Kur një person i cili vuan një dënim të caktuar në burgjet e Shqipërisë i kanë mbetur më pak se dy vite burg, ky institucion për të mund të kthehet si hotel, pasi liria dalëngadalë do të hyjë në korsinë e saj. Ndryshe do të quhen burgje të hapura apo gjysmë të hapura, ky projekt nënkupton daljen e të dënuarve jashtë burgut për qëllime punësimi apo shkollimi dhe me pas kthimin sërish në qeli.
Në një intervistë për “DITA”, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto shpjegon se si do të vendoste në zbatim ky sistem i ri në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Gjysmë liria do të thotë që persona të dënuar të kryejnë gjatë ditës punë ose shkollim dhe në përfundim të rikthehen në qeli. Nga ky sistem do të përfitojnë ata persona me marzh dënimi deri në 2 vjet ose persona që u ka mbetur dy vjet nga kryerja e dënimit, për shembull një i dënuar që është dënuar me 10 vjet dhe 8 prej tyre i ka kryer” shprehet Zoto. Më poshtë, një bisedë me drejtorin, për situatën në burgje, problemet e mbipopullimit dhe strategjitë për të rehabilituar të dënuarit.
Z. Artur, si paraqitet gjendja e burgjeve aktualisht në vendin tonë?
Natyrisht, për të bërë vlerësimin e gjendjes së sistemit penitenciar përdoren shumë indikatorë matës. Duke vlerësuar kompleksitetin që ka vetë sistemi mund të them që vlerësimi i përgjithshëm është shuma e indikatorëve matës për çdo fushë veprimi. Kështu që fushat kryesore matëse mbi të cilat vlerësohet vet sistemi janë gjendja e sigurisë, garantimi i të drejtave të paraburgosurve dhe dënuarve, infrastruktura, cilësia e shërbimeve të ofruara, programet e zhvilluara, shkalla e recidivizmit, etj. Nga këto, mund të them që përveç infrastrukturës të gjithat fushat e tjera të veprimit janë në standarde të kënaqshme.
Jo rrallëherë thuhet se kemi burgje të tejmbushura, jashtë kapaciteteve apo situata paraqitet normale?
Mbipopullimi është një problem i cili shfaqet jo vetëm në vendin tonë por edhe në vende të rajonit pse jo dhe me gjerë. E kemi bërë publike si në median e shkruar dhe atë elektronike por edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit çështjen e mbipopullimit. Ajo që është më e rëndësishme është qasja apo strategjia e përdorur nga Ministria e Drejtësisë në menaxhimin e mbipopullit të krijuar nga shumë faktorë të cilët nuk po i analizojmë. Kjo qasje ka qenë si afatshkurtër dhe afatgjatë por më tepër e orientuar drejt zhvillimit të politikave afatgjata dhe të qëndrueshme. Në periudha të ndryshme të vitit shifrat e mbipopullimit ndryshojnë. Por mesatarisht për vitin 2014 kjo shifër ka shkuar mesatarisht 24% mbi kapacitetet që ka sistemi i jonë. Me hapjen e institucionit të Fierit, mund të themi se situata është përmirësuar ndjeshëm si dhe me përfundimin e punimeve të institucioni “Jordan Misja” në Tiranë, mbipopullimi nuk do të jetë aspak problem.
Cilat janë burgjet më të mbingarkuar momentalisht?
Normalisht, mbipopullimi ka qenë shfaqur më tepër si problem ne institucione të tilla si Lezhë, Peqin, Korçë etj. E rëndësishme është të theksojmë se falë angazhimit të stafit të çdo niveli, nuk është minimizuar apo cenuar veprimtaritë e planifikuara në institucione si dhe programet me fokus rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre.
Drejtor, dimë që shumë persona, pasi futen në institucionin e vuajtjes së dënimit (burg) fillojnë e besojnë në Zot, mund të na thoni nëse ka patur të burgosur që kanë agjëruar gjatë muajit të Ramazanit. Sa kanë qenë ata dhe janë trajtuar me kushte të veçanta gjatë këtij muaji?
Kanë qenë 200 të paraburgosur dhe dënuar të cilët kanë agjëruar dhe nga administrata e institucioneve u krijuan gjithë kushtet në funksion të këtij procesi shpirtëror. Natyrisht që sakrifica e atyre që agjëruar është lehtësuar ndjeshëm me mbështetjen që dhanë shumë shoqata apo përfaqësues të Komunitetit Mysliman në vendin tonë.
Është folur për një ide se, shumë shpejt në vendin tonë do të ketë burgje gjysmë të hapura dhe të hapura, në ç’fazë jemi tani. Kur do të ndodhë hapja e tyre?
Është e vërtet që këto modele do të krijohen dhe në vendin tonë. Aktualisht, mund të them që Ministria e Drejtësisë ka përgatitur ndryshimet që duhen amenduar në Ligjin aktual për trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve. Ndërkohë janë marrë nga Ministria e Mbrojtjes dy objekte ku një prej tyre do të përdoret pse jo dhe për aplikimin e regjimit të hapur. Mendoj se miratimi i këtyre ndryshimeve të cilat janë pse jo pjesë e reformës pasi sistemi penitenciar është hallka e fundit e zinxhirit të drejtësisë, do të kemi për punë muajsh dhe këtë model në vendin tonë.
Për të qenë më konkret, çfarë janë burgjet e hapura dhe gjysmë të hapura dhe si do të funksionojnë ato?
Burgjet apo regjimet gjysmë të hapura janë modele të cilat kanë rezultuar të suksesshme për sa i përket rehabilimit të dënuarve në shoqëri. Duke vlerësuar nismën e marrë nga Ministri i Drejtësisë për aplikimin e këtij modeli, është përgatitur dhe drafti përkatës i cili kërkon ndërhyrje në ligjin aktual për trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve. Kuptohet se për qytetarët pse jo dhe vet të dënuarit pyetja është se çfarë janë këto lloj burgjesh. Regjimet e hapura ose burgu i hapur janë institucione ku të dënuarve të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara trajtohen në regjim të hapur, duke patur mundësi lëvizje, punësimi si dhe mbajtje kontaktesh me familjarët apo të afërmit e tyre në një mënyrë më pak të kufizuar nga ligji. Edhe në aspekt të sigurisë janë regjime ku niveli i sigurisë është i ulët. Me ndryshimet që Ministri ka menduar të bëjë, saktësohen jo vetëm kategoritë e personave subjekt i këtij regjimi, por edhe procedura e caktimit apo transferimit të dënuarve në këtë regjim.
Me pak fjalë burgu do të shërbej si hotel apo si një fjetore që gjatë ditës je në punë apo në shkollë, ndërsa në darkë në godinë?
Me pak fjalë ky lloj burgu shërben si një hallkë lidhëse midis të dënuarit dhe familjes apo të afërmeve të tyre si dhe shoqërisë me qëllim rehabilitimin e tyre. Që do të thotë që i dënuari para se të fitojë lirinë e plotë është i përgatitur për fazën e lirimit pasi ndodh që shumë prej atyre që lirohen bëhen recidivistë. Në këtë kuptim është një model i cili do të ulë dhe shkallën e recidivizmit. Të dënuarit në këtë regjim do kenë mundësi të punojnë dhe lëvizin jashtë institucionit, kuptohet kundrejt një rregulli dhe procedurë të caktuar dhe të kthehen përsëri në një orar të caktuar.
Cilat kategori të burgosurish do të përfitojnë nga ky projekt?
Nëse drafti miratohet me propozimin që ka bërë Ministri i Drejtësisë, përfitojnë persona të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe masë dënimi nën 5 vjet, si dhe personat të cilët nga kryerja e gjithë dënimit të dhënë u ka ngelur edhe 2 vjet pa kryer.
Ku do të jenë këto godina, bëhet fjalë për ndërtime të reja, apo për përshtatje të burgjeve të vjetër?
Siç thashë, Ministria e Drejtësisë ka marrë dy prona ose më saktë ish-reparte ushtarake nga Ministria e Mbrojtjes ku njëri prej tyre mendohet të bëhet institucion i regjimit të hapur. Natyrisht që me ristrukturimin që do u bëjmë kategorizimit të institucioneve, mund të ndodhë që një institucion aktual ta konvertojmë në burg me regjim të hapur.
Drejtor, ju e keni parë diku këtë projekt, si ju ka lindur si ide?
Është një model i testuar dhe ka rezultuar i suksesshëm. Aktualisht aplikohet në gjithë vendet e BE por edhe në vende të rajonit tonë. Projekti i binjakëzimit i cili do të shpallet zyrtarisht në muajin shtator me palën britanike, ka si një ndër fushat e veprimit aplikimin e këtij modeli në vendin tonë. Pra, edhe pse nuk kemi eksperiencë atë do e marrim falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së dhënë nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve të programit IPA.
Mendoni se do të funksionoi në rehabilitimin e të dënuarve?
Nuk ka dyshim pasi ky proces është i lidhur dhe me misionin që ka Drejtoria e Burgjeve, i cili është rehabilitimi dhe riintegrimi i të paraburgosurve dhe dënuarve. Rehabilitimi është proces që kërkon gjithëpërfshirje dhe për më tepër bashkëpunimi institucional duhet edhe më i konsoliduar te regjimet e hapura.
Në përfundim duhet të theksojmë se vizioni që kemi për sistemin penitenciar në vendin tonë është shumë larg atij tradicional dhe i orientuar drejt modeleve më të mira, ku padyshim regjimet e hapura janë një ndër prej tyre. Gjithashtu, jo vetëm në vendin tonë por dhe më gjerë burgjet kanë tërhequr një vëmendje qytetare pse jo mediatike për shkak të ndryshimeve në filozofi dhe mentalitet në menaxhimin e tyre. Për më tepër, ky interesim në rritje ka ardhur dhe për faktin e transparencë së krijuar pse jo dhe problematikave të shfaqura.

keto burgje behen per deputet,ministra dhe te tjer te rrangut te tyre.
Ç’na polli.
Pse mor(j) ç’te polli, si ke qejf ti, ti torturojne kur u vjen dita per te dale. Ne vend te gezohesh, hidherohesh. Nuk merret vesh kjo bote, ta qellosh oj se me dhemb, mos ta qellosh, pse me gjuan.
PER AMISTI NUK FOLI FARE KY DREJTOR
Pse nuk thuani me pes yje.
Nje trajtim ekzakt dhe me art i intervistes nga gazetarja e talentuar Entela Resuli sidoqe une nuk besoj te ky sistem i trajtimit te te burgosurve! Megjithate nuk po hyj te kjo teme perderisa qellimi im para leximit te intervistes nuk ishte ky por thjesht soditja e artit te shkrimit te Enteles. Nderime Entela !
Shumë bukur. Të paktën mos të na dalin mo çunat me shkollë krimineli por të punojn si njeri .
Me duket se ti Pellumb ke arritur ne nje pike qe s’ po kupton dot as veten… Ka disa kohe kjo lloj “semundje”!…