Të dhënat finale: PBB-ja në vitin 2014 u rrit 1.83%

redaktor

Instituti i Statistikave bëri publike të dhënat finale të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2013 dhe gjysmë-finale për vitin 2014, sipas të cilave PBB-ja në vitin 2013 ishte rritur me 1% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa në 2014 vlerësohet të ketë arritur 1.83%.

Sipas këtyre të dhënave, PBB me çmime korrente në vitin 2014 u vlerësua 1.394.419 milionë lekë (10.0 miliardë Euro) dhe 1.350.053 milionë lekë (9.6 miliardë Euro) për vitin 2013. PBB për frymë në vitin 2014 arriti në 482 mijë lekë (ose 3,443 €) nga 466 mijë lekë (ose 3,323 €) që ishte në vitin 2013.

Në vitin 2014 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë 1,83% krahasuar me vitin 2013, pas një rritjeje prej +1,00% në vitin 2013 krahasuar me vitin 2012. Sipas raportit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,80 pikë përqindje, “Industria, Energjia dhe Uji” me 0,54 pikë përqindje, “Shërbimet e tjera” me 0,49 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,45 pikë përqindje, “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” me 0,38 pikë përqindje dhe “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me 0,36 pikë përqindje.

“Ndërtimi” është dega që ka kontribuar negativisht në rritjen ekonomike me -1,28 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me -0,02 pikë përqindje. Përsa i përket strukturës së PBB sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2014 vazhdojnë ta zënë shërbimet,  gjithsej me 45,7% të PBB, të cilat u rritën me +4,92 % në terma realë. Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 21,5% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Deflatori i PBB-së për vitin 2014 ishte +1,4 %. Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, me 93,0%. Ky komponent u rrit me +5,53% në terma nominalë dhe +3,41% në terma realë.

Në strukturën e konsumit final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe, prej 87,10%, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12,32 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,58 %.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *