Ndryshe nga sa pritej, lufta e ka intensifikuar tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Rusisë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importet për disa artikuj të tillë si çeliku dhe vaji kanë pësuar zgjerim si në vlerë dhe në sasi.
Kjo ka bërë që pesha e importeve nga Rusia te rritet në totalin e importeve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar -mars 2022 importet ruse në vlerë shënuan 3.6 miliardë lekë me një rritje 68% në krahasim me një vit më parë, – raporton Monitor.
Importet e naftës nga Rusia ndaluan pothuajse totalisht nga Rusia në tremujorin e parë duke pësuar rënie me 97 %. Sipas të dhënave të INSTAT importet e lëndëve djegëse (nafta dhe gazi) nga Rusia ishin vetëm 2800 tonë në tremujorin e parë 2022 nga 22 mijë tonë që ishin në të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Por në krahun tjetër importet e çelikut rus drejt vendit tonë u rritën me ritme të larta gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT në tremujorin e patë u importuan 11 mijë tonë hekur, nga vetëm 1500 tonë vitin e kaluar me një rritje mbi 600%.
Edhe importet e vajit pësuan një rritje të shpejtë. Në -tremujorin e parë u importuan nga Rusia rreth 2400 tonë vaj nga 641 tonë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 273 për qind.
Pavarësisht se volumi tregtar me vendet në konflikt, Rusi dhe Ukrainë është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.
Por varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia.


a.m/dita
