Gjithçka që keni dashur gjithmonë të dinit mbi pornografinë dhe që nuk keni guxuar kurrë të pyesni, është ndërfutur pak kohë më parë në disa universitete amerikane si disiplinë më vete dhe quhet “Lundrimi pornografik”. Për të flet Hugo Shvizer, titullar i katedrës “studime pornografike” në universitetin e Pasadenës në Kaliforni
Çfarë mund të mësohet nga një kurs për pornografinë? Nuk është fjala për një shaka e stilit amerikan, por për një disiplinë që është futur rishtazi në universitetin “California Institute of Technology” në SHBA, e cila ka objektiva të mirëpërcaktuara e që janë padiskutim edukative: kursi propozon një qasje kritike mbi studimin e historisë së pornografisë, duke përdorur instrumentet e antropologjisë dhe studimeve gjinore. Qëllimi i tij është që t’u ofrojë studentëve një kuptim të gjerë mbi konceptin modern të seksualitetit.
Jetojmë në një kulturë të “pornifikuar”
Profesor Hugo Shvizer, drejtues i katedrës të studimeve pornografike në universitetin në fjalë, i mëson studentët e tij që ta shohin pornografinë në këndvështrimin e një produkti kulturor të epokës dhe shoqërisë sonë.
Sigurisht që bëhet fjalë për një kurs studimor që ka tërhequr një vëmendje të madhe dhe nuk ka kaluar pa probleme në radhët e universitetit. Të fundit ai e pati në muajin shkurt, kur gjatë një leksioni vendosi një video porno të legjendës së kinemasë amerikane, Xhejms Din, leksion i cili më vonë ngjalli shumë debate.
Shvizer, antropolog dhe ekspert në studimet e gjinive, e merr misionin e tij edukativ shumë seriozisht dhe për këtë përmend një seri kërkimesh paraprake që tregojnë se sa i rëndësishëm është vështrimi i pornografisë me një sy shkencor. Ai thotë se kursi i tij nuk është as i vetmi, por se ka mbi dhjetë të tilla në kampuset universitare amerikane, të cilat zhvillohen nga docentë që vijnë nga disiplina të ndryshme, duke përfshirë këtu ata të historisë dhe psikologjisë.
“Në fillim isha e bindur se pornografia nuk bënte për mua, sepse jam femër, – shpjegon Loren D., studente e profesor Shvizerit, – por duke e studiuar jam bërë më tolerante ndaj saj dhe e kuptoj më mirë. Pornografia përshkon të gjithë shoqërinë tonë. Jetojmë në një kulturë “të pornifikuar” dhe kurse të kësaj natyre të hapin mendjen”.
Qasje multidisiplinare
“Kursi im, – shpjegon profesori për revistën “The Atlantic”, – quhet “Lundrim pornografik” (Navigating Pornography), është i organizuar në një qasje multidisiplinare dhe ndër të tjera analizon mënyrën se si ka ndryshuar imagjinata e njeriut rreth seksualitetit, shpesh duke veçuar atë që është krijuar për të zgjuar eksitimin, nga ajo që është një formë e vërtetë arti.
Studiojmë origjinën 1700-vjeçare të pornografisë dhe evoluimin e saj përmes shekujve, për të mbërritur te industria e seksit siç e njohim sot. Objektivi im nuk është vetëm t’u jap studentëve një histori panoramike të pornografisë, por t’u jap instrumentet e nevojshme për të “lundruar” në botën e “pornografisë televizive”, siç njihet sot.
Pjesa më e madhe e studentëve të mi kanë lindur në mes të viteve ’90, ishin në moshën e pubertetit kur interneti mori përmasa botërore dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet tij përhapeshin kurse të edukimit seksual që apelonin për një ndjekje masive. Më shumë sesa leksionet e historisë, ata kanë nevojë për mjete për të luftuar turpin ndaj seksit. Por nuk i pyes kurrë nëse janë konsumatorë të pornografisë. E konsideroj të drejtën e tyre për privatësi si bazën e leksioneve të mia dhe për më tepër unë nuk jam psikoterapist”, përfundon Shvizer, që nënvizon se si pjesa më e madhe e studentëve të tij kanë ide konfuze përsa i takon objektit të këtij studimi, i cili vazhdon të konsiderohet një “zakon i keq”.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
SA MIRE ME KENE STUDENT I KESAJ PROFESORESHE.HAPJE HORIZONTI PER TE KUPTUAR MW MIRE KOZMOLLOGJINE DHE PAFUNDESINE SI KONCEPT UNIKAL.