Ministria e Financave ka publikuar dje të dhënat e 11 mujorit të vitit të kaluar, ku rezulton se buxheti i shtetit është tkurrur 3.1 për qind me bazë vjetore (minus 9.3 miliardë lekë se janar-nëntor 2012), nga 2.7 për qind (rreth 7.4 miliardë lekë) që ishte rënia për periudhën janar nëntor. Vetëm në tetor, periudhë kur qeveria e re e mori tërësisht në dorë situatën, të ardhurat në buxhet ishin gati 30 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4 për qind në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndërsa nëntori solli sërish një përkeqësim të tendencës, me të ardhurat që arritën rreth 26 miliardë lekë, me një rënie prej 8.3 për qind në raport me nëntorin 2012, që është dhe rezultati më i dobët i katër viteve të fundit. Në total, për periudhën tetor-nëntor, të ardhurat në buxhet kanë rënë me 1 për qind, në raport me të njëjtin dymujor të vitit të kaluar. Për 11-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 202 miliardë lekë, me një rënie prej 4.5 për qind apo 9.5 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas rishikimit të buxhetit, i cili kishte vendosur një planifikim më konservativ, të ardhurat për 11-mujorin rezultojë rreth 1.1 miliardë lekë më shumë se plani. TVSH-ja vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 76 për qind të rënies. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 99.3 miliardë lekë në fund të 11-mujorit, duke u tkurrur me 7.3 për qind, apo 7.8 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përmirësim ka pasur në mbledhjen e akcizës, e cila arriti në rreth 33 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor, me një rritje prej 0.1 për qind, duke kthyer për herë të parë tendencën rënëse të këtij zëri. Edhe tatim fitimi zbriti me 1.6 miliardë lekë, apo 10.7 për qind, në 13.5 miliardë lekë, duke qenë nga të paktët zëra të mbledhur më pak se plani. Me ecuri pozitive ishin të ardhurat personale, që u rritën me 4.1për qind (1.1 mld lekë) në 26 miliardë lekë.
