Disa të përditshme kanë publikuar proçesverbalin e mbledhjes së fundit të KLD-së, ku është diskutuar rreth kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve. Referuar titujve, redaksitë përkatëse e kanë parë të udhës të veçojnë dialogjet e nxehta mes tre prej tyre; ndërkohë që si “kokë” lajmi duhej të ish gjuha politike e përdorur aty, veçanërisht nga Broci, Gjoni e Cefa. Nëse deri më sot, kanë tradhëtuar kredon e tyre profesionale për të promovuar e mbajtur gjallë drejtësinë në këtë vend, tashmë po bëjnë dhe tradhëtinë tjetër: nga gjuha në terma profesionale, kalojnë në atë politike, pa ua kërkuar kush. Frazat: “oligarkët”, “demokracia në rrezik”, “uzurpim institucionesh”, e të ngjashme me këto, janë pjesë e vokabularit të PD-së, krejt të përligjura brenda kontekstit të luftës politike, por ato assesi nuk kanë pse të jenë dhe pjesë e vokabularit të një grushti juristësh në KLD, vetëm në rast se kjo instancë, është një seksion i PD-së. Ata janë plotësisht në të drejtën e tyre ta mbrojnë veten nga çdo akuzë, por vetëm me një gjuhë: atë juridike, të cilën ua dikton dhe posti që mbajnë. Në kurthin e gjuhës ku kanë rënë, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë legjitimuar arsyet e mazhorancës për një operacion emrash aty; e njëherësh kanë deligjitimuar veten në arsyet për t`u u zbythur që aty.
