Punësimi në vendin tonë mbetet çështja kryesore dhe nevoja më e madhe. Por të dhënat statistikore flasin për luhatje të saj, ulje-ngritje, por që në terma vjetorë mbetet shqetësuese. Kështu shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit 2014 u rrit në 18%, nga 17.4% që ishte në tremujorin e tretë të këtij viti.
Kjo konfirmohet nga të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, ku konfirmohet se shkalla e papunësisë për popullsinë në moshë pune arriti nivelin më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2014. Janë mbi 227 mijë shqiptarë që kërkojnë punë në mënyrë aktive, por që nuk kanë mundur të punësohen. Papunësia u rrit pas dy tremujorësh radhazi në rënie dhe ndërkohë që ekonomia duket në një proces gradual të përmirësimit në treguesit kryesorë.
Megjithatë, rritja e papunësisë konfirmon edhe njëherë brishtësinë dhe pasigurinë e rrugës së rimëkëmbjes së ekonomisë dhe tregut të punës. Mesatarisht për të gjithë vitin 2014, papunësia rezultoi rreth 17.9%, ndërsa për vitin 2013 kishte qenë mesatarisht 16.4%.
Problematike mbetet papunësia shumë e lartë në radhët e të rinjve. Sipas INSTAT, papunësia për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç arriti në 33.9%, niveli më i lartë në të paktën tre vitet e fundit. Papunësia e të rinjve ka përmasa shumë të mëdha sidomos ndër meshkujt, me 36.5%.
Nga ana tjetër, kjo grupmoshë ka edhe një përqindje të ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës, me 44.2%. Përveç nxënësve dhe studentëve, jashtë forcës së punës janë edhe një numër i konsiderueshëm i të papunëve të dekurajuar, që nuk kanë besim se do të arrijnë të gjejnë një punë. Sipas INSTAT, mbi 9% e popullsisë nga 15 deri në 29 vjeç janë të papunë të dekurajuar.
Të punësuarit sipas sektorëve
Gjatë tremujorit të katërt 2014, 41.8 % e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22.5 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme).
Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17.1 % të punësimit total.
Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9.3 % të të punësuarve gjithsej. Raporti tregon se ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2014 është: 9 % në industrinë përpunuese; 1.6 % në ndërtim.
Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet bujqësore prej 3.1 % dhe në industrinë nxjerrëse, energjisë dhe ujit prej 4,3 %. Industria përpunuese, aktivitetet e shërbimeve të tregut dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të madhe të të punësuarve me përkatësisht 27.4 %, 14.8 % dhe 14.6 %.
Gjatë tremujorit të katërt 2014, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42.3 %. Të vetë-punësuarit (punëdhënës ose të vetë-punësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 27.5 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 30.2 % të punësimit total.
