Të bësh biznes në vendin tonë, veç vështirësisë së gjetjes së alternativave të qëndrueshme, ka dhe një sërë procedurash të cilat të stepin që në hapat e parë. Duket se pas shumë vitesh ekonomi tregu, ajo çfarë po kupton qeveria shqiptare është lehtësimi i procedurave për sipërmarrësit. Kështu qeveria shqiptare ka publikuar në Fletoren Zyrtare planin e veprimit për përmirësimin dhe monitorimin e indikatorëve “Të bësh biznes”, një publikim i Bankës Botërore, që shërben si referencë krahasuese për të gjitha vendet e botës. Ky plan shënon një sërë hapash për përmirësimin e barrierave të biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimin e pronësisë, energjinë, zbatimin e kontratave, tregtinë përmes kufijve, pagesën e taksave dhe zgjidhjen e paaftësisë paguese. Por cilët janë indikatortët kryesorë të miratuar për biznesin?
Lehtësimi i barrierave për biznesin
Për lehtësimin e barrierave të biznesit për regjistrimin e subjekteve do të amendohet ligji nr. 9723 datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Drafti i ligjit është në proces konsultimi me ministritë. Rezultati i pritshëm është shkurtimi i procedurave me hapa dhe reduktimi i kostos me 85,120 lekë. Për lehtësimin e barrierave të biznesit pritet të amendohet dhe ligji “Për nxitjen e punësimit”. Amendimi i neneve që detyrojnë subjektet të regjistrohen pranë ISHPSHSH dhe zyrave të punës, në varësi të marrëveshjeve që do të lidhen me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shpërndarjen e informacionit mbi fuqinë punëtore në formë elektronike. Ndryshimet në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë që deklarata e paraqitur në administratën tatimore lidhur me punonjësit e rinj të marrë në punë dhe lidhur me punonjësit e larguar nga puna, do të shërbejë si deklarim edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës. Afati i ndryshimeve është parashikuar shkurti i vitit 2015. Në prill 2015 pritet zbatimi i ligjit për firmën elektronike, i cili do të mundësojë fillimin e biznesit vetëm në 1 hap, për 1 ditë, me kosto 100 lekë.
Bërja e planeve urbane të aksesueshme on-line
Ligji i ri për planifikimin territorit është miratuar. Parashikohet që procesi i aplikimit dhe botimi i dokumentacionit të aplikimit të kryhet përmes Regjistrit të Planifikimit të Territorit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në momentin që konstaton që ka mangësi në publikimin e deklarimeve mbi planet dhe zhvillimet në territor njofton menjëherë me shkresë zyrtare autoritetet përkatëse të planifikimit dhe vë në dijeni menjëherë autoritetet e inspektimit. Nga janari 2015, parashikohet botimi i planeve kombëtare dhe vendore në portalin e AKPT-së, që synon rritjen e transparencës për qytetarët dhe zhvilluesit e territorit. Autoritetet vendore të planifikimit kanë detyrimin ligjor për botim në regjistër të instrumenteve të planifikimit. Krahas kësaj, AKPT do të botojë në portalin e saj të gjitha planet e miratuara për akses më të gjerë nga publiku. Parashikohen dhe ndryshime të tjera që synojnë rritjen e transparencës, aplikime on line për lejet e ndërtimit etj.
Energjia, rrjet i ri dhe liberalizim tarifash
Në tremujorin e katërt 2014 parashikohet pranimi i propozimit për lidhjen e re në rrjetin e CEZ shpërndarje, Liberalizim dhe ndryshim tarifash. Masat e parashikuara në këtë indikator përfshihen në parashikimet e projektligjit “Për energjinë elektrike” iniciuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Parashikohen dhe thjeshtime procedurash për kontratat dhe marrëveshjet me familjarët dhe jo familjarët.
Zbatimi kontratave për biznesin
Po kështu parashikohen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, për shkurtimin e procedurave gjyqësore, që do merren në tremujorin e tretë 2014. Në fazën e hartimit mund të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së çështjes së përshpejtimit të zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Ligj i ri për falimentin
Pritet të miratohet brenda këtij viti projektligji i ri “Për falimentimin” dhe aktet e tjera në zbatim të tij. Ai parashikon shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave nëpërmjet afateve të reja ligjore. Rritje e shumës së detyrimit që do të përfitojnë kreditorët si dhe kosto me të ulëta për shpenzimet e procedurës.
