Instituti i Statistikave bëri të ditur dje se në tremujorin e tretë të viti 2015, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 7,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Ndërkaq, në grupin e tregtisë me pakicë pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve ky indeks ka pësuar një rritje prej 15,1% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 17,4% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, duke dhënë edhe në këtë tremujor kontributin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.
Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë për grupin e “Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara, është rritur në nivelin 14,0% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në tremujorin e tretë 2015, në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 2,3% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, dhe është rritur 11,6% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Si kanë ndikuar grupet kryesore?
Sipas INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014 është rritur 7,8 për qind, i ndikuar nga nëngrupet: “Artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara” 3,7 pikë përqindje, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin më të madh në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë; nëngrupi “Pajisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiliet dhe pajisje të tjera shtëpiake” 1,4 pikë përqindje; nëngrupi “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” 1,1 pikë përqindje; nëngrupi “Artikuj të tjerë industrial në njësi tregtare të specializuara të pa klasifikuara në grupet e sipër përmendura” 1,1 pikë përqindje; nëngrupi “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjienës personale” 1,0 pikë përqindje; nëngrupi “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit” 0,4 pikë për qind; nëngrupi “Libra, gazeta, artikuj shkollor, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara” 0,4 pikë përqindje dhe nëngrupi “Artikuj të përzier kryesisht jo ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” 0,2 pikë përqindje.
Nëngrupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” -1,0 pikë përqindje; dhe nëngrupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare të specializuara” -0,3 pikë përqindje.
