Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Gërmo Tare, gërmo, qenin e ngordhur do gjesh! Të pretendosh se dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit janë të gjitha në arkivat e shtetit dhe mund të hapen në çdo kohë, mjafton vetëm vullneti politik për këtë hap, është njëlloj sikur të besosh se Sali Berisha dhe Azem Hajdari janë baballarët e “demokracisë shqiptare”. Të krijuara për mbajtjen nën kontroll dhe për survejimin e një populli të tërë, ato dosje që dikur kanë qenë të arkivuara dhe të mirëmbajtura, po të ishin bërë pjesë e një procesi historik kombëtar të njohjes me të kaluarën tonë të errët, do kishin parandaluar shumë të këqija që ndodhën në rrjedhën e këtij çerekshekulli të fundit.
Dështimi shqiptar në trajtimin serioz të kësaj plage gjysmëshekullore, ka të bëjë me atë mendësinë totalitare, njëherë e një kohë të mbjellë dhe kultivuar nga ai sistem që prodhonte ato dosje. Klasa politike shqiptare ishte dhe pjesërisht akoma është, direkt apo indirekt, kontigjent i atij ish-Sigurimit të Shtetit.
Pyetjen se, a do hapen ndonjëherë ato dosjet shqiptare, mund t’i përgjigjemi me ndërgjegje të pastër, se nuk është e mundur të hapësh diçka që thjesht nuk është në atë vend që duhet të ishte. “Shpresa” e vetme shqiptare në të ardhmen është ardhja në krye te institucioneve shtetërore e një brezi të ri, që nuk është i përlyer në të kaluarën kriminale të etërve të tyre. Sigurimi i Shtetit nuk ka mbaruar se ekzistuari në vendin tonë. Ai gjallëron dhe lulëzon në qenien e çdo Sali Berishe apo Edi Rame, që hapjen e dosjeve e kanë kthyer në mjet për të bërë politikë.
