubit. Pasardhësi i tij Bartomeu pranon më në fund se nga e gjithë kjo histori, imazhi i blaugranave është dëmtuar. “Kemi mësuar shumë nga çfarë ka ndodhur gjatë vitit të fundit. Shumë gjëra nuk kanë qenë pozitive, por në njëfarë sensi mund të vlerësohen si eksperienca që vlejnë për ato që duhet të bëjmë në të ardhmen. Gjithsesi nuk e ndiejmë veten më poshtë kur dalim në fushë. Për një skuadër është normale ta mbyllë sezonin pa trofe sepse kështu është futbolli. Ndoshta imazhi ynë mund të jetë dëmtuar pak nga çështja Nejmar apo nga problemi me FIFA-n për lojtarët e rinj”. Në “Camp Nou” këtë verë u transferua Luis Suarez, në një kohë kur uruguaniani u kryqëzua për kafshimin e italianit Xhorxho Kielini gjatë Botërorit të Brazilit. Numri një i Barçës insiston se lojtari e ka lënë pas këtë episod, duke kërkuar falje publikisht. “Reputacioni i Suarez nuk do të ndikojë aspak në mënyrën se si veprojmë. Përkundrazi, ne do ta ndihmojmë Suarez që të luajë dhe sillet siç duhet. Ai e di që ka gabuar dhe prandaj kërkoi falje. Për ne kaq mjafton”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *