SHËNIM: I mbani mend kalendarët?

redaktor

Ditët e fundvitit, kanë patur e kanë disa simbolika, të lidhura sigurisht me festën e ndërrimit të viteve. Në kohë dhe varësisht ndryshimeve, nga njëri sistem në tjetrin, politik dhe shoqëror, disa kanë ndryshuar e disa kanë mbetur po ato. Le të kujtojmë se një ndër to, që sot nuk ekziston, është kalendari. Jo kalendari si send, por shqetësimi për sigurimin me patjetër të tij. Të afrohej nata e ndërrimit të viteve, e në ambjentet e shtëpisë të mos ishte ende i varur, gati për start, kalendari i vitit pasues, kjo përbënte një stres më vete, së bashku me atë për sigurimin e pijeve dhe të hajeve për natën e madhe.

Rreziku qëndronte në faktin se, për shkak të rradhave nëpër librari, aty ku tregtoheshin kalendarët, mundej që sasia të mbarohej shpejt, e të mbeteshe me gisht në gojë. Por nëse sigurohej, stres përbënte dhe fotoja në të, nëse ishte brenda preferencave të tua e të familjes gjithashtu. Fjala vjen, disa kalendarë ishin me pamje qytetesh, e që për motive krahinore, nuk prefereheshin gjithkund. Si të thuash, pukjanit nuk ia kishe qejfi që të mbante varur në dhomë një kalendar me pamje nga lagja Mangalem në Berat; ose skraparlliut që të mbante kalanë e Krujës. Kështu që prirja ishte drejt universales, ku veçoheshin lulet.

E për këto, duhej më patjetër ndonjë miqësi me shitësen, e cila, si çdokund në njësitë tregtare të komunizmit, kishte dhe ajo posht-banakun e vet, ku fshiheshin dhuratat e miqve. Në rastin konkret, ndoca kalendarë me trëndafila të bardhë, apo me karafila të kuq. Ndërsa sot, sheh rrugëve shitës ambulantë kalendarësh që përgjërohen t`ua blesh një, ndërsa shenjtërinë e saj e ka zëvendësuar bredhi me xhingla-mingla. Ka ndryshuar dhe ndjesia karshi festivalit të këngës, ku të rrallë janë ata që u rruhet se si do jetë, kush do këndojë, e se ç`kualitet do kenë këngët. Edhe kartolinat, dëshira për urime mes tyre, nuk janë më trend.

Por sakaq, nuk ka pësuar asnjë lloj tërheqjeje, dëshira e njerëzve për të këmbyer urimin “gëzuar” me njëri-tjetrin. Edhe pse kaq tërheqëse e përplot qoka, gjithsesi vështirë të gjendet një arsye e kulluar se përse njerëzia duhet me patjetër ta festojë kaq zhurmshëm një ligjësi rutinë të kohës, pa asnjë domethënie shpirtërore. Të festosh Vitin e Ri – sa e qartë në akte, aq e mistershme në motive!

P.s. Në artin e realizmit socialist, ekziston një produkt, ku ngjizet heroizmi partizan me shenjtërinë e vitit të ri, së cilës komunizimi i mëshoi fort. Eshtë pikërisht një këngë festivalesh, ku në vargje tregohet për ca partizanë në mal, në të ftohtë e të pangrënë, mu natën e ndërrimit të viteve. Në refren më pas thuhet: Një shok gëzuar tha/ dhe plumbat ajri çan/ kjo ish muzika jonë/ liria, shpirti i saj.

Siç bëhet e qartë, është harxhuar një karikator me fishekë për zëvëndësuar dollinë e munguar të asaj nate. Por nga ana tjetër, kjo bie ndesh me moralin e luftës, ku çdo plumb duhej ngulur në mish të armikut. Kujtojmë se Lilo Labe vetëm një plumb harxhoi për t`u bërë me dijë shokëve se ishte gjallë dhe se ku ndodhej, e për këtë mori vërejtje nga komandanti. Edhe ky detaj, tregon për misterin e motiveve që shoqëron festimet për vitin e ri!

Share This Article
2 Comments
  • Pershendetje .Nje teme e lezetshme edhe kalendari eshte drejt zhdukjes , si kartolina qe ne mendimin tim , kurre nuk do te kete vleren e sms-ve te sotme e shume gjera te tjera.Por ajo qe me terhoqi vemendjen mgjthse nuk ishte ne qender te idese se shkrimit :” Si të thuash, pukjanit nuk ia kishe qejfi që të mbante varur në dhomë një kalendar me pamje nga lagja Mangalem në Berat” n, nuk e kuptoj nga e ke marre kete pershtypje .Puka ka pritur dhe percjellur ne vite shqiptare nga te gjitha trevat dhe qytetet shqipfolese e nje pjese e tyre ftohen edhe sot e kesaj dite ne dasmat dhe gezimet e Pukjaneve .Ndaj kalendari me pamje nga thoni , dhe jo vetem ,do ishte shume i pelqyer dhe i dashur.
    Gezuar Festat te gjithe shqitareve pa dallim feje , krahine dhe dialekti.

  • Me habisin disa media qe nuk e permendin Krishtlindjen ,po vetem thot festat e fund vitit.Te gjith kta qe e kan zore dihet se nuk jan te ati besimi.Ne gjith Europen nuk thuhet festat e fund viti,pervec Shqiperis e Kosoves.Kjo dihet se pse,pastaj thuhet fjala toleranc fetare.Ne 70% te filmave qe perkthhehen ne shqip,kur permendet emri Krisht,perkthyesi musliman e thot Zot.Dasht Zoti e mos e thot Allah.Vetem tregojn injorancen e tyre se nuk ndyshoj ndonje gja kta islamik te thekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *