Instituti i Statistikave ka nxjerrë dje të dhënat e plota të Censusit 2011. Ajo çfarë rezulton nga këto të dhëna është fakti që popullsia jonë po plaket me ritme të shpejta dhe në vitin 2027 rritja natyrore do të jetë negative, çka nënkupton se lindjet do të jenë më të ulëta se vdekjet. Studimet e publikuara dje, sipas Gjergji Filipit, drejtor i INSTAT janë produkt i një pune të gjatë kërkimore dhe shkencore të realizuar nga ekipi i INSTAT në bashkëpunim me ekspertët e Asistencës Teknike të BE‐së, ekspertët e Universitetit të Gjenevës dhe Neuchatel si dhe Institutin e Kërkimeve Urbane. “Për herë të parë në historinë e Censuseve në Shqipëri është kryer vlerësimi i cilësisë së të dhënave si dhe vlerësimi i mbulimit të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, të cilët certifikojnë të dhënat mbi të cilat janë bazuar këto analiza e të tjera që do të pasojnë. Kjo paketë e plotë e 11 studimeve analitike, përbën një risi të paprecedent në Shqipëri për nga metodat shkencore të përdorura në analizimin e të dhënave si dhe të teknologjisë së përpunimit dhe komunikimit të tyre”, tha Filipi. Këto studime ndihmojnë për të kuptuar në thellësi gjendjen e Shqipërisë nga pikëpamja demografike, gjeografike, ekonomike e shoqërore. Ato ndihmojnë për të identifikuar zhvillimet pozitive dhe negative të një dekade. Shpresa jonë është që këto studime të ndihmojnë vendimmarrësit të dallojnë më lehtë dhe më drejtë problematikat e vendit, si dhe të dizenjojnë politika efektive për zgjidhjen më të përshtatshme të tyre. “Ne shpresojmë gjithashtu që këto studime të ndihmojnë aktorët në sektorin publik dhe atë privat të identifikojnë pikat e forta të Shqipërisë për të ndërtuar histori suksesi. Zhvillimet në vend përgjatë periudhës 2001‐2011, kanë qenë të vrullshme, në shkallë të gjerë, dhe të paparashikueshme. Nga pikëpamja demografike, Shqipëria është sot një vend me popullsi më të vogël, e përqendruar në zonat urbane, me familje më të vogla dhe me lindshmëri më të ulët”, u shpreh kreu i INSTAT.
Migrimi i brendshëm dhe plakja e popullsisë
Sipas analizës së të dhënave nga pikëpamja e zhvillimit të territorit, studimet tregojnë lëvizjet migratore të popullsisë, shfaqjen e territoreve komplekse urbane të njohura si aglomerate, shtimin e ndjeshëm të hapësirave të banimit si dhe krijimin e një stoku banesash të pazëna në të gjithë vendin. Analizimi i këtyre të dhënave sipas standardeve të Bashkimit Europian na mundëson krijimin e një panoramë më afër të vërtetës mbi nivelin zhvillimor të zonave të ndryshme të vendit si dhe të ndarjes urbane‐rurale në Shqipëri. Shqipëria duket se gjatë dekadës së fundit po kalon nga struktura e të punësuarëve sipas aktivitetit ekonomik ku në vitin 2001 dominonte punësimi në bujqësi, drejt një dominance në aktivitetin e shërbimeve. Një studim tjetër me vlerë është analizimi i të dhënave të popullsisë që lëviz nga vendbanimi i vet i zakonshëm për motive punësimi larg vendbanimit. Instituti i Statistikave ka kryer edhe parashikimet për treguesit kryesorë demografikë të vendit përgjatë viteve të ardhshme. “Parashikimet tona, të cilat kryhen duke parë tendencat e dekadës së fundit, tregojnë se popullsia e Shqipërisë do të jetë në rënie nëse ritmet e emigrimit dhe lindshmërisë do të mbeten njësoj. Bazuar në projeksionet e reja të popullsisë, në vitin 2027 rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë atë të lindjeve”, cilësoi Filipi i INSTAT.
Të dhënat: 1/3 e popullsisë në 2011 ishte pa punë
Në kuadër të konferencës mbi rezultatet e Censusit 2011, që po zhvillohet nga INSTAT është publikuar raporti “Karakteristikat ekonomike të Popullsisë, Census 2011”.
Sipas raportit rezulton se nga 2.221.572 vendbanues të zakonshëm, të moshës 15 vjeç e lart në tetor të vitit 2011:
677.950 – të punësuar
280.305 – punëkërkues të papunë
1.263.317 – ekonomikisht jo aktivë
• Shkalla e papunësisë për popullsinë banuese të moshës 15 vjeç e lart në tetor të vitit 2011 ishte 29,3% nga e cila: për meshkujt ishte 28.0% dhe për femrat ishte 31.4%.
• Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës e popullsisë banuese 15 vjeç e lart ishte 43,1%, ndërsa shkalla e punësimit ishte 30,5%.
Në sektorin e bujqësisë 65% e të punësuarve i përkasin kategorisë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
• Të punësuarit me pagë në sektorin e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve përbëjnë përpjesën më të madhe të të punësuarve me 82,4% , 67,1% dhe 71,5% respektivisht.
• Të punësuarit në sektorin e shërbimeve janë rritur me 14 pikë përqindje (35,7% në vitin 2001 në krahasim me 49,7% në 2011)
• Qarku me shkallën më të lartë të papunësisë ishte Kukësi (51,3%) dhe me shkallën më të ulët të papunësisë ishte Berati (20,7%).
