Fatos TARIFA
Siguria kombëtare, në kuptimin më të gjerë ushtarak, politik, gjeopolitik dhe ekonomik të saj, përfshirë edhe forcimin e rendit brenda kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë (homeland security), mbrojtja e sistemit ekologjik dhe përmirësimi i mjedisit natyror, sigurimi i energjisë së mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë ekonomik e shoqëror, mbrojtja e shëndetit dhe rritja e standardeve të cilësisë së ushqimit për popullatën—të gjitha këto kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë dhe mirëqenien e Shqipërisë e të shqiptarëve.
Në këtë ese, dëshiroj të tërheq vëmendjen në një aspekt tepër të rëndësishëm—por gjithsesi të neglizhuar në trajtesat teorike mbi sigurinë dhe mirëqenien—siç është respektimi i lirive dhe i të drejtave të njeriut, për të argumentuar se koncepti mbi të drejtat e njeriut dhe ai mbi sigurinë nuk janë të huaj për njëri-tjetrin, por ngushtësisht të lidhur mes tyre. Siguria është një kusht për t’u ndjerë i mbrojtur. Kuptimi i sigurisë përcaktohet nga normat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, ashtu si dhe të gjithë instrumentët e tjerë që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, janë krijuar për t’i bërë qeniet njerëzore më të sigurta, më të lira, të barabarta dhe me më shumë dinjitet, përmes mbrojtjes së të drejtave të tyre themelore. Në fund të fundit, unë besoj se, pavarësisht garantimit ligjor të tyre, mosrespektimi i lirive dhe i të drejtave të qytetarëve bën null çdo pretendim për paqe e solidaritet shoqëror mes qytetarëve, si dhe për mbrojtjen e sigurisë humane (human security) e të mirëqenies së tyre.
* * *
Kanë kaluar 72 vite qysh nga miratimi, më 1948, nga Kombet e Bashkuara, i Deklaratës Universale të së Drejtave të Njeriut, si një “standard dhe arritje e përbashkët për të gjithë popujt dhe kombet”, dhe 44 vite nga miratimi i Konventave Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike dhe të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, më 1976. Dekadat që pasuan sollën një sensibilizim në rritje dhe një dedikim të veçantë të komunitetit ndërkombëtar për mbrojtjen universale të së drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut dhe debati për to janë bërë një tipar themelor i kulturës publike globale bashkëkohore. Shihni lajmet në TV dhe lexoni gazetat: çështjet e të drejtave të njeriut janë kudo. Sot mund të thuhet se jetojmë në “epokën e të drejtave”—“the Age of Rights”. Përpara syve tanë po zhvillohet një “revolucion në të drejtat e njeriut”. Të drejta e njeriut, pra, janë bërë sot një çështje që s’mund të injorohet ose të nënvleftësohet. Kush, në fund të fundit, mund të thotë sot se është kundër të drejtave të njeriut?
Me thellimin dhe përshpejtimin e procesit të globalizimit, i cili, përpos avantazheve ekonomikë e socialë, i ka vënë asimetrikisht në rrezik popullsi dhe kultura të tëra në vendet e pazhvilluar, shumica e shteteve kanë inkorporuar në kushtetutat e tyre norma për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nga 165 kushtetuta, për të cilat ekziston një version i përkthyer në anglisht, 122 prej tyre përmbajnë norma për mbrojtjen e të drejtave social-eknomike (të tilla si e drejta për një punë dinjitoze, ose e drejta për strehim dhe ushqim të sigurt); 134 prej tyre kanë adoptuar kërkesa për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave; 89 kanë adoptuar kërkesa mbi të drejtën për kujdes shëndetsor, dhe 105 prej tyre përmbajnë kërkesa për respektimin dhe mbrojtjen e së drejtave të minoriteteve.
Këtu, unë përqendrohem shkurtimisht në tri çështje: Së pari, në përmbajtjen filozofike e sociologjike të nocionit “të drejta njerëzore”; së dyti, në evoluimin që ka pësuar historikisht përmbajtja e këtij koncepti; dhe, së treti, në unitetin organik që ekziston mes respektimit të së drejtave të qytetarëve dhe sigurisë humane, nga njëra anë, dhe mirëqenies materiale, psikologjike e morale të tyre, nga ana tjetër.
* * *
- Në një shoqëri demokratike, është vështirë të mohohet domosdoshmëria e respektimit të diversitetit të racës sonë humane, përfshirë dhe diversitetin e vlerave, të traditave, të besimeve, të mendimeve, të identiteteve e të orientimeve seksuale. Njerëzit kanë identitete unikë, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht dhe, për këtë arsye, të drejtat e njeriut dhe domosdoshmëria e mbrojtjes së tyre burojnë nga premisa se njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore. Këto të drejta janë “humane”, sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pra thjesht sepse të gjithë i përkasim së njëjtës racë humane, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse jami të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera. Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t’i mohohen, t’i hiqen ose t’i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t’i ushtrojnë ato realisht.
Si premisa mbi të cilën bazohen të drejtat e njeriut, humaniteti presupozon ndërvarësinë e qenieve njerëzore si të tilla dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi. Këto arrihen përmes barazisë mes njerëzve, përmes konsideratës për Tjetrin dhe përmes solidaritetit njerëzor—kushte të domosdoshme këto për mirëqenien dhe demokratizimin e vazhdueshëm të vetë shoqërisë. Hannah Arendt vinte në dukje se të drejtat e njeriut bazohen në idenë e barazisë dhe kjo kërkon gjithmonë që, “çdonjëri nga ne të mendojë për dikë tjetër si një qenie tjetër njerëzore”. Sipas saj, liria zbulohet dhe kuptohet përmes dallimeve dhe vetë dallimet janë zbulimi i lirisë dhe kuptimi i saj. “Është pikërisht ajo çka është unike te ty që më bën mua të lirë”, shkruante Arendt. Është të qenët tjetër ajo që i bashkon njerëzit mes tyre përmes gjuhës dhe fjalës, përmes konsideratës për njëri-tjetrin, si dhe përmes përgjegjësisë dhe reciprocitetit ndaj njëri-tjetrit. Me pak fjalë, baza e solidaritetit njerëzor është ajo që Jean-François Lyotard e quante “respekt për të drejtat e tjetrit”.
Të drejtat e njeriut janë të drejta. Ato nuk janë thjesht aspirata ose deklarime se çfarë është e mirë ose e dëshirueshme. Ato konsiderohen të drejta jo thjesht për të pohuar se përfitimet që rezultojnë prej tyre janë të dëshirueshme ose të domosdoshme; as thjesht për të pohuar se çdo individ ka të drejtë që t’i gëzojë këto të mira, ose se është detyrë e shoqërisë që t’ia sigurojë ato çdo individi. Këto të drejta janë pretendime legjitime që çdo individ ka të drejtë t’i realizohen, jo për mirësi ose për bamirësi, por sepse ai, për shkak të humanitetit të vet, gëzon të drejtën për të pasur dhe gëzuar të mira e përfitime që janë esenciale për sigurinë, për mirëqenien dhe për dinjitetin e individit dhe që reflektojnë një kuptim të përbashkët mbi drejtësinë, barazinë dhe të moralshmen.
* * *
- Koncepti mbi të drejtat e njeriut nuk është zhvilluar lehtë dhe në një periudhë të caktuar. Ai mund të thuhet se është zhvilluar në tri “gjenerata”.
“Gjenerata” e parë përbëhej kryesisht nga të drejtat civile dhe politike, siç konceptoheshin ato në shekujt e 17-të dhe 18-të nga filozofë të tillë si Thomas Hobbes, John Locke dhe John Stuart Mill dhe siç u formuluan ato në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në Hollandë—të tilla si liria e pronës, e mendimit apo e fjalës.
“Gjenerata” e dytë përfshin esencialisht ato të drejta që kanë të bëjnë me sigurinë e jetesës, si të drejtat ekonomike (e drejta për të pasur punë dhe ushqim), të drejtat sociale dhe kulturore (e drejta për arsim, e drejta e indetitetit, apo e drejta për kujdes shëndetsor).
“Gjenerata” e tretë e të drejtave të njeriut ka të bëjë kryesisht me të drejtat kolektive, të cilat janë parashikuar në Paragrafin 28 të Deklaratës Universale, që thekson se “çdo njeri gëzon të drejtën të bëjë pjesë në një rend social dhe ndërkombëtar, në të cilin të drejtat e përcaktuara në këtë Deklaratë mund të realizohen plotësisht”. Këto të drejta përfshijnë të drejtën për zhvillim social dhe ekonomik, të drejtën për të marrë pjesë dhe për të përfituar nga resurset e tokës dhe të hapësirës, nga informacioni teknologjik dhe shkencor, si dhe të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe në paqe. Amartya Sen, ekonomisti i shquar indian (i lauruar me Çmimin Nobel më 1998), i quan këto “të drejta dhe liri të individit për zhvillim”, me çka ai kupton, “të drejta të plota” që njerëzit të “zhvillojnë kapacitetet dhe talentet e tyre në shkallën më të lartë të mundur”.
* * *
- Siç kuptohet nga parashtrimi i mësipërm, konceptet tona mbi të drejtat e njeriut, mbi sigurinë dhe mirëqenien nuk mund të jenë sot ato që kanë qenë një apo dy shekuj më parë, ose qoftë edhe 50 apo 30 vite më parë. Sot siguria dhe mirëqenia e një shoqërie dhe e çdo anëtari të saj nuk mund të konsiderohen të arrira thjesht për shkak të mungesës së luftës ose të sigurisë së kufijve shtetërorë, as thjesht për shkak të burimeve të shtuara energjetike apo kontrollit mbi mjedisin. Siguria dhe mirëqenia—(jo vetëm mirëqenia ekonomike, por edhe ajo morale e psikologjike—kanë të bëjnë me realizimin e nevojave e të interesave njerëzore. Këto të fundit janë të lidhura e kushtëzohen nga identitetet unikë të njerëzve, të cilët formësohen dhe shprehen në çdo sferë të ekzistencës e të veprimtarisë së tyre—në sferën e jetës e të marrëdhënieve private, në sferën e marrëdhënieve ekonomike, në sferën e krijimtarisë së çdo lloji, në veprimtarinë e tyre shoqërore e politike. Variacionet e pafundëm të identiteteve individualë njerëzorë bëjnë të mundur bashkëjetesën komunitare të tyre, pasi, siç thoshte Marksi, “ata që përbëjnë komunitetin” janë “jo njerëzit si qenie abstrakte, por individët e veçantë, realë, të gjallë”.
Respektimi i lirive dhe i të drejtave të njeriut vlerësohet këtu si një kusht i domosdoshëm për garantimin e sigurisë humane. Dy fjalë mbi këtë koncept relativisht të ri në diskursin politik e sociologjik. Në kuadrin e debatit të gjerë ndërkombëtar mbi zhvillimin human (human development), në fillim të viteve 1990, ekonomisti pakistanez, Mahbub ul Haq, i arsimuar në Cambridge dhe Yale, hartues i dokumentit të njohur Human Development Report (që sot përmban Indeksin e Zhvillimit Human—HDI), prezantoi konceptin e sigurisë humane (human security), si një koncept komplementar si ndaj konceptit “human development”, ashtu dhe ndaj konceptit më të gjerë konvencional të sigurisë (security). Ky koncept përmban 6 elementë të rinj të sigurisë: siguria e punësimit dhe e të ardhurave (job and income security); siguria e ushqimit (food security), siguria e shëndetit (health security), siguria e mjedisit (environmental security), siguria e komunitetit/identitetit, ose e identitetit komunitar (community/identity security) dhe siguria e lirive politike (security of political freedoms).
Shkurt, ndërsa koncepti mbi sigurinë ka të bëjë kryesisht me sigurinë e shteteve, koncepti mbi sigurinë humane ka të bëjë me sigurinë e personit, me jetën e individit njerëzor dhe me dinjitetin e tij. Fokusi, pra, nuk është shteti (siguria shtetërore), por individi (siguria e personit). Lidhja mes dy koncepteve qëndron në faktin se siguria shtetërore s’mund të jetë e garantuar—dhe kushton shumë—nëse qytetarëve u mungon siguria humane. Qysh nga ajo kohë, koncepti mbi “sigurinë humane” është bërë pjesë e debatit ndërkombëtar mbi paqen, sigurinë dhe zhvillimin, si dhe e agjendës së Kombeve të Bashkuara.
* * *
Ajo që ka rëndësi të theksohet është se siguria humane nuk reduktohet vetëm në lirinë prej frikës (freedom from fear) dhe në lirinë prej nevojës (freedom from want), por nënkupton të gjithë ata elementë që përmendëm më sipër, të cilët sigurojnë mirëqenien dhe dinjitetin e individit dhe që, siç shprehet Amartya Sen, kanë të bëjnë me “të drejtat dhe liritë e individit për zhvillim”, “të drejta të plota” që njerëzit të “zhvillojnë kapacitetet dhe talentet e tyre në shkallën më të lartë të mundur”. Me fjalë të tjera, siguria humane nuk ka të bëjë me armët—ajo ka të bëjë me jetën dhe me dinjitetin human.
Unë i përmbahem një koncepti emancipues mbi sigurinë humane, sipas të cilit, emancipim do të thotë çlirimi i njerëzve (si individë dhe si grup) nga ato mungesa e kufizime që i pengojnë ata të zgjedhin lirisht atë që duan dhe ta jetojnë plotësisht jetën e tyre.
Në realitetin shqiptar, siguria humane mbetet rrezikshmërisht e cenuar në shumë drejtime. Çfarë vë në dukje më poshtë nuk është frut i ndonjë studimi empirik, por janë konstatime dhe fakte të njohur për të gjithë, që i shohim dhe i ndiejmë çdo ditë.
Së pari, migrimi masiv i popullsisë dhe i krahut të punës gjatë çerekshekullit të fundit, nga fshati në qytet dhe nga zonat malore (të veriut e të jugut) drejt qyteteve të mëdha dhe drejt zonave bregdetare, ka çuar në braktisjen e zonave rurale e atyre malore, në përkeqësimin dhe— vende-vende—shkatërrimin e mjedisit, në destabilizimin e komuniteteve të tërë, si dhe në pauperizimin e një pjese të popullsisë rurale—tashmë edhe të një mase të konsiderueshme të popullsisë urbane. Ky migrim masiv ka çuar, gjithashtu, në humbjen e një force pune të konsiderueshme për ekonominë tonë kombëtare, mungesa e së cilës objektivisht i ka pakësuar e përkeqësuar mundësitë tona për zhvillim. Politika më të mira zhvillimore se deri më sot do të mund ta frenonin migrimin e mëtejshëm të trurit e të krahut të punës jashtë vendit, për t’i vënë talentet, kapacitetet dhe kontributet e tyre në shërbimi të zhvillimit ekonomik e shoqërot të vendit tonë.
Së dyti, mungesat e ndjeshme të kushteve jetësore normale—papunësia, mungesa e ujit të pijshëm të pandotur (madje edhe në kryeqytetin e vendit), kushtet higjenike e sanitare indakuate në mjediset private të banuara dhe në mjediset kolektive të qendrave të banuara, që shpesh bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme—vazhdojnë ta bëjnë të vështirë e të pasigurt jetën për dhjetëra e mijëra njerëz, në shumë fshatra e qytete të vendit. Investimet e kryera vitet e fundit në rrugë e në infrastrukturë, në sistemin e prodhimit e të shpërndarjes së energjisë elektike, në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor etj., sado përmirësime të kenë sjellë në kushtet dhe në mënyrën e jetesës në qytetet dhe fshatrat tanë, nuk kanë mundur ta ndryshojnë rrënjësisht realitetin e tyre, çka edhe shpjegon synimin e një pjese të konsiderueshme njerëzish për t’u shpërgulur në Tiranë apo në qytete të tjerë të vendit, ose për t’u larguar jashtë tij.
Së treti, mungesat e theksuara në institucionet e arsimit bazë të detyrueshëm dhe atij parashkollor, sidomos në zonat rurale, kanë ndikuar e ndikojnë drejtpërsëdrejti negativisht në zhvillimin human, në realizimin e të drejtave dhe në sigurinë e një pjese të madhe të anëtarëve të shoqërisë sonë. Amartya Sen me të drejtë vë në dukje se koncepti mbi zhvillimin human ka lindur dhe është zhvilluar nga nevoja për të zgjeruar lirinë dhe kapacitet njerëzore në përgjithësi. Në këtë kuadër, arsimi bazë përbën një komponent tejet të rëndësishëm për zhvillimin e indiviti, çka shpjegon pse shkollimi zë një vend qendror në agregatin e treguesve të Indeksit të Zhvillimit Human, si një faktor që i zgjeron kapacitetet njerëzore.
Të kuptuarit në këtë mënyrë mbi rolin e shkollimit në sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve bën të mundur të shpjegojmë rëndësinë që ka realizimi i nevojave për arsim. Siguria njerëzore është e lidhur esencialisht me sigurimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, çka nënkupton rolin dhe kontributin e domosdoshëm të arsimit në minimizimin e disavantazheve, të barrierave e të risqeve që pengojnë zhvillimin human. “Siguria njerëzore”, shkruan Amartya Sen, “qëndron mbi supet e zhvillimit human duke adaptuar në mënyrë të veçantë vizionin dhe perspektivën e saj të pasur dhe kjo nënkupton—sidomos dhe para së gjithash—rolin kritik të arsimit fillor”. Sipas tij, një marrëdhënie e ngjashme ekziston edhe mes arsimit dhe të drejtave të njeriut, pasi një njeri i arsimuar i kupton më mirë të drejtat dhe detyrimet e tij si qytetar.
* * *
Por si, në fakt, ndikon arsimimi bazë i qytetarëve në forcimin e sigurisë njerëzore? Së pari, analfabetizmi, mungesa e aftësisë për të lexuar, shkruar e numëruar, është në vetvete një formë pasigurie; lufta kundër tij i shërben rritjes së sigurisë së individit dhe të vetë shoqërisë. Në rubrika televizive shohim, kohë pas kohe, pamje të zymta, që tregojnë ndërtesa shkollash fillore e 9-vjeçare të braktisura, ose të rrënuara, dhe fëmijë që s’kanë mundësi të ndjekin shkollën në fshatin e tyre, por u duhet të udhëtojnë larg, për të marrë mësim, shpeshherë, nga mësues që japin lëndë për të cilat nuk kanë njohuritë e duhura. Pamje të tilla mund të kuptoheshin në fund të viteve 1940 dhe në vitet 1950, por jo në fund të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të 21-të.
Së dyti, arsimi bazë—dhe më tej ai profesional i specializuar—është një kusht shumë i rëndësishëm për të gjetur një punë, sidomos në shoqërinë e sotme të globalizuar, kur kushdo që ka një shkallë të caktuar arsimimi mund të ketë akses e të përdorë lehtësitë që kanë krijuar për të gjithë teknologjitë e reja të informimit e të komunikimit.
Së treti, njerëzit e paarsimuar, ose me arsim të pamjaftueshëm, i kanë shumë më të kufizuara aftësitë për të kuptuar, kërkuar e mbrojtur të drejtat e tyre ligjore; kjo është edhe më evidente te gratë, sidomos në zonat rurale, të cilat, mungesa ose shkalla e pamjaftueshme e arsimimit i bën edhe më të pasigurta e më të pambrojtura në familje, në vendin e punës e në shoqëri. Në fund të fundit, nuk ka e s’mund të ketë emancipim të plotë e të vërtetë të vajzave e grave në familje e në shoqëri pa një shkallë të lartë arsimimi për to. Kjo është vetvetiu e qartë. Fjala vjen, studime të shumtë kanë provuar se rritja e shkallës së arsimimit të grave çon në rënien e vdekshmërisë foshnjore (pra edhe të sigurisë së jetesës), për shkak të kujdesit më të kualifikuar që nënat e arsimuara i kushtojnë mirëqenies së fëmijëve (sidomos duke shmangur rreziqet që kërcënojnë jetën e foshnjave) dhe të rritjes së rolit të tyre në vendimmarrje në familje.
Së katërti, mungesa e arsimit ose pamjaftueshmëria e tij e tjetërsojnë individin nga politika dhe jo vetëm i pamundësojnë atij pjesëmarrjen dhe kontributin në jetën politike të vendit, por edhe e bëjnë më të pasigurtë mirëqenien e tij, në një mjedis në të cilin ai ndihet—dhe realisht është—i huaj, ose i përjashtuar.

Fatosi pranon!
Kur kujtoj që hakmarrjen e egër klasore e pagoi (dhe vazhdon ta paguaj) populli i thjeshtë shqiptar dhe fëmijët e tij ndjej një dhembje të fortë në shpirt dhe nuk mund të rri pa ia thënë të shkolluarit në “diktaturë” se ky është një fillim i mirë kur pranon shkatërrimin makabër të Shqipërisë dhe arratin e dhimbshme të shqiptarëve të mbetur pa punë dhe pa udhëheqje dhe që regjimi i ri nuk po bën sa duhet për ato që shkatërroi. Shpresojmë që kjo të jetë shenjë reflektimi mbas shpalosjes së teorisë së tij mbi disfatën dhe dështimin e socializmit në Shqipëri, një lloj si në gjithë ish-kampin socialist. Profesorit Tarifa i takon ta zbërthejë të vërtetën e “Dominosë së fundit” dhe të “shfaqjeve spektakolare” gjatë ndërrimit të regjimit etj.
Ai ka shumë për të reflektuar dhe pranuar. Ato që shkruan ai për fundvitet ’40 dhe vitet ’50 nuk janë të vërteta për gjendjen e mjeruar të arsimit. Lufta kundër analfabetizmit filloi qysh gjatë luftës partizane si në zonat e çliruara edhe në zonat e pushtuara dhe mbaroi në mes të viteve ’50 njëheresh me krijimin e Universitetit të Tiranës, pasi qenë ngritur institute të larta dhe shkolla në të gjithë vendin. Rënia e nivelit të jetesës pas elektrifikimit të vendit, ngritjes së industrisë moderne, bujqësisë së mekanizuar etj. erdhi si rezultat i deformimeve graduale ideologjike dhe ekonomike nga “faktorë” të ndryshëm antisocialistë edhe në parti për të përgatitur terrenin për ndërrimin e regjimit. Këtë e vërtetojnë Shfaqjet spektakolare gjatë zhvillimeve demokratike dhe kthimit në djerr të Shqipërisë nga forca të errta të brendshme e të jashtme më 1997.
Nga parashtrimi teorik i temës së të drejtave të njeriut, siguria dhe mirëqenia e tij mbështetur në Konventa ndërkombëtare dhe garanci ligjore sociologu Tarifa del me konkluzionin se vlera e tyre qëndron në faktin se debati për ato, pra për të drejtat universale e të patjetërsueshme të shtetit e të njeriut është bërë tipari themelor i kulturës politike globale bashkëkohore, pavarësisht se ato nuk respektohen. Në fakt problemi është moszbatimi i tyre nga pushteti në fuqi brenda vendit dhe midis vendeve. 1.Aktualisht serbët bëjnë përpjekje për të përvetësuar territorin shqiptar të serbizuar me pastrim etnik. Ose Sirinë e sulmon ose e bombardon kush të dojë. Pra nuk funksionon siguria e shteteve dhe e minoriteteve. Problemi kërkon zgjidhje reale parimore nga politika globale, jo zgjidhje të njëanëshme me ndërhyrjen e më të fortit.
2. Brenda vendit, nga moszbatimi i ligjit popullit i mbetet të luftojë për të drejtat e tij për punë, barazi, arsimim. Mungesa e arsimit bazë e lë njeriun e varfër të varfër sepse as ligji nuk parashikon punën dhe pagesënë dinjitoze për punën e krahut në të drejtën e saj të ligjshme për të jetuar e gëzuar si të arsimuarit po e lidh atë me nivelin arsimor. Si rezultat qytetari i paarsimuar mjaftueshëm i paaftë të mbrojë të drejtat e tij dhe i pasigurt për jetën bëhet pre e varfërisë së tij. Ai e kupton shfrytëzimin dhe padrejtësinë, edhe gjendjen kur keqpërdoret nga politika ose kleri apo keqbërës të ndryshëm, por është nevojtar në mëshirën e bamirësisë shpikur nga feja dhe përvetësuar 400 vjet më parë nga kapitalizm si ndihmë sociale (welfare). Siç tregon historia shumëshekullore dhe aktuale ajo përdoret si mjet sundimi e kërcënimi, si pengesë komode në rrugën e drejtësisë. Klasat e pasura sunduese japin miliona si bamirësi, që vetëm drejtësi të mos bëhet. Edhe ne e mbështesim, sepse ka shumë njerëz në nevojë, por është pengesë historike që mban nevojtarët kokëulur dhe mirënjohës. Gradualisht ajo duhet zëvendësuar me drejtësinë që të sigurohet çdo qytetar për jetën, barazinë, mirëqenien e dinjitetin. Këtu sociologët mund të ndihmojnë në teori dhe me zgjidhje konkrete për të aktivizuar gjithë shoqërinë. Një model është lufta e grave për të drejtën e votës shekullin e kaluar. Kasandra
ë