Në tremujorin e parë të vitit 2015, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Kjo sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Ndërkaq, në grupin e Tregtisë me Pakicë pa përfshirë këtu Tregtinë me Pakicë të Hidrokarbureve ky indeks ka pësuar rritje prej 9,5 % kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. Sipas INSTAT rritja e tregtisë me pakicë, duke përjashtuar hidrokarburet, ka qenë 9.5%, çka tregon se në një masë të caktuar volume i shitjeve është frenuar nga çmimet krahasimisht më të ulëta të karburanteve.
Indeksi i shitjeve me pakicë të hidrokarbureve ka shënuar ulje vjetore me 2.6%, duke ndikuar negativisht në rezultatin agregat të shitjeve me pakicë në ekonomi. Shumica e grupmallrave rezultuan me rritje pozitive, ku normat më të larta të rritjes e regjistroi grupi i produkteve farmaceutike, kozmetike dhe të higjienës personale me mbi 28.4%, e ndjekur nga artikujt ushqimorë dhe pijet në njësitë tregtare jo të specializuara, me 25.6% dhe nga grupi i veshjeve dhe këpucëve me 12.8%.
Ndërkaq, ndikimi negativ në këtë indeks është dhënë përkatësisht nga: nëngrupi “Pajisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiliet dhe pajisje të tjera shtëpiake” -0,9 pikë përqindje; nëngrupi “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“ me -0,8 pikë përqindje; nëngrupi “Ushqime pije e duhan në njësi tregtare të specializuara” me -0,7 pikë përqindje; dhe nëngrupi “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit” me -0,3 pikë përqindje.
